Zabit Hida/ Kuvendi i madh i Rinisë Shqiptare në Helmës të Skraparit

990
Më kujtohet se në fund korrikut 1944, forcat partizane të Brigadës VI S ndodheshin në Vërzhezhë të Skraparit, aty në qafën e Kulmakut. Në atë periudhë unë isha korrier partizan pranë shokut Haki Toska, ish komisar i Brigadës VI S. Në 4 gusht u mblodhën të pesë batalionet e Brigadës VI S: batalioni I Asim Zeneli, batalioni II Abas Shehu, batalioni III Baba Abaz, batalioni IV Naim Frashëri dhe batalioni V Zaho Koka. Në këtë mbledhje erdhi i deleguar nga Shtabi i Përgjithshëm UNÇL Myslim Peza, i cili para 1600 forcave partizane lexoi urdhrin e Enver Hoxhës për krijimin e divizionit II me tre brigada partizane me komandant Tahir Kadare dhe komisar Kisto Themelko. Në këte ngjarje historike kishin ardhur disa përfaqësues nga Brigada VII dhe e VIII S, pasi forcat e tyre ishin angazhuar në luftime kundër nazisto – ballistëve në afërsi të Beratit, i cili akoma nuk ishte çliruar. Para gjithë efektivit i deleguari tha se në Kongresin e Përmetit më 24 maj 1944 u vendos që çdo kuadër i formacionit të luftimit do të gradohej sipas rangut, komanda e kompanisë do të mbanin gradën e nën togerit. Atë ditë, gradimi i dy kuadrove të rinj nga krahina ime Hidajet Hida dhe Arif Bizhga, si komandant e komisar në një kompani, me gradën e nëntogerit, ishte një vlerësim i aftësive të tyre organizuse e drejtues si dhe për trimëritë dhe guximin që ata kishin treguar në betejat e zhvilluara kundër armikut. Shtabi i brigadës VI S ishte vendosur në shtëpinë e patriotit Hysen Hysi nga Verzhezha dhe atë natë një grup partizanësh bien të plagosur birin e kësaj familje Neshat Hysi, me detyrë zv/ komandant i brigadës VII S, i cili ishte plagosur gjatë drejtimit të luftimeve në zonën e Beratit. Meqënëse rruga për spitalin partizan kalonte nga shtepia e tij, atë e prunë në shtëpi, u takua me familjen dhe shokët e nisen për në spitalin partizan. Në mbrëmjes erdhi nje fonogram nga shtabi i përgjithshëm i UNÇ se, më 8 gusht në orën 10: 00 në Lirzë do të mbahet kongresi I BRASH. Sekretari i administratës të brigadës shoku Siri Çarçani, i cli drejtonte teknikën e shkrimit, mori urdhër nga shoku Haki Toska që të përpilonte një lajmërim për të gjithë komisarët e batalioneve me këtë përmbajtje: “Të gjithë përgjegjësat e rinisë në çdo kompani, në datën 6 gusht do të nisen për të marrë pjesë në kongresin e rinisë që do të zhvllohet në Helmës. 

Korrieri i brigadës
Në fund të korrikut 1944, unë u caktova korrier pranë shtabit të Brigadës VI S dhe detyra ime kryesore ishte të siguroja lidhjen ndërmjet komisarit të brigadës me administratën, e cila përbëhej prej 40 vetash. Pothuajse çdo ditë unë merrja e shpërndaja urdhërat që më jepte komanda. Si korrier e shpërndava këtë urdhër duke ju dorëzuar zarfat të pesë komisarëve të batalioneve. Të nesërmen pjesëmarrësit në kongres u grumbulluam të gjithë dhe me në krye shokun Haki Toska u nisëm nga Vezhezha për në Therepel. Me këtë grup delegatësh, të cilët ishin sekretarët e rinisë në kompani, batalion e lart, erdhën këta shokë: Rexhep Kalemi, Laze Aliu, Drita Galanxhi, Shero Pogaçe, Nustret Osmani, Liri Duka Toska, Haxho Kuka, Shpresa Mamaqi, Bato Karafili, Sadete Selimi, Zemo Baboçi, Lola Lula Bashari, Faik Lame Bisha, Hazbie Luçi, Thanas Marku, Parashqevi Llukani Shehu, Seit Lesko, Diftir Saraçi, Mejdi Haxhiu, Bibo Gjoliku, Sabo Çiraku, Asllan Veizi, Rami Makashi, Vito Marku, Hamit Bime, Eqerem Tushe, Ymer Çingo, Muço Bllaca dhe Selo Llaci. Ata udhëtuan gjithë natën dhe në mëngjesin e datës 7 gusht mbrritën në vendin ku do të zhvillonte punimet kongresi i parë i rinisë. 
Delegatë nga Plesati dhe Kardhiqi
Aty u takuam me shumë shokë dhe shoqe të tjerë delegatë të moshave të ndryshme, e të ftuar nga shumë krahina të Shqipërisë. Atë ditë unë takova shumë delegatë të ardhur nga krahina ime, nga fshatrat e Kardhiqit si Xhezo Makashi, Fetah Burba, Nimet Veliu, Ali Daci, Nase Guga, Zilfo Latifi, Ali Proda, Mezin Shehu, Bebi Hida, Xhevo Pogaçi, Abas Zholi, Ferik Hila dhe Fejzo Golemi, të cilët ishin pjesë e forcave territoriale, agjitatorë dhe mbeshtetës të LNÇ. Shumë nga delegatët e kongresit ishin të rinj antifashistë. Kështu quheshin të rinjtë në fillim të vitit 1943, si ata të terrenit dhe ata në ushtrinë partizane, por kishte dhe të rinj komunistë në fshat dhe në qytet dhe në radhët e ushtrisë partizane. Sigurisht ata që ishin më aktivë, më të rritur e që kishin dhënë prova guximi e trimërie, këta të rinj komunistë ishin ilegalë sepse edhe PKSH ishte ilegale, të rinjtë antifashistë nuk dinin se kishte të rinj komunistë. Në kongresin ë parë të rinisë në Helmës morën pjesë të rinj nga e gjithë Shqipëria dhe u quajt BRASH, ndërsa në mesin e vitit 1949 u bë mbledhja e rinisë në qytetin e Shkodrës dhe u quajt kongresi i unifikimit, këtu u bë shkrirja e të dy organizatave dhe e mori emrin rinia e punës, gjithashtu në vitin 1948 në kongresin e saj të parë partia komuniste e mori emrin PPSH. Në Helmës mbritëm 2 ditë para se të fillonte punimet kongresi dhe pamë se po grumbulloheshin delegatët partizanë nga repartet partizane dhe nga të gjitha krahinat e qytetet e çliruara të vendit, nga e gjithë Shqipëria. Por delegatë kishin ardhur edhe nga shumë zona të paçliruara, këtu dua të përmend delegacionin e Shkodrës, i cili ishte i veçantë.

 Ai përbëhej nga 25 të rinj me shokun Ramiz Alia, që erdhën në Helmës në 7 gusht. Ne u takuam me shumë delegatë dhe biseduam gjerë e gjatë për hallet e vendit, për luftën partizane. Më shumë përshtypje na bënë bisedat me delegatët e Shkodrës, të cilët na treguan se ishin nisur nga Shkodra më 5 gusht me një autobus transporti civil, gjoja për në Vlorë. Të gjithë ishin veshur si pasanikë dhe me dokumenta fallco. Ata ishin kontrolluar në çdo postobllok që kishin organizuar forcat gjermane në Lezhë dhe në urën mbi lumin Mat. Pasi kaluan Tiranën, Durrësin, Beratin, arritën në zonën e Skraparit. Në afërsi të Helmësit, aty ku do të mbahej kongresi i parë i rinisë, ne i pritëm këta delegatë dhe i shoqëruam deri në afërsi të Lirzës. Në 7 gusht në mbrëmje vonë kur ishin grumbulluar të gjithë delegatët, mes gëzimit e haresë u ndezën zjarret partizane dhe nisëm të këndonim këngë patriotike, revolucionare dhe këngë të krahinave nga kishin ardhur delegatët. Kudo mbizotëronte optimizmi, dita e lirisë po afronte, rreth 34 e vendit ndodheshin të çliruara, ndërsa disa qytete ishin të pa çliruara si Gjirokastra e cila komunikonte vetëm nga Kakavia me Greqinë dhe forcat e armikut kishin nën kontroll vetëm kalanë dhe rrugën automobilistike, ndërsa të gjitha zonat malore në jug te vendit ishin te çliruara. Delegatët e ardhur nga Shkodra na thoshnin se do të qëndrojmë e do të luftojmë bashkë me ju, e pasi të mbarojnë punimet e kongresit do të shkojmë në radhët e partizanëve. Ata të ardhur nga krahina të ndryshme të vendit, u shpërndanë në repartet partizane dhe luftuan deri në çlirimin e plotë të vendit. Në ato ditë të zjarrta kur lufta vazhdonte dhe ajka e djalërisë shqiptare e kishte vënë jetën në rrezik, mora vesh se një delegat i kongresit i ardhur nga Shkodra Ramiz Alia, u caktua sekretar i rinisë në brigaden VII S. Pas pak kohë falë talentit, aktivitetit luftarak dhe aftësive që kishte, Ramiz Alia u bë zv/komisar i brigadës VII S dhe kur kjo brigadë luftonte jashtë atdheut në Malin e Zi, ai u emërua komisar i kësaj brigade dhe mbas 6 muaj u gradua kolonel. 

Përshëndetja e Enver Hoxhës
Desha të përmend meritën e veçantë të shokut Enver për organizimin e këtij kongresi. Në kuvendin e parë të rinisë shqiptare, delegatë e të ftuar bëheshim 2000 vetë. Në fushën e bukur të Lirzës, zunë vend udhëheqësit kryesorë të partisë dhe rinisë komuniste. Punimet e kongresit i çeli Nako Spirua udhëheqësi kryesor i rinisë. Ai kishte zënë vendin e shokut Qemal Stafa i cili kishte rënë heroikisht më 5 maj 1942. Nakua foli për luftën e popullit tonë, pjesëmarrjen masive dhe kontributin e rinisë në LANÇ që në atë kohë rinia përbënte 80 % të ushtrisë partizane. Mes entuziazmit, duartrokitjeve e brohoritjeve të delegatëve dhe popullit të zonës, fjalën e mori Enver Hoxha që vuri në dukje arritjet dhe fitoret e Partisë dhe Rinisë. Ai foli me hollësi për detyrat që dilnin përpara rinisë për çlirimin e plotë të Shqipërise dhe ndërtimin e jetës së re. Fjala e udhëheqësit bëri jehonë të madhe në popull dhe në radhët e rinisë shqiptare, ajo iu ndezi zemrat, iu dha forcë e shpresë për të ardhmen, bijtë dhe bijat e popullit të varfër u ngritën në këmbë, vërshuan në rreshtat partizane, rritën e fuqizuan UNÇ dhe goditën pa mëshirë pushtuesin e huaj. Atëhere ishim 16 – 17 vjeçarë, veshëm uniformën e partizanit dhe me dashurinë për popullin e për Atdheun u rritëm në beteja. Ne partizanët jemi krenarë që bëmë luftën e shkruam historinë me grykën e pushkës dhe me gjakun e 28 mijë dëshmorëve. Sa të rrojmë do ta kujtojmë dhe do ta nderojmë atë kohë të lavdishme të kombit tonë.
Sigal