Tiranë, ish-i përndjekuri tenton të vetëdigjet me benzinë

    342
    Sigal

    TIRANE – Një ish i burgosur politik ka tentuar të vetëdigjet me benzinë para Parlamentit. Kujtim Kaziu, ndërsa ka qenë duke dhenë një deklaratë për mediat, ka nxjerrë shishen e benzinës dhe ka tentuar t’ia hedhë trupit, por ndërhyrja e forcave të policisë e ka lënë në tentativë aktin ekstrem. Forcat e komisariatit numër 1 të kryeqytetit ndodheshin para Parlamentit, pasi një grup ish- të përndjekurish politik kishin paralajmëruar një protstë paqësore, para fillimit të seancës së sotme parlamentare. Fatmirësisht gjithçka ka përfunduar pa pasoja, pasi policia ka ndërhyrë duke e penguar ish-të përndjekurin politik që të nxjerrë çakmakun dhe t’i vë flakën vetes. Jo zyrtarisht mësohet se mund të ketë një rinisje të grevës së urisë së ish të përndjekurve politikë, pas asaj të tetorit të vitit 2012, e cila për shkak të indiferentimit të qeverisë së athershme coi në vetëflijimin vdekjeprurës të ish-të përndjekurit politik Lirak Bejko dhe në vetëdjegien e Gjergji Ndrecën, por fatmirësisht pa i shkaktuar atij vdekjen.

    ORA 12:00, TOTOZANI: ALARM, TE VENDOSET AFAT PER DEMSHPERBLIMET
    Avokati i Popullit, Igli Totozani, që ishte në ambientet e Komisariatit nr.1 në pritje të daljes së Kujtim Kaziut, tentativën  e tij për vetëdjegie, e quajti një “gjest alarmi”. Ai tha se qeveria duhet të përmirësojë legjislacionin dhe të vendos një afat për dëmshpërblimin e ish-të burgosurve të regjimit të kaluar. “Me gjestin që tentoi të bënte sot ish-i burgosurit Kujtim Kaziu ne dëgjuam një alarm për shqetësimet që ka kjo shtresë, një gjest i dëshpëruar i një jetese të vështirë që prek në mënyrë të veçantë të pesekutuarit, që duket se vuajtjet e tyre vazhdojnë nga regjimi i kaluar deri më sot”,-tha Avokati i Popullit, Igli Totozani. “Nga ana tjetër, është e gjithë këmbëngulja e tyre, e grupit që kërkon një kujdes shumë të veçantë, që nga kushtet financiare, morale, përmirësimi i legjislacionit. Sot duhet të vendoset një afat për dëmshpërblimet e tyre”, vijoi Totozani. Avokati i Popullit u bëri thirrje gjithë ish-të përndjekurve politik të mos ndërmarrin të tilla veprime ekstreme  por të protestojnë paqësisht për të drejtat e tyre. Pas deklaratës së Totozanit, një ish-i burgosur paralajmëroi se “ne do të vdesim këtu, nuk kemi për të ngrënë në shtëpi”.

    TUFA:NUK MUND TË PRESIM, QEVERIA TË DËMSHPËRBLEJË TË GJALLËT

    Kryetari i Shoqatës së ish-të burgosurve, Agron Tufa në ambientet komisariatit nr.1 në Tiranë, në pritje të daljes së Kaziut, tha se qeveria nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj kësaj shtrese por të lëvrojnë fondin prej 18 milionë dollarësh dhe të dëmshpërblejë një herë të gjallët. “Ky vendim është si rezultat i indiferentizmit të shtetit. Ne nuk mund të presim një herë këstin e parë, pastaj të dytin e kështu me radhë dhe të sorollatemi  nëpër institucione. Qeveria duhet të lëvrojë këstin prej 18 milionë dollarësh dhe të dëmshpërblejë të gjallët dhe pastaj të vazhdojë me të tjerët. Ai “Kujtim Kaziu”  është në gjendje mjerane, ne nuk kemi asnjë përkrahje”, tha Tufa.