Trofeu i Kupës/ Përplasja Juve-Lazio, Allegri: E presim prej 20 vjetësh

    374
    Për herë të parë pas plot 20 vjetësh klubi i Juventusit ka shansin e artë për të fituar brenda një sezoni të vetëm si titullin kampion ashtu edhe Kupën e Italisë. Në filim të sezonit sidomos pas rrokadës së çuditshme Conte-Allegri, ndryshim tepër i kontestuar madje edhe nga vetë tifozët, një arritje e tillë dukej e pamundur megjithatë për të kompletuar diçka të tillë bardhezinjtë duhet të fitojnë ndaj Lazios në finale, në një ndeshje që parashikohet të jetë tepër e fortë edhe për shkak se takimi përmbyllës i kupës do të luhet në Stadiumin Olimpico, që konsiderohet si fushë neutral, por në fakt sic dihet kjo arenë gjigante përbën impiantin ku bardhekaltërit luajnë prej dekadash ndeshjet e tyre të shtëpisë. 
    Askush nuk mund të imagjinonte dot një muaj e gjysmë më parë se në finalen e madhe do të përballeshin pikërisht këto dy skuadra, sidomos pas rezultateve të ndeshjeve të para. Të dy ekipet siguruan kualifikimin jashtë fushës së tyre, fillimisht “zonja e vjetër” përmbysi disavantazhin 2-1 duke fituar 3-0 brenda në Firenze, ndërsa kryeqytetasit pas barazimit 1-1 ia dolën mbanë të triumfojnë në San Paolo shumë pranë fundit falë një goli të shënuar nga Senad Luli. Pas titullit të siguruar prej kohësh bardhezinjtë tashmë kanë përqendruar forcat krejtësisht në dy ndeshjet finale, me Lazion dhe Barcelonën. Për herë të fundit “zonja e vjetër” e ka fituar Kupën e Italisë në vitin 1995 kur mundi me rezultatin e përgjithshëm 2-1 Parmën, megjithatë ishte pikërisht ekipi emilian që asokohe drejtohej nga Nevio Scala që e privoi Juven nga kompletimi i tre trofeve teksa i mundi bardhezinjtë në finalen e Kupës Uefa. 
    Këtë sezon në kampionat Juventusi i ka fituar pa shumë probleme të dy takimet ndërmjet tyre dhe natyrisht “zonja e vjetër” përveçse paraqitet si favorite ka gjithashtu edhe mundësinë për të lënë pas Romën dhe për të kryesuar e vetme me 10 Kupa, në renditjen e përgjithshme të 67 edicioneve të këtij kompeticioni. Ndeshja pra do të luhet në orën 20:45 në Stadiumin Olimpico dhe takimi do të gjykohet nga 39-vjecari Daniele Orsato, që do të ketë kështu privilegjin të arbitrojë për herë të tretë radhazi finalen e Kupës së Italisë. Nga ana e tij trajneri i bardhezinjve, Massimiliano Allegri. eshte shprehur se “pas ndeshjes se te mërkurës ne “Olimpico” ndaj Lacios, dëshirojmë ta marrim Kupën ne shtëpi”. “Ka 20 vjet qe Juventus nuk fiton Kupën e Italisë. Fitorja e saj do te jete e rëndësishme ne përgatitjet tona dhe ne entuziazmin për finalen e Ligës se Kampioneve”.
    Sigal