Xhevair Lleshi:“FORMULARI I GJALLESËS”/Skandal me pensionistët, duhet të mbushin në bankë formularin që janë gjallë, ndryshe ISS

    615
    Sigal

    Është diçka e çuditshme dhe e allasojtë kjo që ka ndodhur dhe natyrisht ndodh ende. Me gjithë emrin që tingëllon si biologjik nga ato të teksteve shkollore: gjallesë. E pra, çdo pensionist duhet të paraqitet në Bankën e nivelit të dytë për të mbushur “formularin që është gjallë”, sepse përndryshe Instituti i Sigurimeve ia pret pensionin qytetarit. Kërcënim? Ndoshta. Por edhe sikur të mos qe një kërcënim real ky “formular” dhe detyrim për t’u paraqitur në dyert e bankës është një fyerje e rëndë për qytetarin hallexhi dhe jo hallexhi, të ndershëm dhe jo të ndershëm. Për këdo. Në dukje s’ka ndonjë gjë të keqe, por thika në asht i futet pensionistit, i cili, veç që ditët i ka të numëruara, i duhet të përballet edhe me këtë lloj presioni të ububushëm do të thoshte dikush. Kuje e zezë! E pse? Sepse dikush nuk i kryen detyrat e veta. Kur vdes një qytetar pensionist s’ka nevojë ta hedhë firmën diku që është gjallë, sepse ai ka vdekur dhe ajo, vdekja, nuk ia merr dorën askujt, kurse administrata e minibashkisë (komunës, bashkisë) dhe ajo e sigurimeve shoqërore nuk kryejnë dot një detyrim shkresor për ta çuar emrin e vdekur në bankë apo në pikat e shpërndarjes së pensioneve. Mirëpo ka edhe një tallje edhe më të keqe. Nëpunësi i pensioneve ose ai i bankës të pyet sy ndër sy “a je gjallë ti?” Me një paturpësi anakronike. Pse është e tillë? Ja, le të tregojmë pak histori me dy personazhe tejet të njohur. Konfuci i Kinës së lashtë shkruante se marrëveshja e parë midis njerëzve ishte ajo midis pushtetit (administratës) ose e thënë ndryshe e nëpunësit civil me nënshtetasin. I pari ka për detyrë të kryejë detyrën mirë dhe i dyti ka për detyrë të bindet. Nëse i pari nuk e kryen detyrën si duhet atëherë ai dënohet me nenin më të rëndë që parashikon ligji. Dhe këtu përfshihet përçmimi ndaj nënshtetasve, tallja, sjellja vulgare, injorimi etj. Dhe Kinës së lashtë perandorake i duheshin 11 vjet për t’i shkolluar nëpunësit e saj civilë sipas frymës së Konfucit dhe kjo vijoi për dhjetëra e dhjetëra shekuj me radhë. Po të kishim gjallë marrëveshjet e përmbledhura në filozofinë dhe “fenë” konfuciane atëherë i bie që nëpunësit urdhërues civilë të këtij farë urdhri do të gjenin vendin, pasi fyerja e tyre ndaj qytetarit është kapitale. Ose le të marrim babanë e sigurimeve shoqërore në botë, hijerëndin dhe ai që na ka quajtur “shprehje gjeografike”, Oto Bismarkun, kancelarin e parë të Gjermanisë. Në udhëzimet e dhëna për ndarjen e pensioneve qytetarëve, shkruan ai në përshëndetjen e parë njerëzore, me rastin e vendosjes së pensioneve të para në botë të punonjësve, duhet ta prisni të qeshur, njerëzishëm, plot edukatë dhe ta përcillni me mirësjellje. Sepse aty, tek figura e njeriut që merr një pagë simbolike pleqërie është sintetizuar pika e djersës së lodhjes dhe mundimit. Të duket se mund të silleshin si shembuj edhe talljet plot mirësi fjale të Enver Hoxhës e të Benito Musolinit, por ia vlen edhe kaq sa thamë. Pa përmendur asnjeri edhe nga politika e sotme, pasi dikush do të bërtiste me të madhe sa fajin e ka Saliu! Më tepër se kaq problemi është veçse psikologjik. T’ia kërkosh këtë formular një pensionisti, qoftë 65-vjeçar, qoftë edhe 85 vjeçar, është një sjellje e rëndë, arrogante, e ligë dhe një ironi e zbrazët e atyre që të krishterët i cilësojnë me të drejtë me shprehjen: “fali Zot se s’dijnë ç’ka bajnë!” Kur djali ose vajza e dhunon prindin me shprehjen e njohur fyese sipas tipit madje edhe duke përdredhur fytyrën, kjo është sigurisht e rëndë. Po edhe kur i dhurohet një buzëqeshje zemra e prindit gufon nga kënaqësia. Kështu ndodh në gjithë marrëdhënien njerëzore, e cila i mbetet marrëveshjes së trashëguar kombëtare, të një vendi. Ka ndodhur diçka e rëndë në këtë mes, është akullimi që Instituti i Sigurimeve Shoqërore  ka urdhëruar pensionistin qytetar të paraqitet njëlloj si dukur i internuari nën diktaturën e Hoxhës në këshill a në polici. Është po ajo që shkruan Visar Zhiti në “Ferrin” e tij për paraqitjet dhe apelin e gjithnjëshëm. Prandaj dhe psikologjikisht ky apel i pensionistëve kthehet në gjëmë, kthehet në mbajtje nën arrest të mendimit të gjallesës. Sepse edhe po nuk e pate ndër mend ta kujton shteti, ta kujton alias Sigurimi Institut! Fjala e mirë dhe e bukur ka shëruar miliarda zemra dhe ka përmirësuar kudo në botë punën e kushedi sa instituteve, qoftë edhe të Sigurimeve. Dhe kjo fjalë e ëmbël nuk ka të bëjë me buzëqeshjet e çupkave nëpunëse, por me atë që nuk duhet firmosur, jo si rebelim ndaj vdekjes, por si rebelim ndaj sjelljes brutale e të përçmuar të atyre që nuk e njohin fare njeriun në botën e tij. Na bëhet të lëshojmë një britmë të fortë: Poshtë formulari i qelbur i gjallesës! Askush nuk duhet ta firmos këtë mosbesim institucional e gati të kobshëm!