Kamzë, tritol në mesnatë shtëpisë së shefit të burgut të Fushë-Krujës

493
Sigal

TIRANË/Në harkun e 24 orëve, tre atentate me tritol, policia nuk ka bërë asnjë ndalim

Një sasi tritoli që shpërtheu gjatë natës në banesën e shefit të policisë së burgut të Fushë-Krujës në Kamzë, ka tronditur banorët e kësaj qyteze të populluar. Objekt i shpërthimit ka qenë shtëpia e kryepolicit të burgut të Fushë -Krujës, Lulzim Haxhija. Ndërkohë, ky shpërthim, fatmirësisht pa pasoja në njerëz është i treti në harkun e 24 orëve të fundit pason atentatin makinës së kreut të Komunës Qendër në Vlorë dhe shpërthimit me tritol që ndodhi mbrëmjen që shkoi Brenda komisariatit të Fushë-Krujës. Ankthi e paniku nga shpërthimet me tritol, nga numri dhe shpërndarja gjeografike, veçanërisht pamundësia e policisë për të identifikuar, arrestuar dhe nxjerrë para ligjit autorët, po krijojnë një situatë të rënduar pasigurie në gjithë vendin. Referuar statistikave zyrtare që lidhen me tre shpërthimet me tritol gjatë 24 orëve të fundit, ku kreu i Komunës Qendër në Vlorë është në gjendje të rëndë në spitalin e ushtarak në Tiranë, policia jo vetëm nuk ka identifikuar autorët e krimeve, por nuk ka përcaktuar qartë dhe motivin e këtyre akteve të rënda terroriste.

ATENTATI NË KAMZË

Një sasi tritoli ka shpërthyer orët e para të mëngjesit të ditës së martë në Kamzë në banesën e Lulzim Haxhia, me detyrë shefi i policisë së burgjeve në Kampin e Riedukimit në Fushë-Krujë. Mësohet se, ngjarja ka ndodhur në orën 02:00 të ditës së hënë. Burimet për “Telegraf” thonë se, nga shpërthimi ka dëmtime materiale në banesë, por fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz, ndonëse në atë moment, Brenda në ‘të kanë qenë pjesëtarët e familjes Haxhija. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar policë, ekspertë të xhenios dhe nga Prokuroria e Tiranës. “Pas bllokimit e sigurimit të provave në vendin e ngjarjes, nisi puna për identifikimin e motiveve, autorëve të atentatit dhe arrestimin e tyre. Në funksion të hetimeve kanë dhënë dëshmitë familjarët e Haxhiajt, vetë shefi i policisë së burgut të Fushë-Krujës dhe disa persona të tjerë”,- thuhet komunikatën zyrtare të policisë për ngjarjen.

HETIMET

Ashtu si në shumë raste të tjera, krime ndaj personit e shpërthime me tritol, për rastin e fundit, policia nuk ka mundur të identifikoj dhe të ndaloj autorët. Gjithashtu, nuk ka një pistë të precizuar të këtij atentati. “Kemi administruar provat dhe kemi siguruar shumë dëshmi që shpresojnë drejt identifikimit të autorëve. Janë disa pista hetimore që po ndiqen, ajo e konfliktit për shkak të detyrës së kryefamiljarit Haxhija dhe konflikte të mundshme të tij me persona të tjerë”,- shtojnë burimet nga grupi hetimor për gazetën “Telegraf”. Të njëjtat burime shtojnë se rreth këtij atentati, hetimet janë shtrirë dhe në burgun e Fushë-Krujës. Për këtë qëllim, kanë dhënë dëshmi dhe kolegë të Haxhiajt. Ndërsa burime konfidenciale shtojnë se, po hetohet edhe për mundësinë e lidhjes së këtyre atentateve me njëri-tjetrin..

FENOMENI

Shpërthimet me tritol po kthehen në një dukuri terrorizuese me përhapje numerike e gjeografike gjatë kohëve të fundit. Vetëm në tre rastet e 24 orëve të fundit, nga shpërthimi është në rrezik për jetën Fredo Berberi, kreu i komunës së Qendrës në Vlorë. Ndërkohë, ajo që është më shqetësuese, është fakti se policia, për të tre këta raste, nuk ka mundur të arrijë sukses, duke qenë e sfiduar nga krimi. Kjo ka bërë që qytetarët të jenë të frikësuar në rrugë, nën terrorin e frikës gjatë natës në banesë e të terrorizuar dhe në mjedise, ku punojnë.

Forcat politike në vend, vazhdojnë akuzat e ndërsjella, njëra për ‘paaftësi të policisë e qeverisjes”, e tjetra për “nxirje të sukseseve të arritura ndaj krimit”, teksa pasojat po vazhdojnë ti vuajnë qytetarët që kërkojnë e shpresojnë rend, qetësi, siguri për jetën dhe për pronën.