Vazhdojnë skandalet dhe vjedhjet e karburanteve. Kozeta Mesiti po bën “avokaten e djallit”

    716
    Sigal

    Metrologjia publikon detajet, por jo emrat e abuzuesve me naftën

    Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë publikoi në faqen e saj zyrtare rezultatet e kontrollit të pikave të karburantit. Por, çuditërisht, prapë nuk jep emra konkretë. Drejtoresha e Metrologjisë fshihet pas Ligjit nr. 10433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, neni 9 “Parimi i informimit të publikut dhe mbrojtjes së konfidencialitetit”. Ky ligj, i bërë nga zv/ministri i Ekonomisë Enno Bozdo dhe me “bekimin” e Bankës Botërore, sipas denoncimit publik të bërë nga kreu i ZMK-së Altin Goxhaj, është bërë me qëllim mbrojtjen e hajdutëve. Po në emër të këtij ligji, drejtoresha e Metrologjisë, znj.Kozeta Mesiti mbron hajdutët e konsumatorit shqiptar duke bërë kështu “avokaten e djallit”. Ndërkohë që, misioni i kësaj drejtorie është, por nuk zbatohet, në mbrojtje të konsumatorëve, nëpërmjet kontrollit metrologjik ligjor të instrumenteve matëse. Në njoftimin e bërë publik, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë bën me dije se gjatë aksionit të inspektimit është vënë re se: 11 % e pistoletave/dhënësve të karburantit ishin jashtë afatit ligjor të verifikimit. Për të gjitha këto raste, DPM mori masa duke bërë bllokimin e këtyre pistoletave/dhënësve të karburantit dhe duke lënë afat kohor për realizimin e verifikimit të detyruar. Në total u mor masa me gjobë për 14 subjekte tregtare, por vetëm 6 prej tyre për përdorim instrumenti matës të pasaktë që jep sasi karburanti me vlerë poshtë tolerancës ligjore. Masa me gjobë merret edhe kur vetëm një pistoletë/dhënës karburanti jep sasi nën tolerancë, megjithëse pistoletat/dhënësat e tjerë në përdorim tek e njëjta pikë tregtare mund të jenë brenda tolerancës ligjore dhe mund të vazhdojnë aktivitetin tregtar normalisht. Në të gjitha këto raste është vendosur gjoba maksimale prej 750 000 lekë për çdo subjekt, pra një vlerë totale prej 10 500 000 lekë (të reja). Ndërkohë 8 subjektet tregtare të tjera janë gjobitur për mos kryerjen e detyrimit ligjor të verifikimit periodik të instrumenteve matës, për prishje të vulave dhe shenjave të DPM-së, apo për mosvënie në dispozicion të inspektorëve të dokumentacionit përkatës.

    Në lidhje me publikimin e emrave të subjekteve tregtare Drejtoria e Metrologjisë bën të ditur se:

    Në zbatim të Ligjit nr. 10433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, neni 9, Parimi i informimit të publikut dhe mbrojtjes së konfidencialitetit:

    1. Inspektorati informon publikun për konstatimet dhe masat e marra gjatë procedimit administrativ të inspektimit, nëse kjo është e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të personave fizikë e juridikë.

    2. Informimi, sipas parimit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, bëhet në bazë dhe brenda kufijve të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të dhënave që lidhen me veprimtarinë tregtare, apo profesionale të subjektit të inspektimit apo personave të tjerë.

    Për më tepër, një subjekt tregtar mund të ketë disa pika tregtimi karburanti me pakicë, shpesh të shtrira në gjithë territorin e vendit tonë. Secila pikë tregtimi me pakicë ka në përdorim disa pistoleta/dhënësa karburanti. Gjatë inspektimeve metrologjike në gjithë territorin e vendit ka rezultuar se vetëm 1 ose disa pistoleta/dhënës karburanti në një pikë tregtimi me pakicë të japë sasi jashtë tolerancave ligjore, ndërkohë që në të gjitha pikat e tjera të tregtimit me pakicë të po të njëjtit subjekt tregtar pistoletat/dhënësat kanë qenë plotësisht konform me ligjin. Publikimi i emrit të subjektit tregtar që zotëron pikën me pakicë të tregtimit të karburantit ku ndodhet pistoleta/dhënësi jokonform për sasinë, do i shkaktonte këtij subjekti tregtar një dëm në terma imazhi dhe konkurrence, jo vetëm për pikën me pakicë konkrete, por për gjithë aktivitetin e tij tregtar në territorin e vendit.

    ZMK: Legjislacioni në mbrojtje të konsumatorit, i dështuar

    Në fakt ky legjislacion për mbrojtjen e konsumatorëve ka dështuar plotësisht në edukimin e biznesit dhe thjesht ka mbrojtur një abuzim prej qindra miliona eurosh çdo vit, një pjesë e të cilave kanë përfunduar në fitimin e aksionerëve të huaj, çka e ka kthyer procesin e konsulencës së huaj thjesht në një koperturë të huaj të abuzimit miliarder ndaj shqiptarëve jashtë Shqipërisë në radhë të parë, por edhe të abuzuesve shqiptarë!

    Ja detajet për abuzuesit

    Komunë e Shkodrës – Nuk ka istrumenta të verifikuar dhe dokumentacion përkatës-750 000 Lekë gjobë

    Fier-Subjekti ka dëmtuar vulat e DPM-së-750 000 Lekë gjobë

    Rruga Korçë-Bilisht-Subjekti ka dëmtuar vulat e DPM-së-750 000 Lekë gjobë

    Tiranë- Subjekti ka ndërhyrë në instrument mates duke prishur shënjat e verifikimit-750 000 Lekë gjobë

    Komunë e Tiranës- Subjekti ka dëmtuar vulat e DPM-së-750 000 Lekë gjobë

    Tiranë-Pistoletat japin mangut. Per matje në 20 L japin 180 ml mangut dhe në 50 L japin 350 ml mangut-750 000 Lekë gjobë

    Rruga Prenjas-Pogradec-Nuk ka asnje dokument perkates dhe se vulat e kalibrimit nuk ekzistojnë-750 000 Lekë gjobë

    Komunë e Kavajës-Tek kontrolli i pistoletave te benzinës rezultati në dy matje 20 L eshte 19.88 L (pra -20 ml për 20 L nga tolerance ligjore) dhe 19.86 L (pra -40 ml për 20 L nga tolerance ligjore)-750 000 Lekë  gjobë

    Komunë e Kavajës-Nga 20 L të marra, në peshëmatje rezultoi 19.76 L.-750 000 Lekë gjobë

    Komunë e Durrësit-Dhënesi i karburantit për 20 L jep sasi karburanti 19.76 L që është jashtë tolerancave ligjore-750 000 Lekë gjobë

    Komunë e Kavajës-Matje per 20 L jep sasi karburanti19.73 L.-750 000 Lekë gjobë

    Elbasan-Nuk ka asnje istrument të verifikuar dhe dokumentacion përkatës-750 000 Lekë gjobë

    Komunë e Tiranës-Në kontrollin e  ushtruar per sasi dhenien, instrumenti mates rezultoi jashte parametrave ligjor te lejuar. Ne 20 L jep -350 ml.-750 000 Lekë gjobë

    Lezhë-Nuk ka istrumenta të verifikuar dhe dokumentacion përkatës-750 000 Lekë gjobë