Persona të maskuar grabisin xhiron ditore të një supermarketi, në Vlorë

72
Tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur një supermarket, pasditen e sotme në vendin e quajtur “Ura e Mifolit” në Vlorë. Burime zyrtare nga policia e Vlorës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:35, në një supermarket në pronësi të shtetasit: I.N. Sipas policisë, 3 persona të paidentifikuar (të maskuar), njëri prej të cilëve i armatosur me një “Pistoletë”, janë futur në supermarket dhe pasi kanë marrë xhiron ditore, rreth 50.000 lekë (500 mijë lekë të vjetra), janë larguar menjëherë.
Policia e Vlorës ka ngritur pika kontrolli në të dy anët e rrugës së vjetër të Novoselës, gjithashtu në autostradën kryesore dhe po punon për kapjen e autorëve. Tre ditë më parë, 5 persona të armatosur grabitën një supermarket, pranë kryqëzimit të Tales në superstradën Lezhë-Laç. Grabitësit kanë mundur të marrin 20 milionë lekë të vjetra dhe disa steka me cigare, dhe më pas u larguan nga vendi i ngjarjes.