Po trafikonin armë nga kufiri drejt Greqisë, flakin kallashnikovët dhe granatat për t’i shpëtuar patrullës

445
Një sasi armësh, municioni dhe eksplozivi janë sekuestruar nga policia greke, në afërsi të kufirit me Shqipërinë.

“Mbrëmjen e të dielës, (6 gusht 2017) një patrullë policie diktoi tre persona që po ecnin me këmbë në tokën greke, në zonën e Mavromatit, në afërsi të pikës së kalimit kufitar të Qafë Botës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kjo e fundit ka shtuar se ata mbanin disa çanta udhëtimi dhe ecnin për në brendësi të territorit grek.
Ndërkohë në momentin që patrulla ka tentuar t’i ndalojë, që të tre kanë lënë çantat dhe janë larguar drejt territorit shqiptar, duke shfrytëzuar edhe terrenin e thyer.
Policia greke ka deklaruar se në vendin e ngjarjes u gjeten dhe u sekuestruan në cilësinë e provës:
Tre armë automatike kallashnikov, me shtatë karikatorë,
11 granata difensive,
33 detonatorë,
Pesë kallëpë me dinamit (TNT), me peshë 1,05 kilogramë,
Një kuti me 10 ndezës granatash,
1593 fishekë të kalibrit 7,62 mm.
Gjithashtu bëhet e ditur se armët i janë dërguar laboratorit kriminalistik të Greqisë së veriut, për të kryer ekzaminimet e mëtejshme, si dhe analizat balistike.
Departamenti i sigurisë publike i Janinës, po vazhdon hetimet mbi ngjarjen.
Sigal