Londër, ndalohet për llogari të Shqipërisë Francesco Becchetti, kërkohet ekstradimi

86
Francesco Beccheti, biznesmeni italian i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare është ndaluar në Angli. Scotland Yard ka konfirmuar për Prokurorinë Shqiptare, se pronari i “Agon Channel”, Francesco Becchetti është ndaluar disa ditë më parë nga policia në Londër. Becchetti, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare në muajin qershor të këtij viti për evazion fiskal, mashtrim dhe pastrim parash qëndron në Londër që prej muajit shkurt. Biznesmeni italian, pas ndalimit, është paraqitur përpara një gjykate angleze, ku i është komunikuar urdhër-arresti ndërkombëtar i lëshuar në ngarkim të tij. Në të njëjtën kohë, gjykata britanike ka vendosur ekstradimin e tij në drejtim të Shqipërisë, ku është i dyshuar për një sërë veprash penale, që lidhen me bizneset e tij.

Por në bazë të legjislacionit në Mbretërinë e Bashkuar, Becchetti nuk është arrestuar, por është lënë i lirë pasi i është komunikuar vendimi për ekstradim, me detyrimin që të kthehet vullnetarisht në Shqipëri brenda 15 ditëve të para të muajit dhjetor, në të kundërt ai do të kthehet forcërisht nga autoritetet britanike. Konfirmimi për arrestimin e tij, pas shumë muajsh arrati vjen nga Prokuroria e Tiranës, e cila e ka shpallur Becchetti¬n në kërkim ndërkombëtar në qershor të këtij viti. Ai akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, krijim të skemave mashtruese me qëllim përfitimin e parave dhe pastrim parash. Ndërkohë, të gjitha asetet e Becchetti¬t në Shqipëri janë sekuestruar me vendim gjykate. Tashmë pritet që më 15 dhjetor ai të vijë në Shqipëri.