INTERVISTA/ Arian Fetishaj: Gjithçka po funksionon si duhet, në Durrës shkojmë të japim më të mirën e vlerave tona

2652
Sigal

Nga Agron KAJA

Flet për “Telegraf” trajneri i Notit te Tirana, ja këndvështrimi i tij për periudhën pesë mujore të vitit 2018, dhe vazhdimësia

Sezoni i notit për vitin 2018 është në proces, si është situata përgatitore te Tirana në këto muaj pa aktivitet zyrtar?

Notarët e Tiranës, aktualisht po stërviten në pishinën 25 m tek shkolla “Nobel”, aty ku kushtet stërvitore janë të mira dhe gjithçka po funksionon siç duhet. Sepse ku ka dëshirë, ka progres, e nuk mendoj se kushtet infrastrukturore janë të këqija për synimet tona këtë vit.

Në Kampionatin Dimëror për Fëmijë dhe në Kampionatin Dimëror për të Rinj e të Rritur, i ka arritur synimet ekipi i Tiranës?

Këto ishin dy veprimtari testuese për përgatitjet tona, sepse ishin në pishinën 25 m. Aty ne u përfaqësuam me notarët më të mirë që po përgatisim, dhe me rezultatet që shënuam si individë e si skuadër, meshkuj e femra, mendoj se synimet janë arritur. Gjithsesi, ky është vetëm fillimi.

Po në veprimtaritë ndërkombëtare të vitit 2018, çfarë niveli kanë treguar notarët e Tiranës

Aktiviteti i fundit ishte në datat 28-29 prill në Dubrovnik, ku pjesëmarrja nuk ishte e madhe, sepse kishte kufizim në mosha. Për këtë vit, këto ishin garat e para në pishinën 50 m dhe rezultatet ishin ato që prisja, bazuar në punën e bërë në këto muaj. Ishte kohë e shkurtër për pritur më shumë.

Kjo është stina e notit, janë përgatitur notarët tuaj për të garuar me sukses në pishinat 50 m?

Me këto kushte stërvitore që kanë skuadrat e notit në Shqipëri, kanë treguar se noti në Shqipëri ka bërë progres të madh gjatë këtyre 10 viteve. Por, duhet të vazhdojmë të përfaqësohemi siç duhet, që në fillimin e muajit qershor në Durrës, të japim më të mirën e vlerave tona.

Ku synon Tirana të arrijë rezultatet më të larta, në Takimin Ndërkombëtar i Notit, në Kampionatin Kombëtar i Fëmijëve, apo në Kampionatin Kombëtar të Rinj e të Rritur?

Ne përgatitemi, që në të gjitha veprimtaritë ku marrim pjesë, të arrijmë rezultatet tona më të mira, si individë dhe si skuadër, për meshkuj e femra. Këtë e kemi treguar në dy veprimtaritë e këtij viti në pishinën 25 m, por edhe në veprimtaritë Ndërkombëtare ku Tirana ka garuar me notarët e saj, në Dubrovnik.

E keni përbërjen e duhur që Tirana të jetë e suksesshme në të gjitha veprimtaritë e këtij viti?

Natyrisht që po. Notaret e Tiranës, në pjesën më të madhe janë kampionë dhe fitues në disa gara. Shumë shpejt, skuadra e Tiranës do ti zhvillojë seancat stërvitore në pishinë të hapur “Suimming Pool Tagan”. Unë mendoj së është luks të stërvitesh në të tillë ambient.

Ju i zhvilloni përgatitjet tuaja në pishinën 25 m tek shkolla “Nobel”, garanton ky ambient për rezultate të larta?

Notarët e Tiranës, aktualisht po stërviten në pishinën 25 m tek shkolla “Nobel”, ku edhe këtu kushtet janë të mira dhe gjithçka po funksionon siç duhet. Ku ka dëshirë për të punuar, ka edhe progres në rezultate, dhe nuk mendoj se kushtet infrastrukturore janë të këqija. Për ne, përgatitjet këtu janë normale.

Duke qenë se ju trajnoni notaren më të mirë të Shqipërisë, Nikol Merizaj, sa i nxit ajo notarët e tjerë te Tirana?

Nikol Merizaj, aktualisht është vërtet notarja më e mirë, e Tiranës dhe e Shqipërisë, për të rritura. Ajo ka një paraqitje të rregullt në stërvitje, por edhe jashtë saj, dhe prezenca e saj në skuadër është motiv i mirë për të gjithë. Nuk është e lehtë të kurosh detajet e saj, është notare me talent e eksperiencë, autodidakte, e mbi të gjitha, ka rezultatet më të mira në vend.

Në veprimtarinë e radhës (Kampionati Ndërkombëtar i Notit në Durrës, 8-10 qershor), cilat janë synimet e Tiranës, në individë dhe si ekip?

Të gjithë notarët e Tiranës kanë zhvilluar përgatitje shumë serioze për këtë Kampionat. Si nga Nikol Merizaj, ashtu edhe tek notarët e tjerë të Tiranës, unë si trajner pres që ata të shprehin vlerat e tyre në garë. Kemi një ekip me emra notarësh fitues, kështu do të shkojmë edhe në Durrës.

Trajneri për Nikol Merizaj: Prezenca e saj te Tirana, motiv i mirë për të gjithë

Duke qenë njëherësh edhe trajner i notares më të mirë shqiptare të kohës, Nikol Merizaj, trajneri Arian Fetishaj e vlerëson atë si një motiv për të gjithë notarët e kësaj skuadre. “Nikol Merizaj është notarja më e mirë e Tiranës, por edhe e Shqipërisë për të Rritura. Ajo ka një paraqitje të rregullt në stërvitje, dhe prezenca e saj në skuadër, është një motiv i mirë për të gjithë notarët e tjerë”, kështu theksoi trajneri Arian Fetishaj për notaren Merizaj, për të cilën kërkon që në Lojërat Mesdhetare në “Tarragona 2018”, të marrë maksimumin e rezultateve të saj. “Nikola është trajnuar në Greqi me trajnerë e skuadra të mëdha, dhe ka potencial të madh, duhet mbajtur afër. Në Lojërat Mesdhetare në Tarragona të Spanjës, Nikola duhet të marrë maksimumin e rezultateve të saj gjatë vitit 2018, dhe unë si trajner kam besim. Le të jenë këto lojëra një ogur i mirë për të dhe për gjithë karrierën e saj”, përfundoi trajneri Fetishaj në vlerësimin për notaren Merizaj.

REKORDET KOMBËTARE TË NIKOL MERIZAJ

KAMPIONATI KOMBËTAR, 21-22 PRILL 2018

100 m St. lirë   Rr        F          Nikol Merizaj  Tirana              58.20               58.99

100 m Mix       Rr        F          Nikol Merizaj  Tirana              1.00.98            Rek.Vjetër

50 m St. Lirë   Rr        F          Nikol Merizaj  Tirana              26.89               27.05

Notarët e Tiranës në Kampionatin Kombëtar

Femra (8): Nikol Merizaj, Julia Duda, Jona Mahmuti, Meri Xhufi, Juga Selimi, Uendi Gjilo, Bora Kulakshi, Ada Kulakshi.

Meshkuj (12): Keis Fetishaj, Stiven Xhufi, Endri Lumi, Bjorn Hoxha, Even Qarri, Laert Selimi, Barjon Kadi, Eno Kolici, Lidio Alimeri, Ernes Kondi, Skerdi Ziso, Albi Këlliçi.

Trajner: Arian Fetishaj