Adrian LIMANI, djali, që po pushton botën me kamerën e tij

161

INTERVISTA/ Flet fotografi i talentuar shqiptar Adrian LIMANI, punimet e të cilit janë publikuar në “DailyMail”, “The Sun”, “The Telegraph” etj..

 Adrian Limani është një fotograf/artist I talentuar 21 vjeçar nga Lugina e Preshevës, që per momentin jeton në Prishtinë. Ai është një artist autodidakt që pasioni për fotografinë e ka frymëzuar të realizojë shumë punime origjinale, mahnitëse dhe të veçanta, për të cilat ka marrë vlerësime dhe nga profesionistë jashtë Shqipërisë. Që në moshë të vogël atij i ka pëlqyer të merret me multimedia dhe sot punimet e tij publikohen dhe vlerësohen nga media të rendësishme botërore. Atij i pëlqen të shëtisë dhe të fotografojë çdo gjë që i sheh syri, sepse vetëm me kamerën në dorë ai arrin të pushtojë çdo gjë dhe të krijojë botën e tij në këtë mënyrë.

 -Si nisi pasioni yt për fotografinë dhe cili ishte stimuli i parë që të frymëzoi për të krijuar punët e para?

Mua më pelqen arti në përgjithësi qoftë muzika, kinematografia, piktura dhe çdoherë kam pasur dëshirë të bëj dicka të bukur në jetë që ka lidhje me artin. Që kur isha fëmijë kamera polaroide ka qenë prezente në familjen time, gjë që sot kam koleksionuar disa nga to. Mirëpo personalisht kam filluar të merrem me fotografi atëherë kur mora kamerën e parë digitale në moshën 17 vjeçare. Në vendin ku jetoja arti i fotografisë nuk ishte i zhvilluar, duke e krahasuar me vendet e  tjera botërore ku është i rendësishëm, dhe kështu kjo më bëri që të filloj të punoj në këtët drejtim.

 -Sa i përket pyetjeve teknike, na trego pak për të gjithë profesionistët që dashurojnë punën tënd, çfarë aparati, lentesh dhe metodash përdor për të realizuar fotot e tua?

Sa i përket metodave besoj se, çdo fotograf ka metodat e veta, që nuk duan te flasin ndoshta edhe shumë për to pasi në këtë mënyrë ruajnë origjinalitetin, prandaj dhe unë po them vetëm që, përdor një kamera Nikon D7000, lente 18-105mm dhe 50mm për momentin.

 -Mes të gjitha pajisjeve që zotëron për të realizuar punimet e tua, çfarë të mungon diçka që do doje shumë ta kishe tani?

Shpresoj që t’i bëj edhe disa pajisje të reja dhe ato që më nevojiten për momentin janë edhe disa lente të tjera.

 -Cila ishte gjeja që do doje ta kishe ditur që herën e parë kur nise të bëje foto? 

Çfarë kamere do të kem, Nikon apo Canon.

 -Punimet e kujt kanë influencuar më së shumti tek ty?

Zakonisht më shumë inspirohem nga muzika, filmat, por më pëlqejnë edhe punimet e shumë fotografëve të ndryshem. Për të mos i përmendur të gjithë pasi mund të dali një listë e gjatë po them që punimet e fotografit Steve McCurry-t më pëlqejnë shumë.

 -Kush nga fotot e tua është më e dashura, dhe pse?

Për mua të gjitha janë të dashura pasi të gjitha i bëj me shumë qejf, por nuk e di pse pak më shumë më pëlqen punimi “New Bulb has Flourished”. Ndoshta sepse me këtë punim arti im filloi të lulëzojë edhe në vende të ndryshme të huaja.

 -Nga fotot e tua dukët se frymëzimi yt më i madh vjen prej natyrës, gjithësisë dhe ndjenjave njerëzore. Nëse do të kishe mundësinë të udhëtoje kudo në botë, çfarë do të fokusonte më shumë aparati yt?

Mendoj se në përgjithësi do të fokusohesha në gjërat e bukura dhe interesante.

 -Arti yt është bërë publik nga disa agjenci dhe media të rëndësishme si “DailyMail”, “The Sun”, “The Telegraph” e shumë të tjera… Si është ndjesia që merret në këto raste? 

Unë kam pasur dëshirë që artin tim ta shpalos jo vetëm në vendin tim po kudo në botë, dhe në njëfarë mënyre e kam arritur. Kur bën diçka me shumë qejf, padyshim që do ndjehesh i kënaqur me atë sukses, qoftë i vogel ose i madh.

 -Ti je një ndër emrat dhe talentet që po kontribuojnë në artin shqiptar veçanërisht dhe atë botëror përgjithësisht. E ndjen këtë si një përgjegjësi për të punuar më shumë apo përkushtimi është i njëjtë sikurse në fillim?

Unë jam një autodidakt dhe pasioni për fotografinë nuk ka ndryshuar. Shpresoj që sadopak të kem kontribuar në artin shqiptar duke u shfaqur si një fotograf/artist që i përkas kombësisë Shqiptare. Artistë shqiptarë ka shumë mirëpo ndonjëherë artistët që të kontribuojnë për vendin e tyre u duhet edhe ndihma e institucioneve për t’i shpalosur vlerat e artit që ata përmbajnë.

Unë meqe jam edhe student mundohem të punoj siç kam punuar më parë dhe të kontribuoj aq sa mundem.

E sa i perket artit botëror punimet e mia vazhdojnë të shfaqen kudo në botë. Kjo është një gjë e mirë duke pasur parasysh kohën e limituar që kam. E padyshim se duhet edhe perkushtim, punë por edhe pajisje të reja për të kontribuar edhe më shumë në këtë fushë.

 -Cili është projekti yt aktual apo që mendon ta realizosh më së afërmi?

Punime të reja dhe ekspozita ime e parë.