Elbasan, bllokohen 22 subjekte dhe sekuestrohen 130 aparate

73

Shmangia nga detyrimet, Policia operacion blic në 12 Qarqe ndaj Lojërave të Fatit

Policia e Shtetit po ndërmerr një operacion të gjerë në të gjithë qarqet e vendin. Në operacionin, ku po angazhohet rreth 6 mijë forca policie, synohet bllokimi i të gjitha pikave të basteve të jashtëligjshme. Për më pak se 2 orë shteti ka mbyllur mbi një mijë qendra të lojërave të fatit ilegale në Shqipëri, duke i dhënë fund një prej bizneseve më gërryese të shoqërisë. Forcat e policisë në këtë operacion janë mbështetur edhe nga inspektorët e tatimeve dhe institucioni që mbikëqyr lojërat e fatit. Sipas të dhënave në 12 qarqet e vendit, ku operacioni ka qenë i njëkohshëm dhe i befasishëm janë bllokuar mbi 1 mijë biznese në këtë fushë, duke u kyçur menjëherë. Në një prononcim për mediat, ministri Tahiri ka thënë se lojërat e fatit janë kthyer në një bazë paligjshmërie, me dëme për buxhetin e familjeve shqiptare, si dhe në një çerdhe kriminaliteti. “Është një aksion që nga njëra anë tregoi vullnetin e Policisë së Shtetit dhe nga ana tjetër pikat e dobëta. Deri tani janë bllokuar mbi 350 subjekte në gjithë Shqipërinë dhe aksioni do vijojë deri në pikën e fundit”.

Elbasan

Ashtu si në shkallë vendi, operacion blic i policisë ndaj lojërave të fatit është shtrirë edhe në qytetin e Elbasanit. Gjatë kontrollit që ka nisur në Elbasan rreth orës 17:00 të ditës së djeshme, uniformat blu kanë kontrolluar 42 subjekte të tipit kazino dhe pika bastesh, ku rezultuan 22 subjekte të bllokuara. U sekuestruan 100 makineri kompjuterike dhe 30 TV plazma. Sipas policisë së Elbasanit, të tilla aksione do të merren rishtazi për të bërë të mundur edhe ndalimin e personave të dyshimtë, ku krahas kazinove, kontrolle do të ushtrohen edhe në loto, pika bastesh etj.

Blic edhe në Lezhë, bllokohen 10 pika të lojërave të fatit

Uniformat blu kanë bllokuar 10 pika të lojërave të fatit qytetin e Lezhës. Krahas policisë, në aksion morën pjesë edhe inspektorë tatimorë në përpjekje për zbulimin e lojërave të fatit që u janë shmangur detyrimeve tatimore.

Refuzon urdhrin e Tahirit, pezullohet kryepolici i “Qytet Studentit”

Pezullohet nga detyra komandanti i policisë në “Qytetin Studenti” në Tiranë. Vendimi është marrë pasi komandanti i policisë në “Qytetin Studenti” Arsen Sinomataj nuk ka zbatuar urdhrin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për zhvillimin e kontrolleve te pikat e basteve dhe kazinotë në këtë zonë. Ndërkaq nga kontrollet e zhvilluara deri në mbrëmjen e djeshme në zonën e “Qytetit Studenti”, janë bllokuar 150 pika të paligjshme bastesh, të cilat ushtronin aktivitetin e tyre jashtë kritereve të përcaktuara në ligj.

Kontrolle në Korçë, bllokohen 54 pika, sekuestrohen 31 aparate

Në qarkun e Korçës janë të paktën 100 efektivë në rajonin juglindor ndaj të gjitha pikave të lojërave të fatit. Operacioni vijon qetësisht në Kolonjë, Pogradec, Korçë e rajonin e Devollit. Në qarkun e Korçës janë bllokuar deri darkën e djeshme 54 pika lojëra fati.

Durrës

Operacioni i gjerë është shtrirë dhe në qarkun e Durrësit, ku ka pasur dhe sekuestrim të disa kompjuterëve dhe makinave të lojërave të fatit, objekte që nuk kanë qenë të regjistruara dhe certifikuara.

Fier

Edhe në qarkun e Fierit po kryhet verifikimi i dokumentacionit dhe licencave të çdo pajisje të lojërave të fatit. Nga 93 pika lojërash fati në Fier, janë proceduar 7. Janë bllokuar 2 pika në Lushnjë, 1 në Mallakastër.

Vlorë

Janë rreth 90 efektivë policie në Vlorë që kanë nisur kontrollin së bashku me tatimorë dhe ndërhyrjen e shpejtë, në çdo rrugicë e lagje. Zona më e populluar me kazino është zona e Skelës, por problemi më i madh janë pikat e basteve dhe lotove sportive të hapura në rrugica e lagje.

Berat

Edhe në Berat vijon super-aksioni ku prej orës 17:00 të ditës së djeshme janë kontrolluar disa lojëra fati ku deri tani janë bllokuar 10 pika të lojërave të fatit.

Kukës

Janë kontrolluar 9 pika bastesh, ku janë bllokuar 4 prej tyre, ndërsa janë sekuestruar 29 makineri lojërash fati.

Shkodër

Deri në darkën e djeshme në Qarkun Shkodër, nga veprimet dhe kontrollet e ushtruara nga ana e policisë, janë bllokuar dhe sekuestruar dy biznese te lojërave të fatit në qytetin e Shkodrës, shtatë copë kompjuterë, dy makineri të lojërave të fatit dhe dy televizorë.