Turizmi shqiptar 2013, i çorganizuar

    377
    Sigal

    Shqipëria, turizëm popullor me çmime elitare

    Sezoni turistik i vitit 2013, kaloi me shumë dhimbje… Në atë sezon u “dorëzua” jo vetëm shteti, por edhe, Bashkia, qyteti, komuna, por edhe individët e biznesit turistik merren me bilancet. Iku dhe një sezon pa u kuptuar. U prit me ankth, u largua me zhgënjim ai sezon turistik. Ndoshta muaji i Ramazanit ishte një muaj i papërshtatshëm, ndoshta, zgjedhjet ftohën turistët, por ajo që duhet thënë me gjuhën dhe sytë e së vërtetës është se ai vit ishte i “thatë” për turizmin shqiptar. Vetëm 15- ditëshi i dytë i korrikut dhe 15 ditëshi i parë i gushtit mund të themi se zgjuan disi parashikimet e biznesit turistik, ndërsa  muajt qershor, korrik, do mbahen mend si etja e madhe për të parë turistë.

    Pse ky turizëm?

    Të metat janë të shumta, Një shtet i paorganizuar, një strategji e papërgatitur. Çdo gjë fillon nga reklama. Përveç TV Klan qeveria shqiptare nuk bëri asnjë reklamë tjetër në televizione për të thithur turistë. E vakët deri në heshtje të plotë, puna dhe reklama e qeverisë. Ne jemi ndoshta i vetmi vend në botë pa një guidë turistike të unifikuar, apo të orientuar. Tek tuk gjen ndonjë përpjekje sporadike të individëve që botojnë me iniciativat e tyre guida turistike, për qendra, qytete, komuna të posaçme. Ministria e Turizmit gjatë gjithë vitit ka qenë në gjumë letargjik. Edhe iniciativat e punonjësve të specializuar me botime specifike për turizmin për arsye xhelozie nuk i ka përkrahur, përkundrazi i ka luftuar. Një Drejtori turizmi pa plan vjetor, pa program tremujor, mujor, apo 15 ditor. Një Drejtori që kurrë nuk u pa në media për të bërë prezent turizmin shqiptar si për të huajt po ashtu dhe për vendasit. Informacioni për turizmin shqiptar është individual, lokal, deri krahinor dhe i pa sistemuar.

    Programet vjetore

    Ato janë çelësi i suksesit të turizmit në çdo vend. Ky program përcakton vendet e turizmit detar, malor, fushor, etj…Përcakton muajt e pushimit për çdo krahinë apo qytet. Përcakton numrin e shtretërve, rrugët nacionale lidhëse, rrugët dytësore për mbërritjen në destinacion, gatimin, shërbimin, çmimet. Kohëzgjatjen e çdo lloj turizmi, kushtet çlodhëse, mjekësore, kapacitetet, programet kulturore artistike, teatër, filma, ndeshje miqësore, banda instrumentiste lëvizëse, etj.. A janë parë këto në ministrinë përkatëse të shtetit shqiptar? Po në Bashkitë apo komunat që janë vende turistike? Aspak, madje mund të themi me bindje të plotë se askush në administratën shtetërore, apo në bashkitë, se kanë idenë e këtyre planizimeve, apo programimeve vjetore. Vetëm me programe të tilla turizmi mund të jetë rezultativ.

    Çmimet

    Rastësisht këtë vit kam takuar shumë miq të mi që kishin shkuar me pushime në Greqi dhe konkretisht në Korfuz dhe në ishullin e Santorinit. Çmimet që ata më afruan ishin befasuese. P.sh në Santorini në një hotel me tre yje, një person, fjetjen me gjithë ushqimin ditor e kishte 28 euro në ditë (pra me tre vakte). Në Korfuz në të njëjtat kushte ishte deri në 30 euro në ditë. Po tek ne çmimet ishin “çmendur nga vapa”. Dhërmiu më i shtrenjti, ku çmimet në të njëjtat kushte me Santorinin (këtu në mos më mirë) ishin deri në 40 euro dita pa ushqim. Cili ishte rezultati? I paparë. Greqia më 2013-n kishte një rritje të jashtëzakonshme të turizmit, madje, të themi deri në 40 për qind më shumë se 2012. Vetë bizneset greke kanë qenë të interesuara dhe të ndërgjegjësuara se rritja e çmimeve nuk ishte në interesin e tyre. Sa më lartë çmimet aq më pak turistë. Tendenca e turizmit është të ketë shtrirje kohe dhe çmime të arsyeshme dhe jo turizëm i kufizuar me çmime marramendëse. Këtë, grekët e kuptuan në kohë dhe ndreqën gabimet e së kaluarës dhe rezultati erdhi vetiu. Në Dhërmi në kulmin e sezonit çmimet ishin si në hotelet me 5 yje në Turqi. Kjo vjen edhe për mosnjohje të realitetit turistik të fqinjëve, por edhe mospasje të eksperiencës së madhe në këtë fushë.

    Aktivitetet

    Sipas bisedës me shumë miq që pushuan më 2013 në Korfuz , theksuan se aty çdo ditë kishte, teatër, opera, vizita në qendra monumentesh, xhonglerë, banda lëvizëse, ndriçim i gjithanshëm, promovime, ekspozita nga më të ndryshmet, koncerte të hapura, cirqe lëvizës, shëtitje të organizuara. Dhe Korfuzi është 16 km larg Sarandës. A janë parë organizime të tilla në Sarandë në këto 23 vjet. As që imagjinohen. Kjo bën që sarandjotët të shkojnë në Korfuz për pushime, durrsakët dhe tiranasit në Sarandë. Ky është turizmi ynë. Kur Saranda ka vende të paimagjinueshme për të vizituar si Butrintin e famshëm, Syrin e Kaltër, Kalanë, Finiqin, Dyzet Shenjtorët, Ksamilin. Po kush duhet t’i organizojë? Po kështu mund të flitet për Durrësin, Shëngjinin, Vlorën, Himarën, etj.. Në Shqipëri ende nuk ka një turizëm të orientuar, sistemuar dhe të ndarë. Turizmi në botë ndahet në turizëm elitar dhe në turizëm popullor. Në Shqipëri ende nuk kemi arritur në fazën e turizmit elitar, pasi ai ka kushte shumë specifike, si fusha tenisi, ambiente çlodhëse, argëtuese, sipërfaqe të gjelbra. Deri sa të arrijmë në këtë lloj turizmi ne duhet të forcojmë turizmin popullor dhe jo të bëjmë një turizëm popullor me çmime elitare.