Suplementi “Pena Shqiptare” i datës 11.05.2015

    483
    Çështë poezia?!
    Poezia është gjini letrare, ku porosia e poetit zakonisht shprehet me vargje. Poezia ndërthur figura stilistike siç janë rima, metafora, krahasimi, hiperbola, etj. Konsiderohet se poezia është lloji më i vjetër i krijimtarisë letrare. Shembuj të hershëm të krijimtarisë poetike janë “Epi i Gilgameshit (1700 p.e.s.), pjesë të Biblës dhe veprat e Homerit. Poezia është forma tradicionale e artit të shkruar në të cilin gjuha njërëzore përdoret për ato cilësi estetike në të, ose në vend të përmbajtjes së saj. Poezia ndahet në poezi lirike, epike dhe epiko-lirike. Varësisht nga preferencat e poetit poezia në disa raste e përdor rimën, por autorët modern nuk kujdesen shumë për rimën. Me poezi autori shpreh ndjenjat por edhe vështrimin e tij për ndonjë dukuri apo ngjarje me një gjuhë të fuqishme artistike. Në fillimet e letërsisë, në kohërat e lashta, çdo shprehje kosiderohej si poezi. Vetëm më vonë, Aristoteli në veprën et tij Poetika, ndau poezinë në tri gjini: në poezi lirike, poezi dramatike dhe epopeja. Kjo ndarje qëndron akoma dhe sot. Në fillim poezia u paraqit si nevojë ritmike për të memorizuar dhe përcjellur gojarisht tek të tjerët mitet fetare në shum civilizime të lashta duke krijuar kështu epopenë. Poezia shkon gjithëmonë duke u përsosur kështuqë paraqiten forma liturgjike më të shkurta si psalmi dhe himni e më vonë, elegjiadhe tragjedia.
    • Poezia lirike përfshin përjetimet emocionale dhe ndahet në disa lloje të shprehjes së mbresave dhe të stilit letrar sielegjia, epitafi, poezia erotike, balada etj.
    • Poezia epike (greqisht: epos – këngë) dallon rrënjësisht nga ajo lirike dhe përfshin këngët ku mungon subjekti i autorit. Vend kryesor në poezinë epike zënë epopeja, këngët mitologjike etj.
    • Redaksionale
    Fatos Arapi 
    Fatos Arapi lindi në vitin 1930 në Vlorë, Shqipëri. Po atje ai kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008 e fitoi ,,Kurorën e artë,, në manifestimin poetik Mbrëmjet e poezisë strugane dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim. Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, F. Arapi ka shkruar disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: dhjetori i shqetësuar, 1970; Shokët, 1977; Deti në mes, 1986; disa drama: Partizani pa emër, 1962; Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku, 1995; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.
    TI DO TË MË DASHUROSH PATJETËR 
    Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër. 
    shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër. 
    Në mallin tënd ky karafil i egër,- 
    Ti do të më dashurosh patjetër! 
    Në sytë e tu diej të vegjël 
    e ndezën natën dhe ditën e ndezën. 
    Mirë sot,po si durohet pa ty nesër?- 
    Ti do t’më dashurosh patjetër. 
    Kapërcej ty, e kapërceva veten, 
    dhe përtej vetes kapërceva jetën, 
    dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,- 
    I hapa krahët të pushtoj ty vetëm: 
    Ti do t’më dashurosh patjetër! 
    ******
    Si s’të desha pak më shumë
    Unë e desha përtej vdekjes,
    Ashtu dashurova unë
    Edhe prapë s’ia fal dot vetes:
    S’i s’e desha pak më shumë…
    Pak më shumë ku shpirti thyhet,
    T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
    Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
    Kujtimin të gënjejmë pak.
    Përtej vdekjes, përtej botëve,
    Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
    Asaj që më rri mes Zotave:
    “Si s’të desha pak më tepër…”.
    3-…..
    E Paëndërrta Ime
    Më duhet një gjysmë ëndrre,
    E paëndërrta ime.
    Vë kokën në gjoksin tënd
    E tani përplasem
    Te kokë e një tjetri.
    Më duhet një gjysmë ëndrre.
    Shigjetat e orës së dorës
    Tutje i shtyjnë kalimtarët,
    në ditë të rrëpirta tiranase.
    Shpirtra jo shpirtra që shkojnë…
    Bri meje dikush flet me vete.
    pa e kuptuar besoj në rrëfimin e tij.
    Dikush, prej zhgënjirni të egër,
    mbërthen kryqe të reja.
    I hedh një gjysmë leku
    Dhe blej kryqin tim.
    Tani që ta ngre
    Më duhet një gjysmë ëndrre,
    E paëndërrta ime
    -…..
    Nuk Mbyllen Dot
    S’kam fuqi më as të trishtohem
    Jemi anije pa spirancë
    Mes erërave të egra të kundërta.
    Peshqit llafazanë shurdhojnë qiellin
    Më jepni ju një copë ironie,
    Se nuk e gjej dot në veten time,-
    Një copëz ironie
    Sa gjysmës e krahut të zogut,-
    Të mbrohem nga shirat e verdhë
    Të predikimeve të apostujve të lajthitur.
    Të gjithë na kanë faj dhe askush:
    Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë
    Tani gjithë dritaret e shpirtit
    Janë hapur, bymyer e kalbur
    Nga shirat e lotëve,-
    Dhe s’mbyllen më dot.
    Mund të hyjë kush të dojë.
    ***********
    2-
    Ali PODRIMJA
    UNË BIRI YT
    Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura,
    t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj, 
    t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet, 
    t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura; 
    ta di gjakun që të vlon në gji, 
    dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta, 
    e të shpërthejë do si vullkan, 
    më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë, 
    Unë, biri yt.
    Tim bir, Lumit
    Erdhe në jetë
    Nuk ka më nevojë për kuje, lutje
    Kryesorja të jetosh
    Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë 
    Prandaj:
    Bukën ta pjekësh dy herë nën saç
    Ujin ta ziesh deri në shkallën 99
    Derisa të mbetesh ti i vetmi kërthi në ajër
    në kohë kozmos.
    Metafora e Jetës Sime
    nëse s’flas
    jeta ime s’ka qetësi
    fjala ime bëhu Unë
    heshtja të të mos shtypë
    në gurë
    rnulliri
    nëse s’flas
    jeta ime s’ka qetësi
    fjala ime bëhu Unë
    plaga ime
    le të marrë
    frymë thellë
    ME QENË
    Të jesh shqiptar
    e vdekja të mos të gjejë
    edhe në skaj të botës
    e pamundur është
    Të jesh shqiptar
    e ndonjë qen të mos të ndjek
    deri në varr
    e pamundur është
    Shqiptar të jesh
    botën varr të mos e kesh
    e pamundur është
    e pamundur
    Në trupin tim
    plaga më e thellë
    sa më afër
    Bregut
    lum lumi nuk është në linjë
    RËNKIMI
    Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
    Diellin tënd verbuar e kanë tytat,
    E vatrat shkimbur deri në një.
    Zogun në qiell, zogun ta kanë vrarë
    Me duar të mia të çara
    Me rrashtat tona të shpuara mbuluar të kanë;
    Pragje thyer e konaqe mbyllur…
    Për gjithkë e për askë vrarë jemi…
    Qaj, rrafshi im i dashur, qaj.
    Plepi im qiellin do ta shpojë,
    Plepi im i kallur
    Qiellin e humbur majë një shpate.
    Ali Asllani
    Hakërrim
    Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë, 
    nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë! 
    Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças, 
    Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’! 
    Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka, 
    të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka! 
    Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe, 
    gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe! 
    Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit, 
    ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit! 
    Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri, 
    dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi! 
    Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet; 
    hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve; 
    Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole, 
    ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole! 
    Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion, 
    ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”! 
    Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’ 
    gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’ 
    dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’, 
    në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot! 
    Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur, 
    ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur; 
    dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’, 
    ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar! 
    Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh, 
    kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh! 
    E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde, 
    mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde. 
    Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh, 
    të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh! 
    Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet 
    dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet! 
    Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë 
    nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë! 
    Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe, 
    më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!” 
    Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët, 
    sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët! 
    As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet… 
    Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet! 
    Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira, 
    ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira! 
    Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri: 
    te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri! 
    Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar, 
    dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’ 
    Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi 
    që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi! 
    Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe, 
    dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe… 
    kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar, 
    nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar! 
    Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera 
    kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera… 
    Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve, 
    koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve! 
    Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut, 
    fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut! 
    Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri, 
    mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri, 
    dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura, 
    kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura! 
    Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë, 
    bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë… 
    Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë. 
    Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë! 
    Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë, 
    ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë 
    dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj, 
    nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’! 
    A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’ 
    nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror, 
    ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur, 
    Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!
    Enela Allkushi
    Kam humbur
    Sa e ftohtë është mbrëmja,
    Kur vështrimi vetëm mjegull ndesh,
    Dhe yjet në prehrin e qiellit më si sheh.
    I thyen turinjtë në errësirën pafund
    Duke kërkuar të zbulosh pakëz dritë,
    E të mundesh të ndriçosh një pse.
    Sa e çuditshme jeta nganjëherë…
    E lidhur si nyje e pazgjidhshme 
    Me fijet e fatit. 
    Dhe si për ironi,
    Çasti, 
    Shfrytëzon rastin 
    Dhe, pa prishur aspak terezinë
    Ngjyrën e shpresave të tua përdhunon.
    E ç’faj të kesh,
    Që duart nga ëndërrat dridheshin 
    Dhe tashmë i endur mes qiellit e tokës
    Asnjë thërrime jete për vehte 
    Më nuk mund të gjesh?!
    Kam humbur përsëri…
    Mos vallë kam marrë kthesën e gabuar,
    Drejt skutave të errëta të mendimeve të zymta ?!
    Mbase,
    S’e di…
    Sikur të ndizja një cigare më mirë?!
    Ndoshta tymi i saj ç’do gjë turbullon
    Dhe rishtazi, mendimet
    Në strehëzën e shpirtin më çojnë
    Të gjendem e ulur, aty…
    Pranë tryezës me kashtë 
    Të çlodh pakëz shpirtin dua…
    Vetëm kaq.
    Më rrëmben ky mendim 
    Edhe pse gënjej vehten…më kotazi…
    ***
    Të lodhin akoma më shumë psherëtimat
    Në tryezën e një njeriu të vetmuar,
    Që kokën mbi duart mbështet dhe hesht.
    Eshtë e dhimbshme mbështetja e bërrylave në kujtime
    Kur nostalgjia shpirtin tënd të copëtuar përmbyt
    Dhe asnjë grimcëz buzëqeshje
    Të ëmbëlsosh pak trishtimin, s’mund të gjesh.
    Bën kaq ftohtë sonte…
    Ehhhh…!
    Asgjë tjetër në këto çaste nuk të ndihmon
    Përveçse të mbash fort momentin 
    Në një të vetme ikonë.
    Ëmbëlson pak dhimbjen
    Dhe lojën e mendimit ndihmon,
    Që si Hëna e plotë ngaherë përpiqet 
    Errësirën e natës të sfidoj.
    Të përshkoj thellësinë e detit,
    Kufijtë e një shkëmbi të shuaj
    Dhe të zhduk frikën 
    Prej syve të një fëmije nga errësira tmerruar!
    Dhe sa do duroj shpirti i ngratë…?!
    Dhimbja do një mendim,
    Do një strehëz, do një ndihmë,
    Dhe kur asgjë nuk gjendet pranë
    Bëhet më e ashpër, më e mprehtë, më e forte,
    Derisa të të shkatërroj,
    Ç’do gjë brenda teje të rrënoj.
    Shekuj, bëhen momentet, 
    Kur ajo pamëshirshëm të godet.
    Të tremb ikona e ngrirë e gjithçkaje
    Kaq ftohtë !
    Dhe mos të të gjendet kurrgjë,
    Të hedhësh krahëve të ngrohesh?
    Të paktën një buzëqeshje e vogël shprese!
    ************************************
    Vasil Premçi
    Mbi Përrallën, Hirushen e letërsisë
    Rrallë herë na shkon ndërmend se veprat më të mira të letërsisë dhe të artit botëror e kanë zanafillën tek përrallat. A nuk fillon i gjithë arti me vizatimet e shpellave, vallet dhe këngët rreth zjarreve, por edhe me tregimin e përrallave? Shpesh herë dëgjojmë të shpërfaqet me dëshpërim në auditorët e fushave të artit, por ca më shumë në aulat e letërsisë, kërkesa për të pasur më shumë shkrimtarë të rinj që shkruajnë gjininë e përrallës. Madje ndonjëherë, studiuesit apo kritikët e kërkojnë një gjë të tillë me dëshpërim dhe si një tregues alarmant për fatin e vetë përrallës dhe të letërsisë.
    Përralla është një gjini shumë e vjetër, me një subjekt që shquhet për nga thurja dhe ushqimi plot fantazi mbresëlënëse, me elemente befasues, nëpërmjet të cilave përcillen mesazhe optimiste te fëmijët. Si asnjë gjini tjetër e letërsisë, ajo ka fituar të drejtën ekskluzive të përdorimit të një hyrjeje krejt të veçantë, nëpërmjet shprehjeve: “Na ishte se ç’na ishte”. Ose: “Na ishte një herë një …”, të cilat shërbejnë si një pasaportë identifikuese midis gjinive të tjera të letërsisë dhe luajnë rolin e çelësit të Solit në shpërfaqjen e notave të një melodie muzikore.
    Përmbajtja e përrallës mishëron qëndrimet e shoqërisë njerëzore ndaj të Mirës dhe të Keqes, të Bukurës dhe të Shëmtuarës, etj. Ato shquhen për karakterin e tyre optimist. Në përralla nuk ka asgjë të pamundur, ndonëse në thelb struktura e tyre ndërtohet sipas një logjike artistike që synon të zhvillojë dhe mbajë lart emocionet e lexuesit. Duke qenë gjinia letrare me një vjetërsi sa edhe vetë shoqëria njerëzore, përralla ngjason me pijen e verës, e cila, sa më e vjetër të jetë, aq edhe më e shijshme është.
    Përralla është një ushqim i pazëvendësueshëm për artin në tërësi dhe për fëmijët në veçanti, njësoj si qumështi i nënës, që rrit dhe ushqen krijues të fuqishëm. Përralla vijon t’i përgjigjet nevojave artistike dhe historike të brezave njerëzore dhe në këtë kuptim do të vazhdojë ta ndjekë hap pas hapi fatin e shoqërisë njerëzore në të gjitha periudhat që asaj i duhet të kalojë drejtë së ardhmes. Është detyrë e krijuesve ta ushqejnë gjininë e përrallës, duke ia kthyer rolin dhe vlerat e saj të pazëvendësueshme. 
    Përralla është jo vetëm gjinia më e vjetër dhe më klasike, por edhe me një vesk përherë të ri. Ajo karakterizohet nga “rinia e përjetshme” të cilës ja jep roli human që përmbush dhe format artistike që mëshiron. Me gjithë këto avantazhe që zotëron, mendoj që ajo nuk duhet të mbetet vetëm tek heronjtë klasikë, të cilët kërkojnë ta mbajnë atë në zonat tradicionale historiko-kohore: Të Bukurën e Dheut, Kuçedrën, Qerosin, Princeshën e Bukur dhe Princin e Kaltër, Borëbardhën, Mjekërkaltrin, Xhuxhin e Mirë, Gishton, etj etj. 
    Në vetvete përralla u ka paraprirë epokave të së ardhmes. A nuk janë, bie fjala, qilimi fluturues, avioni dhe raketa e sotme, elementë i përrallave dy mijëvjeçare? Po pasqyra magjike a nuk është ekrani i sotëm i televizorit?
    Mendoj se elementi më revolucionar i përrallës është ai i fantastikes, i cili pritet ta dinamizojë dhe ushqejë atë në të ardhmen, pra, ta shoqërizojë përrallën me elementët e kohës në të cilën jetojmë. Kështu, përralla nuk duhet të mbetet vetëm tek personazhet e saj klasikë, por ajo duhet të integrohet edhe me realitetin e sotëm; njeriun që ka shpikur kompjuterin dhe internetin, të cilat janë linçuar për herë të parë në përrallat e vjetra si dëshira të njeriut, aq sa mjaft prej këtyre dëshirave fantastike dhe të parealizueshme për kohën, dikur i quanin me përçmim, thjeshtë: “dëshira” ose ”përralla”!
    Por sot, çuditërisht, kur mjaft prej këtyre “dëshirave-përralla” janë realizuar, shumë pak përdoren në përrallat e epokës tonë. Përralla nuk e meriton lënien pas dore dhe një lloj braktisje në emër të gjinive të tjera të letërsisë. Përkundrazi! Vini re forcën magjike që kanë ato tek fantazia e fëmijëve! Përse ndodh kështu? Sepse ato mishërojnë një ëndërr të bukur njerëzore, nuk njohin kufij dhe pengesa në kohë dhe në hapësirë. Heronjtë e tyre janë trima guximtarë, njerëz të thjeshtë të popullit, por me shpirt dhe ndjenja fisnike, që ndeshen përherë me të keqen pa iu dridhur qerpiku i syrit dhe triumfojnë mbi të keqen. Asnjë vepër artistike sa përrallat nuk mund të matet me ato përsa i përket mesazheve të larta humane që përcjellin!
    Në mediumet e ndryshme, të huaja ose vendase, shpërfaqen, here pas here mendime, ose citohen anketa të ndryshme, sipas të cilave përrallat janë të mbushura me steriotipe të cilat dëmtojnë zhvillimin mental të fëmijëve, se përmbajtja e tyre është e errët për psikologjinë e fëmijëve në raport me realitetin e sotëm.
    Por, përvoja dëshmon se mesazhet që përcillen nëpërmjet përrallave, mbi luftën e të “Mirës” ndaj të “Keqes”, nuk mund ta përcjellin librat e lëndëve sociale për edukimin e fëmijëve, në atë formë dhe mënyrë tërheqëse sa përrallat. Kjo është edhe njëra prej arsyeve përse kjo gjini nuk duhet të trajtohet nga shkrimtarët si Hirushja e përrallave, por duhet të zërë vendin e pazëvendësueshëm që i përket në letërsi. 
    Spiro Jorgo Koleka në një monografi komplekse historike
    Qemal Biraku
    Vitet e fundit janë botuar një sërë librash historike e etnokulturore për krahinën e Himarës dhe personalitetet më të shquara të saj, të cilët kanë tërhequr vëmendjen e publikuar shqiptarë. Objekti i promovimit të veçantë nga Akademia e Shkencave dhe Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, në sallën e Akademisë së Shkencave u bë edhe monografia “Spiro Jorgo Koleka dhe fati tragjik i atdheut”, të studiuesit Bardhosh Gace.
    Në fjalën hyrëse, prof. Agon Nezha vlerësoj lart kontributin e himarjotëve në luftën për liri dhe pavarësi kombëtare dhe në mënyrë të veçantë kontributin e familjes Koleka, në Lidhjen e Prizrenit, në shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912-1914, si dhe forcimin e shtetit shqiptarë në vitin 1920 – 1924.
    Studiuesi prof. Nasho Jorgaqi, në fjalën e tij, u ndal gjatë në analizën e kësaj monografie të autorit, prof. Bardhosh Gace, të cilin e quajti ‘një kontribut të ri në historiografinë bashkëkohore’. Sipas prof. Jorgaqit, botime të tilla për kulturën historike të Himarës dhe Labërisë, ringjall në sytë e njerëzve përmasat kombëtare dhe kontributet e veçanta të këtyre rilindësve të heshtur, të mbuluar nga pluhuri i harresës.
    Me vëmendje u ndoq dhe fjala e prof. Paska Milos, i cili dha një tablo të gjerë të himarjotëve në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare dhe në zhvillimin e traditave dhe të kulturës së tyre.
    Në fjalën e tij, Ahmet Demaj, kryetar i Shoqatës “Labëria”, dega Vlorë, foli për marrëdhëniet e Labërisë me Himarën dhe bashkëjetesën e tyre gjatë shekujve, duke ruajtur traditat dhe zakonet e mrekullueshme shqiptare.
    Mjaft ngrohtë nga salla u pritën fjalët e pasardhëses së familjes Koleka, znj. Milena Harito, e cila duke evokuar traditat e kësaj familjeje dhe të himarjotëve, janë një gur i rëndë në historinë dhe kulturën kombëtare. 
    Alma Agolli
    Nuk e dimë
    Nuk e dimë si do ngryset sot dita,
    Çdo të ndodhë nesër nuk e dimë.
    Në errësirë na duhet më shumë drita,
    Me vuajtje e gjejmë dhe dashurinë .
    Nuk e dimë në bie shi, apo breshër,
    Meteorologët tregojnë përafërsisht.
    Na mbetet që ta jetojmë patjetër
    Çdo minutë që na vjen paqësisht.
    Tani vuan ti nga puna e rëndë,
    A nga një brengë që të mundon?
    Unë natyrisht vazhdoj të thur këngë
    Dhe ti se jam krejt e lumtur kujton….
    Por jo, as kemi ditur gjë, as dimë
    Për njëri tjetrin shpirtin ç’na e bren?
    Le të thithim me ajrin veç dashurinë,
    Për të tjerat le të presin ç’na vjen.
    22
    QYTETI IM DIELLOR
    Në djepin tënd u përkunda,
    Por shpirtin shpejt ma piu liqeni.
    Nëpër të notova sa munda,
    Por një ditë më rrëmbeu zgalemi…
    Dhe iku larg nga ai territor,
    Por malli oh shumë më ka pikur.
    I bukuri, qyteti im diellor,
    Jam çajka që në prehër ke pritur.
    Do kthej tek ti se më ke bijë,
    Por s’jam e dikurshmja lodërtare.
    Më merr malli për njerëzit e mire,
    Për liqenin dhe puthjen e një vale.
    33
    LUTJE
    Nga njëri cep i globit në tjetrin
    Shpërthejnë vullkane.
    Në pyjet, që i japin frymë planetit,
    Kuqëlojnë zjarre.
    Dhe sikur këto të ishin pakë,
    Në Afganistan vriten për ditë.
    Terrorizmi varre hap në Irak,
    Plumba e gjak kudo ne Afrikë.
    Superfuqitë here bëjnë sehir,
    Herë i fryjnë prushit për flake.
    Popujt s’mund ta ndjejnë veten të lire,
    Kur si vëllezërit mbyten në gjak.
    E kush tjetër në mos ti o Zot
    Mund të shuash luftëra, zjarre, vullkane?
    Në se lutjet s’na i dëgjon edhe sot,
    Mendjet, shpirtrat na mbeten mjerane.
    “…VARRI I TIJË DY KONTINENTE…”
    Albert Z. ZHOLI
    -skicë-
    Ishte ditë vjeshte, por dielli digjte si në gusht. Këmbët më çuan përpara një dyqani ëmbëlsirash. Në vitrinë më tërhoqi vëmendjen një portret i njohur, vendosur në një kornizë. E kisha për herë të parë nëpër faqet e librave të shkollës. Ashtu i lodhur siç isha, i pluhurosur e i leckosur, qëndroja para vitrinës dhe nuk ngopesha së pari. Ishte ajo fytyrë, ajo mjekër hijerëndë, ata sy fisnikë, ajo hundë si shqiponjë, ai vështrim ëndërrimtar …Para meje ishte Ali Pasha …
    -Ti qitas? ( çfarë shikon-greqisht)- foli pronari i dyqanit, duke menduar se po lëpija, nga jashtë xhamit, ëmbëlsirat e tij.
    -Pashanë e Janinës shikoj- iu përgjigja unë krenar e zëfortë, në ato dy fjalë të pashqitëshme…
    Pronari më pa i çuditur, pastaj diç tha nëpër buzë e hyri brenda…” Këto i lexova tek një libër i pa botuar ende i K. Zharkallit. Dhe brenda trurit nisën të lëviznin me jehonë, vjershat e këngët, historitë e gojëdhënat për Ali Pashë Tepelenën e Janinës… Që edhe pse kish vdekur më 5 shkurtin e 1822-shit, po jetonte në dy jetë : Jetën e luftës e jetën e këngës… Dhe jeta e dytë e këngës, ishte më e madhërishmja, më e pavdekshmja. Por e veçanta e këtij njeriu me dy jetë është se ai i kishte të gjitha nga dy: Dy gjuhë, dy vende, dy fe, dy pashallëqe, dy gra, dy djem, dy varre…
    Kjo e veçantë për të gjithë njerëzit që kanë bërë histori, është përjetuar edhe në këngë
    “… Ali Pasha me dy varre,
    Në dy shtete, në dy qytete,
    Varri i tij, dy kontinente …” Tepelena e lindi, Janina i mori kokën.
    Të parën e shkeli këmbëzbathur, të dytën e bëri vetë …
    “ Janinë, Janinë e shkretë,
    Të paçë ndërtuar vetë,
    S’të gëzova as unë as djemtë…”
    Të rëntë zjarri të djegtë…”
    Hija e tij është e kudo shtrirë, sa gjithkush, duhet t’i hedhë me kujdes hapat, për të mos e shkelur…
    Por ai është e njëherësh fshihet e bëhet i padukshëm. Dhe në momente kur po populli ka ethe e zjarrllëk shpirti e kërkon që të shfaqet me dy jetët njëherësh:
    “…Ku je Ali Pashë ku je?
    Mblidhi trimat ku i ke?!…
    Teuta Osmani
    E KUPTON?
    Nëse e kupton, që nga ty marrë dritë?
    Nëse e kupton se nga ty nuk jam pa sy?
    Nëse e kupton, se nga ty nuk verbohem?
    Pa le të jesh edhe atje ku errësira ka vënë mburojën
    Nëse e kupton kaq larg edhe ndodhem?
    Ti më ke pranë ashtu si dielli që lind e më vë kurorën
    Ndaj nuk i trembem se një ditë ,dy, do ketë edhe net
    Ditën këtu ,me mua je rreze diell
    Nëse e kupton se pa ty nuk ekzistoj?
    Atëherë kur të mbyll sytë ,atëherë dhe dielli perëndon…
    2
    Nëse!
    Nëse jam unë tani që po shkruaj
    Nën gishtat e mi, që zjarr flakëruan
    Nën buzët e mija që fjalët mbajnë shtrënguar
    Nën lëkurën time që gjaku rrjedh vërshuar
    Nën tik taket pulseve ku zemra rreh pa pushuar
    Nën kapakët e syve që gjumi ka rënduar
    Nën krahët e mi mëngët lakuriqe kanë zbuluar
    Ku jam ulur unë vendi s’po më shkulet
    Ku gjurmët e mija morën udhët e reve fluturuar
    Ku trupi im s’ndjehet si një flutur e fluturuar
    Ku flokët e mi ëndrrat kanë zbuluar
    Ku vetëm jam në këtë botë të largët mërguar
    Atëherë këtu jam,e më lini të shkruaj
    Vargun siç di unë me mall përvëluar
    Këtu do më gjeni atje, aty me ju të rebeluar
    Si zogjtë e stinës fole, në kohët e verërave ngrohtë shtegtuar
    3-HESHTJE
    Heshtje,..heshtje, 
    ngado heshtje
    hedh një fjalë,
    asnjë kureshtje
    shkruaj dëgjoj,
    heshtje, dallgëzon
    ku të jem unë vallë
    mos ndofta atje
    maleve larg?
    ah,.. ku më shpie kjo fantazi
    sa larg, ku?
    as vete se di
    nga të dal, të dëgjoj 
    ku të shkoj,të më dëgjojnë,
    heshtjen e kam zët
    nuk dua të fantazoj
    ah,.. një zë më tingëllon
    të thërras, sa më larg
    të tremben engjëjt
    se jam gjallë
    nuk kam vdekur 
    nuk kam ikur, unë jam këtu
    në mes tuj’
    dëgjomëni, o engjëj, 
    dëgjomëni, o male 
    zëri im buçet
    fjala ime, rrëshqet
    ku jam unë, qe nuk di
    vetëm heshtja ,më përpin?!
    4-SI T’JA VË EMRIN KËSAJ JETE
    Si një Diell i perënduar me kohë ,
    më duket mungesa jote,
    sikur s’ka lindur kurrë,mëngjeseve
    kur dita zbardh pa rreze dritë
    kur dielli, asgjë nuk ndrijnë.
    kështu me duken edhe netët, pa hënë
    si një puset e zhytur në të,
    pa asnjë shpresë, për të dalë prej saj
    pa asnjë ëndërr, që kurrë s’do kisha pare.
    më duket pezull kjo jetë ,
    si një peng kur merret një jetë,
    kështu më duket mungesa jote ,
    më le me të pafajshmit engjëllore.
    si t’ja veje emrin, kësaj jete
    kur për mua është dritë shprese
    si t’ja vë emrin, kur ti nuk ekziston
    t’i dalë përpara vdekjes, ndoshta mjafton.
    Brikena Qama
    NE BREGUN TJETËR
    Idiotizëm infektiv
    arsyeja, logjika
    të lidhura
    si një i sëmurë
    me psikozë vetëvrasëse.
    Çasti
    ndan veprimin nga mendimi
    që gëlon
    deri në zgjidhjen e duarve.
    MË HIDHNI NJË KOMERDARE
    Më dhemb
    ç’virgjërimi i mendimit tim
    të dlirë,
    prej ingranazheve të dyshimta
    të logjikës.
    Praktikisht,
    ti i përket vetëm asaj
    e unë,
    dëshirës për të mbetur e tillë.
    Po mbytem!!!
    PRANVERË
    Në një tjetër përrallë…
    Veshur,
    një fustan të purpurt.
    Në flokë,
    një kordele rozë. 
    Në sy,
    sekretin e natës së shkuar.
    Në duar,
    kukullën e fëmijërisë
    (që ndërron emër çdo ditë)
    Centrifugoj këtë përzierje
    poshtë bajames së lulëzuar
    e shiut të petaleve
    pas lojës me erën çapkëne.
    Sipër saj,
    hëna rrumbullakoset ngadalë.
    PUTHJA E PARË
    Ç’mukozë e ëmbël
    m’i lagu buzët…
    Nuk arrita të t’i shoh sytë!
    Nexhip Onjea
    NOSTALGJI
    …………Behar në Fushëbardhë.
    Era e gjethes luante me mua,
    përkëdhelesha në fëshfërimën e saj,
    lule burbuqet shpërthenin aromën,
    po dilte prilli, po hynte maj.
    Mbi degët e arrës nis këngën bilbili,
    mbi ves’ të mëngjesit,dielli shkëlqen,
    freskia e lumit ma mbush kraharorin,
    uji i Ferrzës,raki që më deh,
    Harliset tërfili,lule shqerra s’mbaron,
    të dielat murrizi,duart m’i bënte ”gjak”
    nën hijen e panjës dreka e mamasë,
    pak ujë bore e kishte merak.
    Darkave Zhërma festën fillonte,
    mblidhte zogjtë në gjirin e vet,
    vërshonin në të nxënësit dhe studentët,
    Fushëbardha rritej e bëhej qytet.
    Tek rrapi burrat bëjnë kuvende,
    nën avazin e ëmbël të cyles dyjare,
    hapej fustanella si flutur e shkruar,
    nuse e dhëndurë lodronin në valle.
    Në shpirtin tim i ke hedhur rrënjët,
    forcën që t’i shkulë nuk e ka njeri,
    në zemrat e malluara kudo ku janë,
    përherë do të ngelesh,Mall dhe Dashuri.
    TE PJERGULLA NE AVLLI
    Te pjergulla në avlli
    ç’u gremiç i varfëri.
    Eja dhe më merrëni,
    te mikeja shpjemëni.
    Ajo di të bëj’ jatri,
    me di moll’ që mban në gji.
    Të verdha ngjirë flori,
    lëshojnë flak’,po s’bëjnë hi.
    Me atë sirin e zi,
    ilaçin për djemuri.
    PO HAP ZEMREN ARGJIROJA
    …….Në prag të festivalit folkrorik kombëtar.
    Gjithë rrugët me kalldrëme,
    qilim i bukur me ngjyra,
    sokakët derdhen në valle,
    si ylber përmbi pasqyra.
    Vërshon nëpër Gjirokastër,
    pasuria kombëtare,
    mbi flamur mbërthyer synë,
    ku shqiponja rri krenare.
    Si kushtrim bien boritë,
    te kalaja bëhen këngë,
    fustanellat,meloditë,
    shkëlqejn’ e mbulojnë vëndë.
    Kalaja si vapor deti.
    vezullon nën drit’ të hënës,
    mali i Gjerë zbret bashk’ me yje,
    dhe futet në gji të këngës.
    Hapur zemrën Argjiroja,
    si deti që pret lumenjtë,
    shekujt vijnë me gjëmime,
    si re që ndezin rrufetë.
    Çeçua me dhjetëshe në dorë,
    jep sinjal të ndizet kënga,
    hapet vallja si kurorë,
    gjithë Arbërinë merr brenda.
    Rezart Cenaj
    NJË DOLLI…
    ( nga Rezart Cenaj )
    Për ne, që zgjohemi dhe i themi mirëmëngjes pasqyrës. 
    Për ne, që e rrufisim me dëshirë dhe kënaqësi kafen e mëngjesit. 
    Për ne, që vrasim mendjen për t´i bërë surpriza të vogla atyre që duam. 
    Është për ne që, edhe pse bëjmë përherë të njëjtën rrugë, çdo ditë vëzhgojmë gjëra të ndryshme. Kur katin e parë, kur katin e katërt të një pallati, kur horizontin që kanë cicërimat dhe kur njerezit nëpër ballkone. Disa të fjetur e disa të vdekur duke thithur tymin e lirisë. Disa të sapozgjuar duke ushqyer macen dhe disa duke parë me kuriozitet kalimtarët. 
    Për ne është, pra. 
    Ne që shikojmë njerëzit në sy dhe marrim me mend historitë e tyre. 
    Për ne që kur dëgjojmë këngën që na ndez buzëqeshim si fëmijë të vegjël dhe këndojmë fort me sytë që na shndërrijnë.
    Për ne, që kur përjetojmë dhimbje përqafojmë një pemë, që të na marrë dhimbjen e të na japë kurajo.
    Nëse kujton ditën tënde të parë të shkollës dhe si ndiheshe. Nëse mundesh akoma të ndihesh si në atë kohë, atëherë kjo dolli është edhe për ty. 
    Për ty, që thua tek të tjerët gjëra për veten tënde që sapo i zbulove, dhe nuk të frikësojnë. 
    Për ne, pra… të çmendurit. 
    Që u thumbuam me jetën që kur ishim fëmijë.
    ****************
    2-PRANVERË E VONUAR?
    Të humbur mes filmave të Woody Allen dhe albumit të Calexico. Ecim dhe shikojmë përpara, por syri ikën ndonjëherë nga e majta. Jemi të sigurtë se do ndalemi në ndonjë pijetore të veçantë por, deri sa të arrijmë atje, ndonjë dritë apo ndonjë tingull muzikor do të na ketë hequr zvarrë në ndonjë pijetore tjetër. Shkojmë për të takuar dikë dhe takojmë dhe shumë të tjerë. Humbasim mes recetave italiane dhe meksikane. Flasim për artin, për kuratorë, për politikë dhe për libra. Ndaj të gjithave, me të njëjtin (jo)emocion. Organizojmë udhëtime, ekskursione dhe flasim me orë të tëra rreth dashurisë, ndërkohë që bota jashtë shkatërrohet. 
    Bëjmë lista me më të mirat. Këngët më të mira të vitit. Filmat më të mirë. Shfaqjet teatrale më të mira. Librat më të mirë. Kërkojmë vazhdimisht më të mirat dhe, pastaj, qeshim me më të këqijat. Këngët më të këqija. Filmat më të këqinj. Momentet më të këqija. 
    E tmerrshme se si ndodh që, në të njëjtën kohë, të ndjejmë se përreth nesh gjithëçka shkatërrohet dhe, pesë minuta më vonë, planifikojmë pushimet më fantastike. 
    Na pëlqen t´i klasifikojmë gjërat në kategori. Na pëlqen t´i vendosim etiketa ndjenjave. Pastaj, dashurohemi dhe kërkojmë të krahasojmë ndjenjat tona me ato të tjetrit. Të shohim se cili është më shumë i dashuruar, cili e shpreh dashurinë më tepër, cili flet më pak, cili ikën më herët, cili nuk ikën kurrë…
    …dhe kur dikush ikën, bota humbet. Dhe kur dikush vjen e dashurohemi përsëri, çdo gjë duket e bukur. Qytetit i shtohen ngjyrat. Presioni i punës bëhet lojë. Qesh tërë kohën dhe ditët rrokullisen si ujë në brazdë. Djelli fillon të ngrohë.
    Pranvera po vjen, edhe pse me pak vështirësi.
    ****************
    Petro Zholanji
    LUTJU HENES
    Lutju hënës në
    dritare,
    dhe ndiz një dritë brenda
    në gji,
    portat e zemrës ti mbaji
    hapur,
    aty do kthehem
    përsëri.
    Ndriçim i saj të djeg në
    heshtie
    pa dritë, pa tym, në
    fshehtësi
    nga thellësitë një zë
    i hershëm
    të mpak të dredh shpirtin
    të ngrin.
    Nëse është vrenjtur do vi
    rrufeshëm,
    si vetëtimë do hyj
    ku di,
    në çdo qelizë kam mbjell
    filizat,
    marthonomak po rend
    te ti.
    Nëse është kthjellët në
    dritë të hënës
    nga sytë do hyj por
    si veri,
    të ndihesh si në prehërin
    e nënës
    një puthje ere një
    mrekulli.
    Rrezja e diellit të gjejë
    te xhami,
    një zog me sqep gjumin
    të prish,
    ka ardhur larg nga
    shtegtimi,
    që veç me hënën të
    mos rrish.
    SOT GJETA SHPIRTIN BINJAK
    Vërtet sot e shova
    mallin,
    jo me varg, as me
    metaforë,
    po me gishtërinjtë, që mbi
    trup lëvrinin
    si mbi tastiere, kur
    lëviz një dorë.
    Ehhh, ç’mrekulli, që
    preka sot,
    sikur s’kisha, prekur
    kurrë
    dy buzë, dy gjokse, si
    dardhë e plot
    e një diell, të nxehtë
    si furrë.
    Me të ëmblën çmenduri,
    sot shijova,
    e gjeta në sytë e saj,
    të fshehur
    parfumi i saj, në gjunjë
    më rrëzoi,
    si një i pirë, nga mushti
    i dehur.
    Dhe dëgjova, më të
    bukurën melodi,
    e më të ëmblin zë, si
    mjaltë i tretur,
    një, oohh, që u ndez, e
    u fik si dritë,
    një shpirt që belbëzonte
    i mekur.
    Ehh, moj lulja ime
    njomëzake,
    që më fale, shpirtin
    qumështor,
    të dy do jetojmë, çdo ditë
    me këto mëkate,
    dhe asnjëherë, s’do ndihemi
    fajtor.
    Sa pranë paska qenë
    mrekullia,
    dhe unë e kërkoja,
    aq larg,
    kur putha atë, sikur
    putha vet zotin,
    se vërtet sot gjeta,
    shpirtin binjak.
    ******************************
    Nga Nertesi ASLLANI – BOLENA
    Poezi për FEJZO TAFIL LEPENICA
    (Sipas motiveve të këngëve të kënduara në Lumin e Vlorës)
    Luftëtar për liri e demokraci, mbrojtës i flaktë i të drejtave të Çamërisë, për të cilën dha edhe jetën në një moshë të re, nga burgimet dhe internimet e shumta prej Qeverisë Greke.
    Vjen një zë nga Janina
    Një zë i bukur bilbili
    Udhëton trimi me trima
    Kapedan Fejzo Tafili.
    I lindur në gurë të thatë
    Buzë Shushicës me valë
    Që tre vjeç mbeti bonjak
    Hajde djalë e deli djalë.
    Njohu burrat me çepe
    Me qylaf e xhamadanë
    U rrit nëpër batare
    Në prita e istikamë.
    Koha shpejt e burrëroi
    Në çdo hap ndiqte babanë 
    Ku ka rrjedhë do pikojë
    Ngjeshur fishek e gjerdanë.
    Vlorë moj e shkreta Vlorë
    O mjedan i trimërisë
    Ta muar fatin në dorë
    Luanët e Labërisë.
    Armikun e pristë deti
    Përpara përmbi hordhi
    Në Qafë komandant Ahmeti 
    E shih vendin me dylbi.
    Në Veri të Shqipërisë
    Shkoi batalioni vlonjat
    Me andartët e Serbisë
    U bë luftë e u derdh gjak.
    Atje dhe Fejzo Tafili 
    U gjend në vijë të parë
    Me gjoks e mbrojti kufirin
    Patriot e atdhetarë.
    Në Qeverinë e Fan Nolit 
    Shërbeu për Qeverinë
    Agjentët e Ahmet Zagollit
    Fejzos ja kishin vënë synë.
    Dhe xhandarët e paguar
    Trimit nga mbrapa ju vunë
    E zunë dhe e dërguan
    Në hapsanë e në bodrum.
    Nga kalaja e Gjirokastrës 
    Doli iku arrati
    S`mbahet trimi duar lidhur
    S`mbahet shqipja në kulvi.
    Fejzo Tafil Lepenica
    E kaloi jetën e tij
    Në luftë e në sakrifica
    E mori vdekjen në sy.
    Në beteja në burgime
    Me trimat në Çamëri 
    Në përpjekje në luftime
    Për Atdhe e për liri.
    Lundra genocidit grek
    Asnjë ditë s`bëri pushim
    Ndaj e ndiqnin shteg më shteg
    Natë e ditë në përgjim.
    Dhe vëllai Zija Tafili
    Pësoi të njejtin fat
    Koha në bodrum e mbylli
    Dimri ashpër natë e gjatë…
    Vjen një zë që nga Janina
    Trupi tretet, shpirti rron
    Nëpër flakë e vetëtima
    Fejzo Tafili gjëmon.
    Reshida Çoba
    LLUKSI ME ARIXHIJ
    Nuk isha më shumë se 15 vjeç,nuk shkoja ne disko piano bar
    Sokakëve të Korçës po lija pas vajzën e vogël
    Përdore me serenatat,ahengun e një arixhiu në mëhallë
    Filloi araxhiu Ramadan ti shtonte darkat dhe sazet
    Njëherë për vete, për komshiun, vëllanë, darkën tjetër e bëj për babanë
    Po çmendej Ramadani me veten,flokët gjithë brilantinë mustaqet i ndërroi
    Shtoi një dhemb tjetër floriri në gojë, por zëri i mekej sa herë që thosh
    do vijë prapë leshverdha në aheng,ajo leshverdha e bukur prej soji
    Me dantella si kurbatkat më qepi mamaja një fustan
    Bleva ton fytyre me ngjyrë fare të errët
    Dhe pse nuk ndryshova dot lëkurën aq të bardhë
    Shpirtin e qepa njëlloj si ezmerët
    U rritën pazaret dhe bastet e xhambazëve, njëlloj si për gomarët 
    Sa herë qe ziheshin për mua…kush do ulej pranë
    Kush do çikte padashur gjoksin e madh të leshverdhës
    Po shtoheshin grindjet e arixhinjve,më shumë midis grave
    Unë besoja në mos përzierjen,rrëshqitjen e ngjyrave
    Mësuar në format konkave
    Gjithë arixhinjtë këndonin…si zogj gëzonin klarinetat
    Këngët kurbatshe i mësuan dhe sokakët e Korçës
    Unë vetëm përcillja gëzimin e tyre njerëzor
    Shuaja kureshtjen time,habitë, pyetjet e moshës
    Qysh atëherë mbaj mend ti mësoja vetes çdo gjë të re 
    Me të kundërtën e shoqeve,të kundërtën e të zakonshmes
    Pastaj unë ika,me vete morra vetëm erën e mollëve të Korçës
    Por kënga mbeti histori,këndohet akoma dhe sot
    Si zemëroheshin arixhinjtë…si shtyheshin klarinetat 
    Për të parë nga afër sytë e leshverdhës…gjoksin
    Jetova si grua e bukur,e përkëdhelur me nazet e lëkurës së bardhë
    Por një ëndërr që doja ta shihja me një arixhi …akoma se kam parë
    Dhe s’di çilin të zgjedh për këtë ëndërr Ramadanin, të jatin, apo vëllanë Gurali
    (më mirë po ja u le atyre ta zgjedhin)
    Për mua mjafton të jetë vetëm njëri… nga këta arixhinj
    Dhe pse shijova netë me shumë muzikë,dhoma me shumë luks e dëfrim
    Akoma se kam gjetur luksin e mendjes
    Si në dhomat pa mure… me arixhinj
    DISA KOMENTE PËR POEZITË E ANTOLOGJISË ME POEZI TË ZGJEDHURA TË POETIT FASLLI HALITI PËRKTHYER 
    NGA POETI I SHQUAR GËZIM HAJDARI
    _____________________________________
    1. PAOLO STATUTI
    Duke lexuar poezitë e Faslli Halitit më duket sikur poeti të më vinte fjalët e tij, më ngjan sikur një sufler nga gropa e skenës të më sugjeronte llojin e poezisë që dua më shumë…
    2. GEORGINA BUSCA GERNETTI
    «Sythi shkrin borën me zjarrin e lules»
    Ky varg ilustron imazhet e mrekullueshme të një natyre të afërt me shpirtin e poetit Faslli Haliti, e pikturon në paraqitjen e stinëve në të cilat, ai i përshkruan, pothuajse në lëvizje, shpërthimin e beftë të sythave që çelin lule dhe rritjen e degëzave dhe çdo metamorfoze tjetër të vegjetacionit. Të magjeps e të mallëngjen imazhi e fëmijës që admiron hënën e plotë në qendër të një reje të bardhë e, naivisht, mendon për vezën, me të cilën në atë kohë të vështirë, do të dëshironte të shuante urinë. Poezi e vërtetë, kjo e Faslli Halitit.
    3. MARIANO MENNA
    Kam çmuar veçanërisht poezitë e Faslli Haliti dhe, shpresoj të mos jem tepër provokues duke theksuar se poetët shqiptarë që kam pasur mundësinë t’i njoh deri tani (Haliti e Hajdari) më kanë prekur më tepër se shumë poetë italian bashkëkohor. Një “faleminderit” të përzemërt Giorgio Linguaglossas.
    4. ALMERIGHI
    «Mos u besoni luleve të bukura pa fruta!» (varg i poezie, Lule dhe fruta) 
    Falemiderit!
    5. GIORGIO LINGUAGLOSSA
    Unë mendoj shumë thjesht që nëse pas 15 vjet pune të detyruar, për të shtyrë një plug pas qeve, njeriu arrin të mbijetojë, mirë atëherë, do të thotë se është njeri. Faslli Hliti ka demonstruar se është një njeri për të qenë, dhe një poet i vërtetë (në krahasim me letrarët italianë që bëjnë poezi, profesionalisht korrekte, por dhe profesionalisht të padobishme). Siç shkruante Osip Mandelstam: «para se të jesh poet duhet të jesh qytetar. Por, le të pyesim, sa prej atyre të cilët, këtu te ne, shkruajnë poezi në revista prestigjioze, mund të përkufizohen «poet»?
    6. GABRIELE DI CIONE FRATINI I QUAJTUR L’ORCAGNA
    Shpresoj të jem aty në prezantimin e librit. Jam i sigurt se blogu do të na e kujtoj ndonjë ditë më parë. Ndërkohë, e çmova këtë njoftim para prezantimit. Përshëndetje.
    BashkimKozeli
    CAST…
    Vështroja detin në vetmi, Nga bordi i anijes hidhja thërrime Dhe prisja me sytë në kaltërsi, C’mysafir deti do të afrohej në “sofren” time.. 
    Por, sa ranë thërrimet në cipën e detit, U turr pulëbardha me majën e sqepit E me klithmën e saj “Krau, krau!”, Më shau :
    “ Pse rri si qyq, çfarë të ka gjetur ?! Ti.. mik ke mua, jo peshqit e fjetur..” Kështu më tha dhe lartësinë çau, “Krau…krau !…” 
    RAPSODI DULE
    Rapsodi Dule është këngë i tëri Dhe iso i mban gjithë fshati. Një ditë mes këngës u ndje një vaje… Qe mbesa e Kaso Petoshatit (1) 
    Të gjithë e ndërprenë ison Dhe Dulja heshti hijerëndë… “Mos qaj, i tha vajzës së vogël, Për Kason do të ngre një këngë…” 
    Dhe nisi këngën rapsodi Dule. Sa u drodh gryka e Dukatit. A thua shkonte mbi vendlindje Avioni i Kaso Petoshatit… 
    1) Kaso Petoshati, pilot, rene ne krye te detyres. 
    NENA E REFUGJATIT – elegji –
    Si nuk m’u ça zemra atë ditë Kur të pashë majës së direkut ! Dhimbja e lotët me verbuan sytë, Vura kujën si për një vdekur…
    Vura kujen si qyqe e korbë Për djalin e humbur ku ish ngjitur, Që e tundte dorën si një rrobë, Rrobë… a zemra ime e cfilitur ?…
    Mes zallamahisë me klithma e shkumbë, Vija veshin të të ndjeja zënë… M’u duk sikur erdhi gjer tek unë Zëri i dashur që thërriste: “Nënë !…”
    Por veshët e plakur me gënjyen, “Nënë!” flisnin gjithë djemuria… Oh, kjo zemra ime si s’u shqye, Kur u nis më ulërimë anija !!… 
    Qysh ike, o bir, nga Dheu e Nëna E m’u trete udhëve të botës ?… Si s’u hap kjo tokë t’më merrte brënda, C’perëndi më mbajti mend e kokës ?!…
    Si me ike, bir, në vend të huaj, Ashtu vjedhur, pa më marre uratë ?! Dal e vështroj yjet e malluar Mos të gjej mes tyre, atje lart… 
    Dal e vështroj thellë në errësirë E… që mos i shtoj detit dallgët, Lotët i përmbaj e rri e mpirë, Buzët i bëj gjak e duroj plagët…
    Kam merak ku ha, ku fle, ku prehesh ?… Nganjëherë për ty i flas dhe Hënës Dhe i përgjërohem që të kthehesh… Ti do vish… do vish, o bir i Nënës !
    Paçka që harramët e paudhë, Për shkollë e për punë ta plasën xhanin, Ti do vish, o bir, se këtu jam Unë… Se jam unë dhe gurët e Vatanit !…
    Ndaj, o Bir, të pastë Nena, ktheu ! Gjersa të vish ti, s’do më tresë Dheu…
    Bashkim KOZELI
    ****************************
    Sigal