Tregtonin bomba celular, pranga tre ushtarëve profesionistë

64

DURRES- Tre ushtarë profesionistë janë arrestuar nga policia e Durrësit, pasi u janë gjetur dhe sekuestruar 7 mina të telekomanduara me celular. Gjatë operacionit të koduar “Profesionisti” u zbulua se ushtarët e repartit të Vaut të Dejës, ishin pjesë e një grupi kriminal të prodhimit dhe tregëtimit të bombave-celularë. Pasi siguronin lëndën palsëse C4 në Mal të Zi, i montonin ato në aparatët celular dhe më pas i tregtonin në Shqipëri apo Greqi, me çmime që varionin nga 1800 deri ne 2500 Euro. Gjatë operacionit të policisë së Durrësit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë sekuestruar 7 mina të telekomanduara me anë të telefonave celular, përbërës të të cilave janë: 7 eksplozive të llojit C4; 7 telefona celular të lidhura me eksplozivat me material sinjal percjellës dhe 7 mekanizma shpërthyes detonator. Në pranga të policisë kanë rënë: Kleo Gjinkola 22 vjeç lindur dhe banues në Shëngjin, me detyrë ushtar profesionist me pagese prane repartit ushtarak 1010, Vau i Dejës në Shkoder; Alban Dodaj 22 vjeç lindur dhe banues në fshatin Laim i Ri, Lezhë me detyre ushtar profesionist me pagesë prane repartit ushtarak 1010, Vau i Dejes në Shkodër si dhe Fran Kola 25 vjeç lindur dhe banues ne Balldre të Lezhës me detyre ushtar profesionist pranë repartit ushtarak 1010, Vau i Dejës në Shkodër. Hetimet mbi këtë grup kriminal kanë nisur para tre muajve pasi policia e Durrësit u sinjalizua mbi një linjë të trafikimit të minave me celular nga Mali i Zi në drejtim të Shqipërise dhe Greqisë. Gjatë hetimeve të zhvilluara mbi këtë grup kriminal, u arrit të zbulohej i gjithë mekanizimi i kryerjes së këtij aktiviteti kriminal, ku secili prej të arrestuarve kishte rol kyç në këtë trafik, që nga sigurimi i lëndës plasëse C4 në Mal të Zi, e deri tek montimi i tyre me aparatet telefonike celular, dhe me tej tregëtimin e tyre si brenda vendit por edhe drejt shtetit Grek. Nga hetimet rezultoi se këta shtetas kishin arritur të tregëtonin mina me telekomandë me një çmim që varionte nga 1800 deri ne 2500 Euro.