Gjykata “zhbllokon” lëvizjen e Saimir Tahirit, lë në burg Sotën

576
Duket se është thjesht rastësi. Në të njëjtën ditë që ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zhvillonte takim në Elbasan me 12 drejtorët e qarqeve dhe me përfaqësues të qeverisë, duke paralajmëruar goditjen e krimit, gjykata në kryeqytet vendoste për fatin e Saimir Tahirit. Apeli i Krimeve të Rënda rrëzoi vendimin e marrë nga shkalla e parë për bllokimin e pasaportës së Saimir Tahirit. Në një seancë, e cila zgjati vetëm 30 minuta, Apeli zhbllokoi lëvizjen për Tahirin duke i rikthyer pasaportën. Në argumentin e tij Apeli u shpreh se ish-ministri nuk rrezikonte prishjen e provave dhe për këtë qëllim duhet të marr mbrapsht pasaportën e tij. Vendimi i shkallës së parë u dha në 9 dhjetor. Tre ditë më pas u bë apelimi dhe dje një tjetër vendim erdhi në favor të Tahirit. Duket se edhe drejtësia nuk është në një linjë brenda saj. Shkalla e parë pranoi kërkesën e prokurorisë e cila e konsideron Tahirin person nën hetim për të paktën dy vepra penale. Edhe në seancën e djeshme, akuza kërkoi lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë. Pas përfundimit të seancës, Tahiri nuk ka pranuar të japë asnjë deklaratë për median. Ndërsa është shprehur, se për gjithçka do të fliste avokati i tij, Maksim Haxhia. Si për ironi të fatit, në të njëjtën ditë që Tahirit iu zhbllokua pasaporta, miku i tij, biznesmeni Orest Sota mbeti në arrest me burg. Sotës iu gjetën në makinë 863 mijë euro që sipas akuzës janë të ish-ministrit Tahiri. Duket se Tahiri ashtu sikundër i shpëtoi heqjes së mandatit, pritet t”i shpëtoi edhe burgut. Ai akuzohet për veprën penale të trafikut të drogës në bashkëpunim dhe të korrupsionit pasiv e aktiv.
Sigal