Vlorë, hidhet në erë makina, vdes biznesmeni

538
Sigal

Pas dy atentatesh të dështuara, tritoli i ka marrë jetën ndërtuesit nga Vlora, Isuf Brahimaj

Gazeta “Telegraf” në numrin e djeshëm i ka bërë thirrje ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri që të vendosë sa më shpejt sigurinë mbi rendin në qytetin e Vlorës, në mënyrë që banorët të jetojnë të qetë dhe të sigurt. Kjo nuk është thirrja e parë dhe as hera e parë që “Telegraf” i ka vënë në dukje e të metat dhe pasigurinë që mbizotërojnë në sistemin e sigurisë në vendin tonë, por askush nuk po e vë ujin në zjarr, duke sjellë zinxhir në këtë mënyrë dhe rritjen e numrit të viktimave. Mëngjesin e djeshëmqyteti i Vlorës u trondit sërish nga një atentat me tritol, ku mbeti i vrarë biznesmeni i ndërtimit, Isuf Brahimaj, dhe u plagos rëndë shoqëruesja e tij, Ornela M, e cila ishte pasagjere si dhe një kalimtar i rastit. Automjeti ‘Mitsubishi’ i bardhë, “Fuoristradë”, me targa AA 848 XJ në të cilin udhëtonin dy personat ka shpërthyer në flakë ndërsa mjeti ka qenë në lëvizje.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 07:15 në rrugën transballkanike Vlorë-Skelë, pranë sheshit “OMONIA” ku një automjet ‘Mitsubishi’ i bardhë, fuoristradë, me targa AA 848 XJ në të cilin udhëtonin dy personat ka shpërthyer në flakë. Shpërthimi i fuqishëm ndodhi ndërsa mjeti ka qenë në lëvizje. Viktima është gjetur i pajetë, totalisht i shkrumbuar në derën e parme të mjetit. Ndërkohë, forca e shpërthimit, duket se ka nxjerrë jashtë pasagjeren, Ornela M. 19-vjeç. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes bëjnë me dije se e kanë parë të plagosurën për 5 minuta të përpëlitej në rrugë, duke kërkuar ndihmë.

Ajo është transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal të qytetit, ku ka marrë dhe ndihmën e parë. Ndërkaq rreth orës 10:30, e plagosura mbërriti  në repartin e djegieve në QSUT për mjekim të specializuar. Mjekët thanë se gjendja shëndetësore e saj është e rëndë. I plagosur nga ngjarja mbeti dhe një kalimtar i rastit, i cili u transportua drejt spitalit për marrjen e ndihmës mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet: Shpërthimi me telekomandë

Nga hetimet paraprake dyshohet se shpërthimi ka qenë i telekomanduar me celular, çka e bën të vështirë punën e hetuesve, pasi shpërthime të tilla nuk lënë gjurmë. Paraprakisht është mësuar se, viktima 42 -vjeçar, ishte pronar i një hoteli në ndërtim, në zonën e Ujit të Ftohtë dhe kjo është një nga pistat që po ndjek grupi hetimor. Megjithatë, emri i Isuf Brahimajt, nuk është i panjohur për policinë e Vlorës, nga ku mësohet se i ka shpëtuar dy atentateve të tjera që janë kryer ndaj biznesmenit dhe familjarëve të tij. Është mundur të mësohet se emri i Isuf Brahimaj dhe vëllait të tij ndodhej në listën e vrasësit serial Julian Sinanaj, i cili ndodhet në qeli. Sipas burimeve nga policia dhe prokuroria, Sinanaj ka refuzuar që të kryejë këtë porosi, sepse kishte njohje me Isuf Brahimaj dhe përveç kësaj ia kishte dhe frikën, pasi ai dhe familjarët e tij ishin persona me influencë në Vlorë.

Nga uniformat blu të qytetit bregdetar është pohuar se një atentat i ngjashëm është kryer edhe ndaj vëllait të tij Ermal Brahimaj, më 31 gusht të vitit të kaluar. Makina e tij ka shpërthyer në hyrje të një lavazhi, por pa i rrezikuar atij jetën. Ky ishte atentati i katërt ndaj pjesëtarëve të familjes Brahimaj nga fshati Sherisht, i cili për fat të keq u mbyll me një viktimë.

 POLICIA JEP DETAJET E NGJARJES

Vlorë më 28.08.2014 rreth orë 07:14 në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë është marrë njoftim në lagjen “28 Nëntori” ka ndodhur një shpërthim në automjetin tip “Mitsubishi’ ngjyrë e bardhë me targa AA848JX me pronar shtetasin I. K., vjeç 42, banues në fshatin Sherisht. Me të ishte dhe një 19-vjeçare, e cila është në gjendje të rëndë shëndetësore. Janë plagosur dhe disa kalimtarë të rastit, po pa rrezik për jetën. Menjëherë në lidhje me këtë ngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor në përbërje të të cilit janë specialistët më të mirë Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Tiranë, Drejtorinë e Policisë Qarku Vlorë si dhe Prokurorë Kundër Krimeve të Rënda Tiranë dhe Vlorë.

19-VJECARJA NË TERAPI INTENSIVE
Mjekët e QSUT-së bëjnë me dije se 19-vjeçarja po mbahet në terapi intensive. Ata theksojnë se vajza e quajtur Ornela ka pësuar djegie në dy gjymtyrët e poshtme. E reja ka thyer edhe njërin krah. Mjekët bëjnë me dije se do të japin informacion të saktë vetëm pasi të kenë kaluar 24 orë.

Reagim Rama-Basha rreth vrasjes në Vlorë

 Kreu i opozitës, Lulzim Basha në një mbledhje me krerët e partive të djathta ka theksuar se pasiguria dhe krimi në rritje janë prodhim i drejtpërdrejtë i keqqeverisjes. “Pasiguria në rritje dhe krimi në ngjitje janë prodhim i drejtpërdrejtë i keqqeverisjes që shkatërroi policinë dhe promovon krimin deri në Kuvend! “Kur gishti tregon hënën budallai tregon gishtin!”, u shpreh Basha. Partia Demokratike akuzon Policinë e Shtetit se duke u përfshirë në propagandën e qeverisë është shfokusuar nga detyra kryesore që është mbrojtja e rendit publik. Nisur nga atentati i sotëm me tritol në qytetin e Vlorës deputeti i PD-së Helidon Bushati deklaroi se kjo ngjarje riktheu edhe një herë tritolin. Më tej ai theksoi se atentati i sotëm tregon, se Edi Rama e Saimir Tahiri e kanë zhvendosur policinë në ekran, duke e hequr nga puna e saj e përditshme, nga arsyeja përse kjo strukturë ekziston.

RAMA

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës së Partisë Demokratike për ngjarjen e rëndë me tritol që mori jetën e një personi sot paradite në qytetin e Vlorës.  Kreu i qeverisë, i cili ndodhet në Berlin ka publikuar on-line një deklaratë të shkurtër ku etiketon selinë blu si të turpshme dhe zëdhënëse të krimit.

“Ç’turp shoqëror reagimi i PD pas çdo krimi të rëndë! Asnjë fjalë kundër krimit po vetëm politikë qorre me krimin si të ishte zëdhënëse e tij.