Kuçovë, vret në shtëpinë e saj të dashurën: Më mbylli telefonin

534
Sigal

KUÇOVE – Refuzimi që familja e të dashurës së tij i bënte për ta pasur dhëndër, ka shtyrë një 29-vjeçar drejt një akti tragjik. Klaus Sakolli ka qëlluar me breshëri automatiku ndaj banesës së familjes Demaj në qytezën e Kuçovës, duke lënë të vrarë nga plumbat të dashurën e tij 22-vjeçaren Denisa Demaj, ndërsa djali i familjes mbeti i plagosur rëndë.

Tragjedia e radhës në emër të dashurisë ndodhi në mesnatë. Pasi 22-vjeçarja nuk i ka hapur telefonin, ai ka hyrë më dhunë në banesë dhe më pas në dhomën ku ndodhej e reja më të vëllanë dhe ka qëlluar me breshëri automatiku.

Një nga plumbat ka prekur në kokë Denisën duke i shkaktuar plagë të rënda, ndërsa e reja ka ndërruar jetë në spitalin e qytetit teksa ndodhej në sallën e operacionit. Plumbat kanë lënë të plagosur rëndë vëllanë e saj Edison Demaj, 20 vjeç, i cili dërgua fillimisht në spitalin e Beratit, por duke parë gjendjen e tij të vështitë, u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në kryeqytet.

29-vjeçari Klaus Sakolli kishte një marrëdhënie dashurie me 22-vjeçaren Denisa Demaj, por familja e saj nuk pranonte që çifti të lidhej në fejesë. Pak orë pas krimit Sakolli u arrestua nga policia, ndërsa janë shpallur në kërkim bashkëpunëtorët e tij. 

Qamil Pasha kunati i 22-vjeçares së vdekur rrëfen detaje për ngjarjen e rëndë, ku tregon se në banesë përveç fëmijëve ndodheshin edhe dy prindërit dhe gjyshja e moshuar, të cilët kanë qenë në dhomën ngjitur ku ndodhi tragjedia.

Banorët e zonës të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë jashtë kamerave pohojnë së viktima dhe autori ishin njohur përmes telefonit, por familja e vajzës refuzonte në mënyrë kategorike këtë lidhje. 

Sipas policisë së Beratit mësohet se autori është person me precedent penal dhe është dënuar më herët për plagosje të rëndë