Ekzekutoi biznesmenin, Denis Demiri u kap 6 vite më parë teksa po përgatitej të vriste

343
Denis Demiri, 43 vjeç u arrestua sot së bashku me Ardian Serezin, 49 vjeç, si autorë të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Memli Begalla më 16 shkurt në zonën e Bllokut, shumë pranë shtëpisë së tij në Tiranë.
43-vjeçari njihej edhe me emrin Alban Demiri dhe rezulton person me precedentë penalë për vrasje të mbetur në tentativë, vjedhje me armë dhe armëmbajtje pa leje. Sipas të dhënave, Demiri është arrestuar më 1 prill të vitit 2012 pranë Maternitetit të Ri tek zona e “Brrylit” në Tiranë teksa përgatitej të kryente një tjetër vrasje.
Në atë kohë Demiri po përgatitej të vriste shtetasit F. A., banues në Kinostudio Tiranë, pas një sherri për motive xhelozie.
“Arrestimi u bë mbi bazën e informacioneve të besueshme se ky shtetas po përgatiste të kryente vrasjen e shtetasit F. A., banues në Kinostudio Tiranë, pas një sherri për motive xhelozie, të ndodhur ndërmjet tyre disa ditë më parë. Konkretisht, shtetasi Denis (Alban) Gani Demiri, u kap më datë 01.04.2012, rreth orës 22:00 me një armë zjarri në brez, të mbushur me fishekë gati për qitje, në një lokal pranë Maternitetit të Ri të Tiranës, në prani të 3 personave të tjerë. Në cilësinë e provës materiale u kap dhe sekuestrua arma e zjarrit pistoletë “TT”, me një krehër pistolete me 8 copë fishekë në të.”- thuhej në njoftimin e policisë.
Burime nga grupi hetimor thanë atëherë se 37-vjeçari Demiri mbahej në vëzhgim prej një jave nga policia, pas një konflikti fizik të ndodhur në Kinostudio me shtetasin me iniciale F. M., për motive xhelozie. Policia ka qenë e pranishme në vendin e ngjarjes një javë më parë dhe i ka shoqëruar të dyja palët në Komisariatin Nr. 4, duke u njohur edhe me problemet e tyre. Për këtë arsye, duke mbajtur në vëzhgim Denis Demirin pas incidentit, u bë e mundur që të parandalohej edhe vrasja e mundshme që ai dyshohet se ishte duke u përgatitur ta kryente.
Gjithashtu Policia e Tiranës tha zyrtarisht se i arrestuari Demiri është person me precedentë penalë, pasi është dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentative, vjedhje me armë dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa për sai përket vrasjes së biznesmenit Begalla nga veprimet e dokumentuara, rezulton se shtetasi Denis Demiri ka kryer ekzekutimin. Dyshohet se pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e borxheve që nuk kishte shlyer viktima. Për arsye hetimore, nuk mund të bëjmë me dije të dhëna të tjera në lidhje me mekanizmin apo rolet si dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet me targa të huaja, me të cilin autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu është sekuestruar një automjet në pronësi të shtetasit Denis Demiri, si dhe 9 telefona celularë.