Dhomat e policisë si birucat e Pinoçetit

676
Sigal

Petraq BARJAMI

Familjarët protestuan para komisariatit të Policisë me arkivolin në duar të të riut që u torturua në birucë

Dje, u përcoll në “banesën” e fundit 27-vjeçari që vdiq në dhomat e komisariatit të Policisë në Korçë. Familjarë, shokë, qytetarë mbajtën mbi supe arkivolin dhe parakaluan para Komisariatit duke thërritur: “Dhomat e policisë, sikurse birucat e Pinoçetit”. 3 ditë kishte 27-vjeçari Enea Ftoi në paraburgim, në dhomat e komisariatit të Policisë në Korçë dhe, papritur u gjend i vdekur. Njoftimi zyrtar i Policisë tha, se viktima nuk kishte shenja të dukshme dhune. Mirëpo, fotografitë e marra në morg dëshmuan, se në fytyrë, në shpatulla, në duar të viktimës dalloheshin qartë shenja dhune.

Ende ministri Brendshëm hesht për vdekjen nga tortura të qytetarit

Së pari, jemi në demokraci dhe dhomat e policisë janë për parandalimin e të ndaluarve, dhe jo biruca të policisë së Pinoçetit, ku ndaj të arrestuarve ushtrohen tortura deri në vdekje. Sot, ministri Brendshëm, si përgjegjësi politik i Policisë së Shtetit duhet të kishte reaguar. Ose të përgënjeshtronte fotografitë, duke argumentuar se ato nuk janë nga dhuna dhe tortura policore. Ose, të verë para përgjegjësisë ligjore fajtorët, policët torturues. Heshtja e ministrit të Brendshëm për vdekjen e të riut 27-vjeçar në birucat e komisariatit të Policisë së Korçës është hije faji dhe të kujton birucat e Pinoçetit, ku të arrestuarit dilnin andej me arkivol, jo më me këmbët e tyre. Ministri i Brendshëm Xhafaj pardje shfaqi edhe ndjeshmërinë emocionale, kur pohoi se vëllai i tij ishte adoleshent, që u gjend në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar, në Itali, kur kreu veprën penale të trafikimit të drogës, dhe asokohe ishte në moshën e të riut korçar që vdiq. Për 27-vjeçarin që vdiq në birucat e policisë, a nuk duhet të ketë ndonjë ndjenjë emocionale ministri Xhafaj, të paktën, kaq sa të reagojë e të vërë para përgjegjësisë ligjore xhalatët-policë?

Familjarët presin që dikush t’u thotë të vërtetën

Familjarët e 27-vjeçarit Enea Ftoj janë të bindur se vdekja e tij në Komisariatin e Korçës nuk ishte natyrale, por e shkaktuar nga dhuna çnjerëzore. Para se ta përcillnin për në banesën e fundit, familjarë, të afërm dhe pjesëtarë të komunitetit rom në Korçë, protestuan përpara komisariatit me arkivolin e tij në krahë. Me pankarta në duar, ku shkruhej: “Dhomat e policisë sikurse birucat e Pinoçetit”, “Larg policisë raciste” dhe “Duam drejtësi”, ata bënë thirrje që përgjegjësit e vdekjes së 27-vjeçarit të përballen me ligjin. “Jo dhunë dhe padrejtësi, por dashuri dhe drejtësi”, thuhet në njërën prej tyre. Kujtojmë se ditën e djeshme, për rreth katër orë, tre ekspertë mjeko-ligjore, dy të pavarur dhe një i Institutit të Mjekësisë ligjore kanë kryer ekspertizën, ndërkohë që përgjigjet pritet të dalin pas tre javësh. Familjarët e Enea Ftojit akuzojnë drejtpërdrejt policinë për vdekjen e 27-vjeçarit, madje publikuan edhe pamje të trupit të pajetë, ku duken qartë shenjat e dhunës. 27-vjeçari ka shenja të dukshme dhune në fytyrë, kokë, krahë dhe shpatulla. Enea Ftoj, baba i tre vajzave të mitura, me vogla 10-muajshe, ishte arrestuar si i dyshuar për disa vjedhje në Korçë dhe priste të dilte në gjyq. Por ditën kur ishte caktuar seanca gjyqësore, familjarëve iu dhanë lajmin se djali i tyre ishte gjetur i pajetë në ambientet e paraburgimit. Ndërkohë do të jenë rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore, që do të zbardhin shkakun e vërtetë të vdekjes së 27-vjeçarit, baba i tre fëmijëve. Ndoshta deri atëherë, do të jetë shpërqendruar edhe vëmendja publike dhe, siç ndodh rëndom, askush nga torturuesit nuk do të përballet me drejtësinë.