Zaptohen 30 mijë metra katrore tokë, bllokohet rruga që lidh tre fshatra

    412
    Objektet me leje por edhe pa leje janë kthyer në shqetësim serioz tashmë jo vetëm për banorët e Elbasanit, por edhe të komunave dhe fshatrat e tyre. Shpesh në komunat e këtij qarku, objektet pa leje kanë bllokuar akse rrugore, rrugica e fusha të mbjella, duke penguar banorët të kryejnë punimet në tokat e tyre të mbjella me kultura të ndryshme. Konkretisht, në Labinot-Fushë, një komunë e cila ndodhet jo më larg se 4 km larg Elbasanit, muajt e fundit ka nisur dhe nuk po shuhet një debat i kthyer shpesh në sherr mes banorëve dhe krerëve të kësaj komune. Eshtë fjala për një ndërtim të ngritur fillimisht si kioskë, në një parcelë toke e cila sa vinte e zgjerohej, dhe pastaj muaj pas muaji duke u rritur e duke u kthyer në rrjet magazinash, duke bllokuar një aks tepër të rëndësishëm që kryen lidhjen e lagjeve të fshatit, dhe daljen e banorëve drejt bregut të Shkumbinit. Banorët e Labinotit shprehen se “objekti na ka bllokuar rrugën, na ka bllokuar ujin për vaditje pasi nuk kemi si të shtrijmë tubacionet e pompimit në Shkumbin, kurse komuna dhe KRRT e saj ngrejnë supet ose bëjnë sikur japin ultimatume pronarëve të objektit”. Prej disa muajsh objekti pothuajse e ka bllokuar rrugën kryesore drejt lagjeve të fshatit, dhe banorët janë të detyruar të bëjnë rreth 2.5 km gjatësi rruge për të vajtur tek njëri-tjetri. Ata shpesh i janë drejtuar INUV të Bashkisë, e cila është treguar totalisht e paangazhuar për të nisur verifikimin dhe prishjen e objektit i cili sipas tyre nuk ka as leje ndërtimi. Banorët e Labinotit apelojnë pranë “Telegraf” për të bërë publikë shqetësimin e tyre, për të shprehur zemërimin dhe për të deklaruar se “në 21 qershor të mos vijë asnjë deputet dhe kandidat për të kërkuar votat e tona pa zgjidhur problemin që kemi prej kohësh, pasi ndjehemi si të izoluar”. Komuna e Labinot-Fushës mbetet një ndër komunat e prekura nga epidemia e ndërtimeve pa leje, kaosi dhe mungesa e respektimit të ligjit urbanistik, pasi ajo shtrihet në pjesën më të mirë të saj në rrugën nacionale Elbasan – Librazhd. Lidhur me objektin në fjalë, shqetësime kanë shfaqur edhe mjaft aktivitete private pranë saj, që kanë nevojë për rrugën e dikurshme. Në zyrat e komunës së Labinotit nuk të sqaron njeri lidhur me shqetësimin e banorëve, apo me objektin, duke u shprehur se “ka kohë që merremi me këtë problem, do ta zgjidhim ligjërisht”. Por duket se zgjidhja ligjore mbetet e largët, përsa kohë në këtë komunë nuk të japin as dosjen e arkivuar në KRRT e saj, por të përgjigjen “takoni pronarin e tokës, atë që e ka shitur atë tek pala e tretë”. Ky është funksionimi i mangët ligjor dhe institucional në shumicën e komunave tona në gjithë këto vite, të cilat duke përfituar nga mungesa e kontrollit kanë lejuar dhe stimuluar katrahurën me objektet me dhe pa leje, duke krijuar shpesh situata të rrezikshme dhe përplasje fatale edhe mes vetë banorëve. Objektet e ngritura edhe në komuna, kanë shkelur ligjin e urbanistikës, kanë tjetërsuar projektet fillestare të dorëzuara në KRRT, duke abuzuar dhe krijuar konflikte jo vetëm institucionale por edhe fizike me banorët rreth tyre. Të paktën në komunën e Labinot-Fushës, numurohen me dhjetra raste të tilla, që deri sot nuk kanë marrë një zgjidhje të vërtetë ligjore, dhe që janë kthyer në “mollë sherri” mes palëve, kurse shteti bën sehirxhiun. 
    ‘Në Labinot-Fushë, një komunë e cila ndodhet jo më larg se 4 km larg Elbasanit, muajt e fundit ka nisur dhe nuk po shuhet një debat i kthyer shpesh në sherr mes banorëve dhe krerëve të kësaj komune. Eshtë fjala për një ndërtim të ngritur fillimisht si kioskë, në një parcelë toke e cila sa vinte e zgjerohej, dhe pastaj muaj pas muaji duke u rritur e duke u kthyer në rrjet magazinash, duke bllokuar një aks tepër të rëndësishëm që kryen lidhjen e lagjeve të fshatit, dhe daljen e banorëve drejt bregut të Shkumbinit. Banorët e Labinotit shprehen se “objekti na ka bllokuar rrugën, na ka bllokuar ujin për vaditje pasi nuk kemi si të shtrijmë tubacionet e pompimit në Shkumbin, kurse komuna dhe KRRT e saj ngrejnë supet ose bëjnë sikur japin ultimatume pronarëve të objektit’
    Sigal