Stoku i Borxhit Publik për Frymë në vitet 2010-2018 GT

    52

    Open Data Albania ka hulumtuar mbi ecurinë e stokut të borxhit për frymë në periudhën kohore 2010 – 2018. Borxhi për Frymë është një tregues që përllogaritet si raporti i borxhit total të marrë nga qeveria me numrin e popullsisë në vitin ushtrimor. Të dhënat janë marrë nga Ligjet për Buxhetet Vjetore të viteve nën analizë, dhe Ligje për miratimin e Buxheteve Faktike (buxhete të realizuara). Ndërsa të dhënat mbi popullsinë janë marrë nga projeksione mbi demografinë të Institutit të Statistikave, INSTAT. Për vitin 2018 të dhënat janë të planifikimit sipas Ligjit për Buxhetin 2018, sapo miratuar në Kuvend. Nga të dhënat e publikuara nga Ministria e Finanaca dhe Ekonomisë vemë re se ky tregues ka ardhur në rritje vit pas viti.

    Në vlerë absolute Borxhi për Frymë në 2018-n përllogaritet të jetë treqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e pesëmbëdhjetë lekë (395,015 lekë).
    Vlera e borxhit për frymë është përllogaritur duke pjestuar stokun e borxhit në 2018-n, e cila sipas shifrës së publikuar në Projektligjin për Buxhetin 2018 është një triliard e njëqind e tridhjetë e shtatë miliard lekë (1 137 620 000 000 Lekë).
    Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave numri i popullsisë (projeksione bazuar në të dhëna të Census 2011) në 2018-n do të jetë dy milion e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë nëntëqind e dyzet e një banorë (2 879 941 banorë).
    Në vitin 2018 përqindja e rritjes së stokut të borxhit me bazë vjetore është 3.13 për qind. Në 2017 kjo rritje e stokut të borxhit ishte 2.29 për qind, rreth një pikë përqind më pak se sa është projektuar për 2018-n. Në trendin rritës ka hyrë dhe ritmi i rritjes së borxhit për frymë, ku shënon rritje me 3.23 për qind pas vitit të tretë me ngadalësim të rritjes.
    Rritja me bazë vjetore më e lartë e borxhit ishte në 2014-n, ku stoku i borxhit ishte rritur me 10,4 për qind krahasuar me një vit më parë.
    Një ndër shkaqet kryesore për tu konsideruar në përllogaritjet dhe parashikimet e borxhit në vitet e fundit ka qenë edhe zhvlerësimi i monedhës europiane Euro përkundrejt valutës vendase. Stoku i borxhi përbëhet nga borxhi i brendshëm dhe borxhi i jashtëm. Borxhi i jashtëm paraqitet me rënie edhe për shkak të mbiçmimit të monedhës vendasë në raport me monedhën Euro. Në rast se monedha euro do të forcohet sërish në tregun vendas të këmbimit valutor, do të kishim një rritje të stokut të borxhit. Artikullin dhe vizualizimet ju mund ta gjeni duke klikuar tek Open Data Albania. Një tjetër artikull është ai i publikuar mbi kosto të borxhit për frymë në vitin 2018.