Shkatërrohet familja mafioze, 109 të arrestuar në Katania

87
Policia italiane ka arrestuar 109 persona në Katania në një superoperacion anti mafia realizuar në bashkëpunim edhe me drejtorinë antimafia të Prokurorisë së Përgjithshme.
Në qendër të operacionit ishte klani historik famëkeq Laudani. Të arrestuarit akuzohen për krijimin e organizatave kriminale, zhvatje, grabitje, trafik të lëndeve narkotike dhe trafik të paligjshëm të armeve të zjarrit.
Në operacionin e koduar Vicerè, u angazhuan më shumë se 500 karabinierë dhe forca special të provincës së Katanias, me qëllim shkatërrimin e klanit të fuqishëm mafioz Sicilian. Hetimet zbuluan se organizata drejtohej nga tre gra, të afta për të menaxhuar aktivitete kriminale në bazë të urdhrave që vinin nga majat e familjes.
Hetimet ndaj klanit Laudani, çuan në zbulimin e të gjithë organizatës kriminale, e konsideruar një nga më të rrezikshmet në Katania, dhe e pavarur nga Cosa Nostra që operon në po të njëjtën zonë, por me lidhje më të forta me Ndranghetan.
Policia e Katanias deklaroi se indetifikimi i udhëheqësve të bandës dhe pasuesve të tyre erdhi pas hetimeve të zhvatjeve të njëpasnjëshme të zhvilluara thuajse në të njëjtën mënyrë në fabrika, biznese dhe aktivitete të tjera komerciale në zonë.
Pavarësisht përpjekjeve, policia thotë se viktimat nuk dëshmojnë kundër mafiozëve, madje shpesh herë mohojnë se janë zhvatur me gjoba mujore nga mafia që operon në zonë, gje e cila ka vështirësuar identifikimin apo edhe kapjen e kriminelëve.