Skandali, policëve u ikin të paraburgosurit nga izolimi!

392
Sigal

Ngjarja në Sarandë:Ministri Tahiri jo vetëm që nuk jep dorëheqje për situatën kriminale, por mungojnë dhe analiza e masat

Kur shpresohet që forcat e policisë të angazhohen seriozisht për të goditur krimin e shfaqur në masë në formën e atentateve mafioze, tritol vënies e metoda të tjera, efektiva të policisë nuk arrijnë në gjendje të ruajnë dhe ata që kanë në dhoma izolimi, por u arratisen! Ndërkohë, përballë kësaj situate, as drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi dhe as shefi i tij Saimir Tahiri, jo vetëm nuk dorë hiqen, por mungon prej tyre dhe një analizë efektive me masa konkrete për përmirësimin e gjendjes. Konfirmohet zyrtarisht se, është arrestuar një punonjës policie, pasi duke u larguar nga vendi i shërbimit ka lejuar një person të ndaluar, të largohet nga dhoma e paraburgimit në Spitalin e Sarandës. Mësohet se ditën e premte, me datë 28.03.2014, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë Delo Latif Xholi, me detyrë Trupë Shërbimi në Seksionin e Policisë Rendit në Komisariatin e Policisë Sarandë, pasi ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të  detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Burimet zyrtare shtojnë gjithashtu se, punonjësi i policisë Delo Xholi, ka qenë i planëzuar me shërbim në dhomën e paraburgimit në Spitalin e Sarandës, me detyrë ruajtjen e shtetasit Stefan Kico Ndini i ndaluar në datën 25.03.2014 për veprën penale të “Vjedhjes” parashikuar nga neni 134 dhe 22 i Kodit Penal. Nga hetimet e kryera rezulton se, punonjësi i policisë Delo Zholi, gjatë shërbimit në ruajtjen e të ndalurit në dhomën e paraburgimit të Spitalit Civil të Sarandës, në kundërshtim me përmbushjen e detyrës, është larguar nga shërbimi duke i krijuar mundësi të ndaluarit të largohet. Me veprimet e mosveprimet e tij,  në kundërshtim me ligjin, ky punonjës policie ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Materialet hetimore ju kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme. Burimet zyrtare, shtojnë se, krahas pistës së shkeljes së rregullave të shërbimit në detyrë nga ana e punonjësit të policisë, po hetohen dhe ndonjë implikim i mundshëm i tij dhe persona të tjerë në arratisjen e të paraburgosurit.