DETAJET/ Sulmi ndaj gazetares, policia e prokuroria flasin së bashku

40

Prokuroria dhe Policia e Shtetit kanë bërë një reagim të përbashkët rreth ngjarjës shumë të rëndë të një ditë më parë, ku persona akoma të paidentifikuar, sulmuan gazetaren Klodiana Lala.

Ja deklerata e plotë e Policisë dhe e Prokurorisë

Në lidhje me veprimet e kryera për ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 30 Gusht 2018, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Arif Lala, i ati i gazetares Klodiana Lala, informojmë se:

Në datë 30 gusht 2018, rreth orës 06.40 minuta, Policia e Tiranës u njoftua se në rrugën “Shkëndija”, fshati Bruk, Tiranë persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Arif Lala. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit. Për pasojë është dëmtuar fasada ballore dhe dera hyrëse e banesës.

Në momentin e sulmit, në banesë ishin prindërit e gazetares, vëllai, dy fëmijët e gazetares dhe dy miq të afërm të familjes. Personat brenda banesës nuk kanë pësuar dëmtime. Në lidhje me këtë ngjarje, menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor me ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nga ana e grupit hetimor janë kryer veprimet procedurale në vendin e ngjarjes si dhe janë kryer një sërë veprimesh me metoda speciale të hetimit për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor po vijon me intensitet maksimal veprimet hetimore dhe procedural, por për arsye hetimi nuk mund të bëjmë me dije të dhëna të tjera.