Plagosja me armë pas sherrit në Instagram, policia zbardh ngjarjen dhe arreston autorin

Policia e Durrësit ka zbardhur dhe dokumentuar plagosjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku dy të rinj pas sherrit që kanë pasur fillimisht në Instagram janë takuar dhe kanë nxjerrë armët. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar të plagosjes së 18-vjecarit S.K. si dhe shokun e tij. Policia ka sekuestruar edhe armën e krimit.

Njoftimi i policisë:
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, pas një pune hetimore të specializuar dhe të mirëorganizuar kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin vetëm pak orë pas ndodhjes së ngjarjes mbrëmjen e djeshme në Durrës.

Pas një ndjekje të pandërprerë kanë arrestuar autorin e dyshuar, shtetasin: • A. P. 17 vjeç, banues në Durrës. Shtetasi i mësipërm dyshohet se më datë 04.04.2018, rreth orës 17:30, në lagjen Nr.6, Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin S.K. 18 vjeç, banues në Durrës. Shtetasi i dëmtuar ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën.

Gjthashtu është arrestuar edhe shtetasi: • B.Gj. 17 vjeç, banues në Durrës. Shtetasi B.Gj.e ka ndihmuar autorin e dyshuar që të fshehë armën e zjarrit me të cilën ka kryer veprën penale. Është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë(me fishek në gojë).

Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprat penale: •”Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” në ngarkim të shtetasit A.P. parashikuar në nenet 76, 22 dhe 278/1 të Kodit Penal. •”Përkrahja e autorit të krimit”dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” në ngarkim të shtetasit B. Gj. parashikuar në nenet 302 dhe 278/1 të Kodit Penal.