Totozani: Të mbrohet çdo refugjat. Merepeza: Kapacitetet tona janë të limituara

    354
    Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka theksuar ditën e sotme rëndësinë e respektimit të të drejtave të refugjatëve. Gjatë një konference për trajtimin e azilkërkuesve, refugjatëve dhe emigrantëve në Evropën Juglindore, Totozani tha se duhet të mbrohet çdo njëri që kalon në territorin e Shqipërisë. “Në rast të një skenari të mundshëm bazuar në konventën e Refugjatëve, duhet të mbrohet çdo njeri në territorin e RSH. Të respektohet dinjiteti njerëzor, pasi jemi shtet kandidat për në BE dhe duhet të sillemi si europianë”, tha Totozani. Drejtori i përgjithshëm për Kufirin dhe Migracionin, Genc Merepeza, tha se aktualisht kapacitetet e Shqipërisë për t’i sistemuar refugjatët janë të limituara.

    “Nëse fluksi shtohet në kufij, kemi marrë masa për çdo skenar të mundshëm. Qëllimi ynë nuk është të vendosim gardhin në kufij. Ne nuk e dimë saktësisht çfarë presim gjithë rajoni po përgatitet. Deri në qershor 1800 refugjatë erdhën në Shqipëri. Asnjë nuk ka pranuar të qëndrojë, dhe kaluan në Mal të Zi. Nga refugjatët do marrim të dhënat biometrike. Ne kemi ndarë informacione me fqinjët tanë, që refugjatët të regjistrohen vetëm një herë në kufi. Shqetësimi ynë më i madh është se mos shtetet e tjera mbyllin kufijtë”, tha Merepeza. Ndërkaq, përfaqësuesja e UNCHR, Marie Verney, tha se “ne nuk e prisnim kurrë një krizë të tille në Europë. Kam parë vullnet dhe përfshirje të autoriteteve shqiptare. Nëse vijnë këtu 10.000 refugjatë në ditë duhet t’i trajtoni me humanizëm”.
    Sigal