Tritan Kalo:Ministri Beqaj fsheh përgjegjësitë e tij, duke zbatuar politikë mediokre  

    503
    Sigal

    Korrupsioni në fushën e kujdesit shëndetësor, ashtu si në sektorë të tjerë publikë, përbën një fenomen të rëndë dhe mjaft të  përhapur. Korrupsioni në këtë fushë është një pasqyrim i qartë i problemeve të rëndësishme të (1) drejtimit, (2) të nënfinancimit dhe (3) të mosreformimit të sistemit shëndetësor, lufta ndaj të cilit kërkon një strategji të integruar antikorrupsion, të bashkangjitur me një vullnet politik për ta fituar luftën kundër tij. Mungesa e reformave thelbësore në shëndetësi përbën shtratin që çon në shfaqjen e fenomeneve korruptive në këtë fushë. Qeveria, për të fshehur përgjegjësinë e saj, ka aplikuar një politikë pothuajse-mediokre, me rezultat krijimin e një klime mosbesimi ndaj mjekëve dhe personelit mjekësor, që i akuzon si aktorët kryesore të korrupsionit ne mjekësi, duke synuar të largoje nga vetja përgjegjësitë e mungesave te theksuara te medikamenteve dhe materialeve te mjekimit, te kushteve të vuajtshme të infrastrukturës spitalore, të mangësive dhe pamundësisë të realizimit të testeve diagnostike të kategorive të ndryshme, të promovimit nepotik të personave të pa aftë dhe çka është më e rendë, përgjegjësinë e mosreformimit të sistemit. Krijimi i një klime të tillë, mosbesimi dhe kriminalizimi është një dëm i madh që i bëhet publikut, sepse profesioni i mjekut ka në themel të tij dy elementë, (1) besimin e të sëmurit ndaj mjekut dhe (2) respektin e mjekut për pacientin. Pa këtë frymë mirëkuptimi e besimi reciprok, ky profesion i vështirë nuk mund të zhvillohet. Si pasojë e një politike të tillë, është krijuar një percepsion publik i përhapur se pagesat informale përbëjnë tipin kryesor të korupsionit në shëndetësi. Në fakt, sipas të dhënave të Bankës Botërore, qytetarët shqiptarë paguajnë nga xhepi i tyre rreth 60% të nevojave për kujdes shëndetësor dhe vetëm 1- 6% e këtyre 60% të parave që ata shpenzojnë për të mbushur “gropën” e keqfinancimit të shërbimit shëndetësor publik, shkon për pagesat informale, ndërsa pjesa tjetër shkon për shërbime të munguara, të cilat sistemi shëndetësor e ka për detyrë t’ia sigurojë dhe kjo përbën pjesën e luanit në korrupsionin në shëndetësi. Korrupsioni në shëndetësi i ka rrënjët në një numër të rëndësishëm faktorësh thelbësorë, të cilat nuk janë prekur aspak ose janë anashkaluar nga i ashtuquajturi reformim i sistemit shëndetësor siç janë:

    1- Nënfinancimi i sistemit.
    2- Mungesa e autonomisë dhe funksionimi me buxhete historike të institucioneve shëndetësore.
    3- Mungesa e transparencës.
    4- Mungesa e dixhitalizimit të informacionit dhe informatizimit të kartelave klinike, që do të rriste hapësirat e transparencës dhe kontrollit.
    5- Moskrijimi i incentivave për personelit mjekësor të lidhura me kualitetin e shërbimit.
    6- Mungesa e protokolleve standarde të mjekimit, që do të kushtëzonte edhe përpilimin e listave të përshtatshme medikamentesh për t’u prokuruar.
    7- Mungesa e përllogaritjes dhe përcaktimit të kostove të shërbimit, që do të përmirësonte mekanizmat financuese dhe menaxhuese.
    8- Përzgjedhja e drejtuesve, më e pakta jo profesioniste, pa konkurse publike, por për interesa të ngushta partiake, më shpesh korruptive.
    9- Hapi më i rëndësishëm për luftimin e korrupsionit është kthimi i institucioneve publike shëndetësore në ente autonome, publike, jofitimprurëse, që drejtohen nga këshilla administrativë, të cilat kontrollojnë e drejtojnë burimet financiare dhe bëjnë politika profesionale, në zgjedhjen e drejtuesve e të personelit mjekësor të përgatitur si duhet.