25-vjeçares i nxirren 106 kapsula kokaine nga stomaku

602
Sigal

Policia indiane ka njoftuar kryerjen me sukses të një operacioni antidrogë, që ndryshe nga ç’kemi parë e dëgjuar, ka pasur si përfundim nxjerrjen e 106 kapsulave me kokainë nga stomaku i një gruaje, që dyshohet se ishte përpjekur ta trafikonte lëndën narkotike në vend.

Gruaja, një 25-vjeçare me kombësi të huaj, u arrestua në aeroportin ndërkombëtar të kryeqytetit Delhi, më 14 maj, pas një informacioni të shërbimeve sekrete, bën të ditur policia.

Ajo raportohet t’i ketë kaluar javët në vijim në një spital, ku i janë dhënë pastrues për të rikuperuar kapsulat e kokainës nga trupi i saj.

Lënda narkotike përllogaritet të kapë shifrat e 50 milionë rupive, apo rreth 734 mijë dollarëve.

Policia beson se gruaja i kishte kapërdirë kapsulat në Sao Paulo të Brazilit, e më pas kishte marrë udhëzime për t’i dërguar ato drejt një shtetasi nigerian, në Delhi të Indisë.

Zyrtarë të Departamentit të Narkotikëve i thanë gazetës “Hindustan Times” se ky ishte numri më i madh i kapsulave të kokainës të nxjerra ndonjëherë nga trupi i një personi.

Sipas tyre, lënda narkotike ishte kokainë e një cilësie të lartë nga Kolumbia, ndryshe nga ç’ndodh zakonisht në raste të ngjashme kur rikuperohet drogë e cilësisë së ulët. Policia është vënë tashmë në kërkim të nigerianit, të cilit ajo supozohet se do t’ia dorëzonte këtë sasi narkotikësh.