Novoselë, zbulohet laboratori për paketimin e kanabisit, 3 në kërkim

458
Sigal

VLORË – Një banesë e shndërruar në laborator për paketimin e lëndës narkotike u zbulua në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurë në Novoselë të Vlorës, nga Seksioni i Antidrogës. Tre persona janë shpallur në kërkim pas këtij operacioni, ndërsa burime nga grupi hetimor thanë se dy prej tyre janë identifikuar, Luan Velaj dhe Agron Velaj. Laboratori u zbulua në banesën e Agronit, një person me precedentë të mëparshëm penal.
 
Në operacionin e koduar “Mifoli”, Policia e Vlorës sekuestroi rreth 150 kilogramë kanabis të presuar dhe të ndarë në 30 qese, por u sekuestrua edhe një sasi lënde narkotike e papresuar si edhe presa, letër ambalazhi, peshore dhe skoç që përdoreshin për këtë qëllim.

Në momentin e ndërhyrjes së policisë, Velaj po udhëtonte drejt banesës me makinë dhe sapo ka pikasur efektivët, është larguar menjëherë në këmbë në drejtim të paditur duke braktisur automjetin. Gjatë kontrollit në banesë janë gjetur familjarë të tij të cilët janë marrë në pyetje, ndërsa u sekuestruan dhe 2 automjete, të cilat janë në pronësi të Agron Velajt.

Burime nga grupi hetimor konfirmuan se lënda narkotike do të trafikohej në Itali. Nisur nga vlera e lëndës narkotike në tregun e huaj mendohet se kjo sasi kanabis kap vlerën e mbi 100 mijë euro.