Minatorët në protestë para parlamentit, kërkojnë miratimin e statusit

518
Kërkojnë miratimin e statusit të minatorëve. Pas protestës në rrugë, punonjësit e nëntokës i janë drejtuar godinës së Parlamentit me bindjen se zëri i tyre do të dëgjohet
Janë rreth 9 mijë minatorë në të gjithë vendin. Për gati 26 vite pothuaj kanë bërë të njëjtën gjë. I janë drejtuar qeverive të majta dhe të djathta, që të mos harrojnë se ata janë më të persekutuarit dhe të pambrojturit, por të hedhin sytë drejt tyre. Kanë dalë në rrugë, kanë ndërprerë punën në thellësi të galerive, jo në pak raste, por sërish janë ndodhur përballë premtimeve të pa mbajtura. Disa ditë më parë, minatorët e Përrenjasit dhe të Pogradecit, dolën në rrugë dhe kërkuan më shumë të drejta, të sanksionuara këta në statusin e tyre të munguar. Por protesta e tyre në një rrugë të largët nuk u dëgjua. Kështu ata vendosën që të nisnin një përfaqësi për të protestuar para Parlamentit të vendit. Ndërsa mazhoranca zhvillonte seancën e radhës në Parlament, ku si diskutim kryesor ishte zgjedhja e presidentit, minatorët u grumbulluan para hyrjes duke protestuar për gati dy orë. Ata kërkonin miratimin e statusit, trajtim më të mirë financiar, kushte më të mira të punës. Një tjetër kërkesë lidhej me pensionin e minatorëve. Sipas tyre minatorët janë më të diskriminuar kur bëhet fjalë për kushte të punës dhe pagesa. Po kështu ishin të qartë dhe të prerë në deklaratat e tyre, kur u shprehen për median se për 26 vite me radhë janë mashtruar, janë lënë pa status dhe minatorët e dalë në pension marrin një pagë qesharake, krahasuar me punën që bëjnë. Deklaratat i bënë për median, pasi asnjë përfaqësues i politikës nuk ndodhej pranë tyre. “Kemi lënë kokën në miniera. Askush nuk mendon për ne. Si njëra parti dhe tjetra vetëm na kanë mashtruar. Jemi pa status. Nuk na kanë përkrahur as sindikatat që për mendimin tonë janë bërë palë me politikën. Marrim pension qesharak”, u shprehën minatorët. Teksa protestua dhe nuk morën asnjë përgjigje, ata u shprehen se do të presin deri në datë 1 maj. Pas këtij afati, minatorët duken të vendosur për të ndryshuar formën e protestës. Ata deklaruan se do të futen në grevë urie deri në plotësimin e kërkesave të tyre të cilat janë për miratimin e statusit të minatorit dhe për pagesa më të mira. Nuk është hera e parë që minatorët përballen me shtetin për kërkesat e tyre. Më herët kanë qenë minatorët e Bulqizës ata që janë hedhur në protestë për të kërkuar kushte më të mira pune dhe miratimin e statusit. Por një gjë e tillë nuk është arritur ende. Pikërisht të ndodhur në këto situata, minatorët kanë vendosur të ndryshojnë kursin dhe të kërkojnë gjithçka të ligjshme, përmes grevës së urisë. “nëse ne nuk do të mund të dëgjohemi nga qeveria, atëherë në 1 maj futemi në grevë urie. Është e vetmja formë që do të bëjë të mundur të dëgjohet zëri ynë”, u shprehen minatorët që protestuan para Parlamentit të Shqipërisë. 
Sigal