Lezhë, vijon zjarri në malin e Balldrenit, të paktën 15 hektarë pisha të djegura

480
Sigal

Ka vijuar sërish djegia e Malit të Rrencit në hyrje të fshatit Balldre të Lezhës. Edhe gjatë natës që lamë pas, forcat zjarrfikëse të Lezhës, si dhe ato të ardhura nga Mirdita dhe Kurbini kanë qëndruar në gatishmëri të plotë pranë banesave përreth malit, pasi rreziku ka qenë prezent. Për të ardhur në ndihmë autoriteteve në Lezhë rreth mesnatës kanë ardhur edhe 40 forca ushtrie të cilët të ndihmuar edhe nga banorë të zonës kanë ndërhyrë, me mjete rrethanore për shuarjen e flakëve.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm është bërë e ditur se është lokalizuar vatra e zjarrit dhe tashmë nuk përbën rrezik për banesat përreth, por gjithsesi situata po monitorohet në vazhdimësi deri në shuarjen e plotë të këtij zjarri.

Prej tre ditësh zjarrfikësit dhe forcat e ushtrisë kanë luftuar me flakët, pasi era e fortë dhe terreni i thyer e ka vështirësuar punën e tyre. Janë të paktën 15 hektarë pyll me pisha që janë djegur plotësisht, ndërsa dyshimet janë për një zjarrvënie të qëllimshme nga barinjtë e zonës për të hapur kullota të reja.