Zgjerohet rrjeti i trafikantëve të drogës, policia kontradiktore në deklarata

501
Sigal

Zgjerohet numri i personave të arrestuar nga Policia e Shtetit në super operacionin e koduar “Xibraku”, ku u zbulua laboratori i përpunimit të kokainës së pastër, në qytetin e Elbasanit. Në operacionin e zhvilluar nga Interpol dhe Europol, numri i personave të arrestuar ka shkuar në 10 ndërsa hetimet vazhdojnë për zbulimin e të tjerë personave të implikuar në trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ndërkohë, policia shqiptare, ndonëse në daljen publike dje të ministrit Tahiri, mori bashkë merita për operacionin, mësohet se nga INTERPOL-i, është njoftuar vetëm në nisje të operacionit. Edhe në komunikatën zyrtare, fillimisht (mbrëmjen e së mërkurë) u tha i akuzuari Hoxha u arrestua në vendin e ngjarjes, në Labinot, ndërkohë që dje, u konfirmua se ai u ndalua në banesën e tij në qytetin e Durrësit, ku iu bllokuan mes të tjerave dhe mbi 300 mijë euro.  se Në personat e arrestuar është edhe nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha, i cili u vu në pranga pasditen e të mërkurës ndërsa ishte në banesën e prindërve të bashkëshortes së tij, këngëtares Rezarta Shkurta. Po ashtu të arrestuar janë Saimir Batku, Fatmir Hoxha, Kastriot Imeri si dhe Ilir Hyseni i konsideruar ku sipas hetimeve të deri tanishme rezulton të jetë kreu i organizatës kriminale. Ndërsa dy kolumbianët e vetëm mes 8 shqiptarëve të arrestuarve, janë marrë nga organizata kriminale për përgatitjen e kokainës në laborator, aty ku dhe u arrestuan në flagrancë. Anëtarët e bandës kishin përzgjedhur dy shtetasit kolumbian për ti përfshirë në rrjetin kriminal për shkak të njohurive që ata kishin në përpunimin profesional të lëndës narkotike dhe përgatitjen përfundimtare të saj për treg. Operacioni për arrestimin e personave të tjerë të dyshuar në rrjetin e lëndëve narkotike do të vijojë. Në kërkim nga policia është shpallur edhe shtetasi 38 vjeçar Genci Xhixha, nga Tirana. Ai dyshohet se është pjesë e trafikut të drogës, i cili u zbulua dhe u shkatërrua nga Policia e Shtetit dhe policia ndërkombëtare, në periferi të Elbasanit. Ndërsa është lënë i lirë Egest Dankësi, nipin e të arrestuarve, Arjan e Kelmend Dalipi, i cili u shoqërua nga policia në bazë të përgjimeve telefonike, por pas verifikimeve të policisë, ai ka rezultuar se nuk ka lidhje me grupin e narkotrafikantëve. Dorentina HOXHAJ