Ndahet nga jeta Robert Elsie, ja çfarë nuk dimë për të huajin që deshi Shqipërinë

Ndahet nga jeta Robert Elsie, albanolog, studiues, përkthyes, hulumtues, njeriut i të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër.

Robert Elsie është një humbje për kulturën shqiptare. Ai jetoi si një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij ku strehonte kulturën shqiptare.

Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme. Elsie një nga njerëzit më punëtorë të letrave i ka bërë të tillë shërbim kulturës shqiptare. Vepra e këtij njeriu modest në natyrën e tij njerëzore, por e papërmasë si pasuri për ne do të vijojë të lartojë kulturën tonë.