Shtetarët i mjekojnë edhe puçrrat në spitalet e botës, popullit i kanë lënë mjekësinë që i tall, i zhvat e vret

629
Përparim HALILI

“Rilindja” nuk e rilindi, por e groposi mjekësinë, miliardat iu dhanë pazarxhinjve dhe klientëve që menaxhoi Ilir Beqja
Përsëri dje, ndodhi një rast humbjeje jete në mjekësinë shqiptare. Dëshmitë e familjarëve të 16-vjeçares që u shua gjatë një operacioni mjekësor, deklaruan se kishin trokitur në “portën” e Ministrisë së Shëndetësisë e të shtetarëve të lartë, me lutjet për ta ndihmuar nxënësen, e cila u dëmtua në shkollë, gjatë mësimit në orën e Edukimit Fizik! Por askush nuk e përfilli. Ka pasur shumë kërkesa nga familjet në varfëri e pa lidhje me horrat e politikës e të pushteteve, të cilat kanë kërkuar trajtim të specializuar mjekësor edhe jashtë Shqipërisë për fëmijët e tyre, por janë shpërfillur duke i lënë në mëshirë të fatit dhe askush prej shtetarëve nuk është marrë nën përgjegjësi; si shkaktar i humbjes së jetëve të tyre, si pengues i trajtim mjekësor, siç e detyron Ligji Nr. 10383, datë 24.2.2011 “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë” (të ndryshuar). Po kështu, kanë ndodhur shumë raste të tillë, madje shumica me jetët e fëmijëve, por mjekët kanë dalë përherë “në rregull”, duke u justifikuar me motive të tilla si “gabime njerëzore, për raste që ndodhin 1 në 1000, për mjekim e trajtim të rregullt, për shkuarje me vonesë në spitale” e shumë justifikime e mbulime të tilla “vrasjesh” që ndodhin nëpër shëndetësinë shqiptare! Dhe rastet… po vazhdojnë! Nuk është fjala, për të fajësuar mjekët që në shumicën e rasteve janë plotësisht fajtorë, por ka ardhur momenti për një veprim urgjent, pse jo edhe popullor, përballë një shteti që po shkatërron mjekësinë shqiptare dhe po tallet me njerëzit që shkojnë për shërbim në këtë shëndetësi ku populli paguan edhe vrasjen…
Disa pyetje dhe 3 fakte konkrete për “shëndetësinë falas”…
Çfarë po ndodh në mjekësinë shqiptare? Si sillet mjekësia shqiptare më popullin? Sa shërbim ofron mjekësia shqiptare për njerëzit në varfëri, që nuk kanë asnjë lidhje me klikat e politikës e të pushteteve? Sa u përgjigjet shteti shqiptar sipas ligjit, njerëzve të thjeshtë kur kanë nevojë për shërbim mjekësor jashtë shtetit? Sa i plotëson shëndetësia shqiptare me ilaçe e pajisje mjekësore, detyrimet ndaj pacientëve? Çfarë cilësie dhe garancie kanë sjellë koncesionet e “Rilindjes” në shëndetësi? Ku dhe me çfarë financash, trajtohen me shërbim mjekësor shtetarët dhe familjarët e tyre? Këtyre pyetjeve po u japim përgjigje me 3 raste nga fusha e shërbimit shëndetësor në Shqipëri: 

1. Gjatë një operacioni mjekësor, humbi jetën “me pagesë” 3500 euro, një nxënëse 16 vjeçare e cila shkoi në një spital privat, mbasi nuk iu ofrua shërbim mjekësor në spitalin shtetëror.

2. Kreu i “Rilindjes” Edi Rama, gjatë një vizite elektorale në Shkodër, inauguroi disa shërbime në spitalin rajonal, duke mbajtur një fjalim të gjatë për sukseset në cilësinë dhe sigurinë e “shëndetësisë falas”, madje edhe duke porositur shqiptarët: “Hapni sytë dhe shikoni arritjet e shëndetësisë falas”! 

3. Dje, në “Telegraf”, erdhi një informacion që denonconte dy fakte: 
– Në 4 vitet e fundit, kryeministri i “Rilindjes”, ka shpallur dhe ekzekutuar 33 VKM, me të cilat u ka falur shtetarëve e politikanëve, miliona lekë fonde shtetërore për trajtime mjekësore jashtë Shqipërisë! 

– Në 4 vitet e fundit, në Ministrinë e Shëndetësisë janë paraqitur 1457 kërkesa urgjente për kurime mjekësore jashtë shtetit, por janë realizuar vetëm 2 prej tyre edhe ato pas ndarjes nga jeta të kërkuesve për shkak të mos shkuarjes për kurim! 

Këto raste, tregojnë një realitet që ndeshim përditë: Për popullin ofrohet shërbim shëndetësor jo falas por fals. Ky shërbim nuk ofron asnjë trajtim të plotë, cilësor e të sigurt, por që “rilindësit” e maskojnë me lyerje fasadash të spitaleve dhe me pajisje “skrap” të lyera me bojë, të cilat funksionojnë vetëm gjatë kohës kur kryeministri apo ministrat presin shiritat e inaugurimit, si një marifet sa për të zhvatur vota e për të justifikuar vjedhjet që bëjnë nëpërmjet tenderëve e koncesioneve.
Ligji për trajtimet mjekësore jashtë shtetit, zbatohet vetëm për shtetarët 
Është një ligj, që përcakton të drejtën e çdo shqiptari për trajtim mjekësor të specializuar jashtë Shqipërisë, sidomos në rastet e disa sëmundjeve që në Shqipëri nuk mund të kurohen e trajtohen, mbasi dihet se në çfarë derexheje është katandisur shëndetësia falas (me pagesë)! Këtë të drejtë e përcakton Ligji Nr. 10383, datë 24.2.2011 “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë” (të ndryshuar). Në zbatim të këtij ligji, çdo fillim viti, miratohet një VKM e posaçme, që përcakton fondin (buxhet shteti) vjetor për këto trajtime mjekësore. Po çfarë ndodh? Për cilët akordohen këto fonde? Cilët çohen për kurim në klinikat dhe spitalet jashtë Shqipërisë? Fakti tregon se shkojnë vetëm shtetarët dhe politikanët, të cilët për vete dhe familjarët e tyre, paguajnë miliona nga buxheti i shtetit për kurime e kontrolle mjekësore në klinikat moderne të botës! Ndërkohë që spitalet shtetërore në Shqipëri i kanë caktuar… për popullin. Aty mungojnë edhe aspirinat, pambuku, jodi, narkoza, serumi dhe uji për të larë sytë. Shtetarët që e dinë se çfarë “mender” shëndetësie kanë krijuar për popullin, për vete u hipin avionëve me dietat e shtetit dhe nisen drejt spitaleve të botës për një lindje, puçërr, vaksinë apo kollitje e matje tensioni, duke u trajtuar me miliardat e shtetit nëpërmjet VKM-ve që miratojnë për njeri-tjetrin, madje shpesh edhe për shoqet e grave, dashnore(ë)t, për sekretaret, prindërit, vëllezërit dhe motrat e tyre!
Ja çfarë shëndetësie ofron shteti për popullin
1. Për popullin, mjekësi ryshfeti.
2. Për popullin, mjekësi shpërfillëse.
3. Për popullin, mjekësi të paaftësh.
4. Për popullin, mjekësi arrogantësh.
5. Për popullin, mjekësi me 36 qytete pa spitale.
6. Për popullin, mjekësi të 10 punësuarish që nuk shkojnë fare në klinika e spitale, duke i lënë njerëzit qëllimisht pas dere, me ditë e muaj. 
7. Për popullin, mjekësi me pajisje mjekësore që nuk punojnë.
8. Për popullin, mjekësi me cilësi të dobët shërbimi.
9. Për popullin, mjekësi të pasigurt.
10. Për popullin, mjekësi me mjedise të qelbura brenda pavijoneve.
11. Për popullin, mjekësi pa shërbim në 60% të territorit të Shqipërisë.
12. Për popullin, mjekësi me urgjenca që nuk përgjigjen në kohë. 
13. Për popullin, mjekësi me autoambulanca pa pajisje emergjence, tipik si furgon transporti patatesh.
14. Për popullin, mjekësi, me klinika me dhoma mjekësh vetëm me katër mure.
15. Për popullin, mjekësi me laboratorë e laborantë që nuk bëjnë analiza të sakta e reale.
16. Për popullin, mjekësi me qendra shëndetësore, spitale e pavijone pa ilaçe, pa aparate tensioni, pa aparat matje diabeti, pa ujë, pa krevate, pa orendi dhe pa tualete. 
17. Për popullin, mjekësi me një “ushtri” shefash, specialistësh e mjekësh batakçinj që mbyllin klinikat, ambulancat dhe pavijonet e mjekësisë shtetërore, duke i çuar qytetarët në klinikat dhe spitalet e tyre private, të kolegëve, familjarëve, të shefave të tyre e të shtetarëve sharlatanë që ndër vite kanë shkatërruar qëllimisht mjekësinë shqiptare.
18. Për popullin, mjekësi që duhet të presësh e të bësh temena pas dyerve të mjekëve.
19. Për popullin, mjekësi ku futesh me një sëmundje dhe del me 3 e 4 sëmundje.
20. Për popullin, mjekësi ku duhet të blesh ilaçet dhe produktet ushqimore të testimit emergjent të para dhe pas ekzaminimit. 
Sigal