Zbardhen detaje për shqiptarin me kokë të prerë në Greqi

386
Policia greke duket se ka gjetur të dhëna të reja për hetimet që kanë të bëjnë me vrasjen e shqiptarit Bledar Terpollari, që u ekzekutua barbarisht disa ditë më parë në Igumenicë dhe iu pre koka nga persona ende të paidentifikuar. E vetmja shpresë e hetuesve grekë deri tani është celulari i viktimës që u gjet në zonën ku u vra i riu. Dje mediat greke raportuan se përfundoi ekspertiza e celularit dhe nuk u gjet ndonjë informacion i vlefshëm. Ndërsa sot janë bërë të ditura të tjera detaje nga shtypi helen, që shkruan se hetuesit grekë kanë në dorë informacione të nxjerra nga celulari i viktimës, por tregohen shumë të rezervuar dhe nuk e bëjnë publike për shkak të sekretit hetimor.

Megjithatë, gazetat e vendit fqinj raportojnë se në celular janë gjetur biseda të dyshimta të Bledar Terpollarit me disa persona të tjerë, grekë dhe shqiptarë. Të gjithë këta janë me të kaluar kriminale, pasi janë verifikuar nga policia greke. Këta persona të dyshimtë kanë mbajtur kontakte me viktimën para vrasjes makabre të tij. Hetuesit grekë i kanë shoqëruar këta të dyshuar në polici për t’i marrë në pyetje. Atyre u janë marrë gjithashtu shenjat e gishtave dhe mostra të tjera gjenetike për t’i krahasuar me rezultatet e gjetura në skenën e krimit ku ishte hedhur Bledar Terpollari. Tashmë autoritetet greke janë në pritje të rezultateve krahasuese nëse këta persona që kanë folur në celular me viktimën, kanë lidhje në vrasjen makabre të shqiptarit. Deri tani policia greke dyshon se krimi ka lidhje me trafikun e drogës dhe të armëve nga Shqipëria në Greqi, ku dyshohet se viktima mund të ketë qenë i përfshirë. 
Sigal