Elementë kriminalë tallen me patrullat, kurse 129 çdo ditë mashtrohet

471
Në Elbasan, Drejtoria e Policisë, Komisariati dhe gjithë strukturat e saj janë mbushur me  persona të ardhur prej 3 – 4 vitesh nga rrethet, gjë e cila ka sjellë anomali, kaos, shpërqendrim,  dhe mungesën e goditjes së elementëve kriminalë, apo parandalimin e veprave të lehta dhe të  rënda penale. Pothuajse çdo ditë qytetarët kur telefonojnë tek 129, do t’u duhen e pakta 15  minuta të deshifrojnë dhe tregojnë me detaje tek punonjësi i policisë, vendin e krimit, vendin e  ngjarjes, rrugën, ose emrin e vjetër siç e quajnë vendalinjtë. Ka me qindra raste kur policia  është njoftuar, ka marrë shënim adresën nga e cila ka ndodhur ngjarja, dhe ose nuk ka vajtur,  kurse në shumicën e rasteve ajo ka ngatërruar adresën. Ngjarjet e fundit, krimet e rënda, por  edhe të lehta, vjedhjet, grabitjet, apo edhe denoncimi i çerdheve të trafikantëve të drogave dhe  përdoruesve të tyre, treguan se policia e Elbasanit mbetet pothuajse jashtë loje. Sipas një oficeri policie, i cili ka mbi 17 vjet që punon në Komisariatin e Elbasanit “ardhja e mbi 80 për qind e efektivit nga rrethet, na ka vënë në situata të vështira, ka pasur raste kur edhe shoferët e automjeteve të policisë nuk i dinë emrat e akseve rrugore, lagjeve, por njohin vetëm 
universitetin, turizmin, bashkinë dhe prefekturën, ka pasur raste kur fugoni ynë sorollatej  lagjeve të periferisë dhe krimi kishte ndodhur pikërisht 150 metra larg qendrës dhe kjo na kushtoi shumë, autori kishte ikur qetë-qetë, dhe akoma nuk është ndaluar nga ne”. Në muajt- shtator – tetor 2013 nga policia e Elbasanit u larguan afro 116 persona, shumica e tyre me eksperiencë pune mbi 15 vjet në detyrë, dhe u zëvendësuan me njerëz të ardhur nga rrethet e 
afërta dhe të largëta, duke krijuar vështirësi serioze në efektivitetin e punës së policisë. Në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit ka efektivë që kanë shërbyer në Krujë, Tropojë, Has, Shkodër, Fier, Mallakastër, Berat, Tepelenë, Korçë, Vlorë dhe shumë pak, për të mos thënë fare nga Elbasani. Shqetësimin e krijuar nga kjo prurje dhe lëvizje e pakontrolluar, shpesh e kanë ngritur në mbledhjet dhe analizat vjetore me drejtuesit e Ministrisë Brendshme edhe ndonjë prej atyre që u dhimbset policia, dhe që duan që qyteti me shumë halle, të ketë e pakta rendin dhe qetësinë. Duke qenë të ardhur dhe jo rezidentë në Elbasan, efektivat “jabanxhinj” të policisë e kanë pasur dhe e kanë më të lehtë të korruptohen. Burimet policore dhe ato të hetimit thanë se “vitin e kaluar kemi pasur e pakta 10 raste kur janë zbuluar dhe ndëshkuar për lidhje korruptive, për favore në kurrizin e ligjit, pikërisht efektivë të ardhur nga rrethet, pasi ata bien shpejt preh e aferave korruptive, janë të gatshëm të hedhin hapa të guximshëm pasi mendojnë se “jam i  përkohshëm këtu”. Prej afro 3 vitesh në Drejtorinë e Policisë Elbasan dhe tek zyra e zotit Sajmir Tahiri qëndrojnë kërkesat për rikthim në detyrë të afro 22 specialistëve të policisë, të cilët ishin larguar me motive politike nga ish-qeverisja e kaluar. Por deri sot, drejt tyre nuk ka qoftë edhe një përgjigje pozitive apo negative, duke i detyruar ata të veshin nga e keqja uniformën e policisë private, me shpresën se një ditë do të rikthehen në detyrë. Banorët e Elbasanit 
shprehen se “situata duhet të ndryshojë urgjentisht, duhet të ndjehemi të sigurt, duhet të bindemi se policia të na vijë me urgjencë në adresat që ne japim kur ndodhin krime dhe lloje të tjera veprash penale, dhe jo të dalim në rrugë dhe të bëjmë udhërrëfyesin, apo edhe shpesh edhe përkthyesin. Rrugaçëria dhe veprat kriminale janë shtuar, nuk shikon një patrullë të vijë lagjeve, nuk e kuptojmë pse e marrin rrogën, për të bërë xhiron tek bulevardi kryesor”. Kjo 
situatë e rënduar psikike tek qytetarët, nga mungesa e pranisë së policisë, ka rritur ndjeshëm numrin e veprave penale, ka ulur ndjeshëm nivelin e forcës goditëse të saj dhe ka rritur ndjeshëm pasigurinë, e cila shpesh ja ka lënë vendin vetëgjyqësisë, duke hapur plagë të tjera 
për dhjetëra familje të Elbasanit. 
Sigal