Zbardhet plagosja në Tiranë, policia shpall në kërkim autorin, arreston edhe të plagosurin

131

Policia e Tiranës ka zbardhur plagosjen e djeshme të një 30-vjeçari me armë zjarri. Blutë e kryeqytetit kanë identifikuar autorin e dyshuar F. G., 28 vjeç dhe e kanë shpallur në kërkim.

“Ky shtetas më datë 28.08.2018, rreth orës 02:00, në rrugën “Tasim Shehu”, për motive të dobëta ka tentuar të vras me armë zjarri shtetasin A. S., 30 vjeç, i cili ka mbetur i dëmtuar në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”,thotë policia.

Po ashtu policia thotë se “ka arrestuar edhe shtetasin e plagosur A. S., 30 vjeç për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar këtij shtetasi iu gjetën dhe bllokuan në cilësinë e provës materiale disa doza me lëndë narkotike të dyshuar të llojit Heroinë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.