Prilli i përgjakshëm, 10 vrasjet që tronditën vendin

535
Që ditën e parë të muaji Prill, një konflikt banal i kushtoi jetën një burri. E si për ta mbyllur këtë muaj në mënyrën më të përgjakshme të mundshme, ditët e fundit të tij, ndodhi një tjetër vrasje, sërish për motive banale. Mes viktimave ishin edhe dy ish-drejtues të policisë, të cilët u ekzekutuan njëri në hyrje të pallatit e tjetri në mes të rrugës. Në të dyja rastet, në një kohë dhe në vende të populluara nga njerëz të zakonshëm.
Një tjetër ngjarje që padyshim meriton vëmendje të veçantë ishte ajo e ndodhur në Vlorë, në ambientet e një lokali. U nxorën armët dhe një i ri mbeti i vrarë, ndërsa 3 klientë, të cilët ishin aty përfunduan të plagosur.
Për një vend të vogël si Shqipëria, 10 të vrarë në 30 ditë nuk janë pak.
1 Prill, Dibër/Vritet Agim Tusha 
Agim Tusha, vetëm 43-vjeç do të humbiste jetën, sepse kushëriri i tij dyshonte se i ngacmonte bashkëshorten. Kjo bëri që Hamedan Torba t’i merrte jetën kushëririt duke e goditur atë me dru pas koke. Ngjarja kishte ndodhur më 27 Mars, por 43-vjeçari ndërroi jetë ditën e parë të Prillit në spital, pasi nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.
4 Prill, Durrës/Vritet Hurme Çurri dhe Irsid Çurri
Që pas kthimit nga Gjermania, Irsid Çurri vuante nga depresioni. Mesditën e 4 Prillit, ai do të vriste gjyshen e tij 80-vjeçare, Hurme Çurri, e më pas veten. I riu kishte një vit që ishte liruar nga burgu, pasi në moshën 14-vjeçare kishte vrarë një bashkëmoshatar, një ngjarje e ndodhur po në Durrës, në ambientet e një lokali nate.
8 Prill, Tiranë-Vritet ish-Drejtori i Policisë së Vlorës Artan Cuku
Të shtunën e 8 Prillit kryeqyteti do të tronditej nga vrasja e një ish-zyrtari të lartë të policisë. Artan Cuku, ish-Drejtor i Policisë së Vlorës, por që gjatë karrierës së tij kishte mbajtur disa pozicione të rëndësishme në Policinë e Shtetit u ekzekutua në hyrje të pallatit të tij, në një prej zonave më të populluara të Tiranës, atë të Liqenit Artificial. Të paktën 5 plumba u qëlluan në drejtim të 42-vjeçarit, i cili po ngjitej në banesë. Vrasja e Cukut mbetet mister, ashtu sikurse autorët.
10 Prill, Vlorë/Vritet Elidon Mehmeti
Pa hyrë ende mesnata, një breshëri automatiku tronditi qytetin e Vlorës. Elidon Mehmeti, 39 – vjeç ndodhej në makinë në zonën e Skelës, kur në drejtim të tij u qëlluan të paktën 20 plumba. Ai ndërroi jetë në vend, ndërsa autorët mbeten në arrati. Mehmeti nuk ishte emër i panjohur për drejtësinë, pasi dyshohej se ishte marrë me trafiqe të jashtëligjshme. Atentatorët e tij dyshohet të jenë vrasës me pagesë.
11 Prill, Durrës/Vritet Agim Arapi
Për të dytën herë brenda muajit, Durrësi u trondit sërish, këtë herë nga një vrasje edhe më makabër. 150 mijë lekë të vjetra u bënë shkak për një dhunë barbare, që çoi në vdekjen e 60 – vjeçarit Agim Arapi. Dy vëllezërit Kostandin dhe Kujtim Ekonomi e goditën Arapin me grushta e shkelma duke bërë që burrit t’i pushonte zemra.
21 Prill, Vlorë/Vritet Ergys Gjioveshaj dhe plagosen 3 të tjerë
Gani Tozaj, vetëm 19-vjeç do t’i merrte jetën një tjetër të riu, e do të plagoste 3 persona të tjerë… gjithçka pas një shuplake. Ishte ora 23:20 e mbrëmjes, kur Tozaj mori armën dhe qëlloi në drejtim të 33 – vjeçarit Ergys Gjioveshaj, duke e lënë atë të vrarë. Plumbat kapën edhe 3 të rinj të tjerë, të cilët mbetën të lënduar. E gjithë kjo ngjarje ndodhi në ambientet e një lokali nate, në zonën e Ujit të Ftohtë.
25 Prill, Durrës/Vritet ish–shefi i Krimit Ekonomik të Tiranës Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautaj
Mesditën e 25 Prillit një tjetër ish-drejtues i policisë do të ekzekutohej sëbashku me mikun e tij, në Ndroq. Të paktën 50 plumba u qëlluan mbi ish-shefin e Krimit Ekonomik të Tiranës Ervin Dalipaj dhe mikut të tij, Juxhin Dautaj, teksa lëvizin me makinë. Ata mbetën të vrarë në vend, ndërsa autorë u larguan pa lënë gjurmë.
27 Prill, Kurbin/Vritet Zef Doda
Po në dritë të diellit, një tjetër jetë u shua, pasi fqinji e vrau në derë të shtëpisë. 62 – vjeçari Zef Doda me profesion farmacist u vra nga i moshuari 78-vjeçar Mirash Vukaj. Gjithçka ndodhi pasi mes fqinjëve kishte patur një zënkë për një mur rrethues… një konflikt që i kushtoi jetën 62-vjeçarit.
Sigal