Sot derbi, Tirana-Partizani përplasin brirët

568
Sigal

Tifozët në pamundësi për të qenë në stadium, grumbullohen në pika të ndryshme për të dhënë mbështetjen e tyre

Kjo javë e gjashtë e Superligës hapet me dy ndeshjet e ditës së sotme, Apolonia-Kukësi dhe Tirana-Partizani. Një javë që vë përballë pretendentët për titull dhe ata më pak të kuotuarit, vë përballë skuadrat që bënë historinë e një qyteti, me Tiranën dhe Partizanin që luajnë kundër njëra-tjetrës që në vitin 1947 dhe kanë eklipsuar çdo ndeshje tjetër që është luajtur në të njëjtën ditë, ashtu si edhe sot, pasi takimi tjetër shumë i rëndësishme i Superligës në këtë javë të gjashtë, Apolonia-Kukësi që luhet  në ora 17:00, është lënë disi në harresë. Ndeshja hapëse e kësaj jave është ajo në Fier, me Apoloninë që kërkon të marrë një rezultat pozitiv në shtëpi ndaj Kukësit që i duhet fitorja më shumë se kurrë pas dy humbjeve të pësuara rresht. Fierakët deri më tani kanë treguar se dinë të jenë problematikë në shtëpi ose siç po i quajnë tani, si skuadër fushe, ndërsa kuksianët kanë nevojë për fitore, duke parë se dy ndeshjet e fundit i humbën ndaj skuadrave që po qëndrojnë në krye të renditjes dhe i kanë rivale të drejtpërdrejta për titull, Skënderbeu dhe Partizani. Por ndeshja tjetër e ditës së sotme, Tirana-Partizani, është ndeshja që ka bërë të flasë një popull të tërë, pak për historinë mes klubeve, rivalitetin mes tifozëve dhe mbi të gjitha për stadiumin që do qëndrojë i heshtur nën dritat e prozhektorëve. Çdo gjë tani duket se do hidhet pas, pasi është koha që të flasë vetëm fusha dhe lojtarët. Futbollistët dhe trajnerët duken më në gatishmëri se kurrë, pasi bëhet fjalë për ndeshjen që e presin gjatë gjithë sezonit dhe kur bashkë me derbin përfshihet edhe lufta për titullin, nuk ka nevojë për motivim shtesë për futbollistët. Pritet që nga të dy kampet mos të ketë mungesa në futbollistë, me Currin dhe Bakajn që rikthehen pas dënimeve për Tiranën dhe me Partizanin që disponon të gjithë futbollistët. Ndeshja do të jetë sonte në ora 20:00, në “Qemal Stafa”, stadiumi që e ndajnë bashkë të dyja këto skuadra por që për fat të keq, këtë ndeshje është Tirana pritëse dhe siç e dimë të gjithë nuk do lejohen tifozët në stadium.

Partizani-Tirana, 64 vjet histori dhe statistika

136 ndeshje të luajtura

54 fitore, 40 barazime, 42 humbje për të kuqtë

Golavarazhi: 197 të shënuar me 158 të pësuar për të kuqtë

24 tituj kampion Tirana

15 tituj kampion Partizani

Fitoret më të thella ndaj njëra- tjetrës:

Partizani-Tirana: Gusht 1947     8-0

Tirana-Partizani:  Shtator 1985  7-3

 

Ndeshjet e datës 26

Apolonia 17:00 Kukësi

Tirana 20:00 Partizani

Ndeshjet e datës 27

Vllaznia 16:00 Elbasani

Teuta 19:00 Skënderbeu

Flamurtari 19:00 Laçi

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1. Flamurtari         5        10

2. Skënderbeu       5        10

3. Tirana               5        10

4. Partizani            5        10

5. Kukësi               5        7

6. Laçi                   5        6

7. Vllaznia             5        5

8. Teuta                 5        4

9. Apolonia           5        4

  10 Elbasani            5        0

 

Tifozët e Partizanit ‘dërgojnë’ derbin në Laprakë

Është vendosur nga tifozët e Partizanit, ose më saktë grupimi ‘Ultras Guerrils’, se në pamundësi për ta ndjekur ndeshjen në ambientet e stadiumit “Qemal Stafa” do të grumbullohen të gjithë tek fusha e Laprakës nga ku do të japin mbështetjen e tyre për skuadrën. Anëtarët e grupit janë shprehur se nga pamundësia për tu organizuar tek “Asllan Rusi” ose tek Piramida, vendosen si mundësinë më të mirë të mundshme grumbullimin në Laprakë nga ku, shprehen ata, do të festojnë fitoren e Partizanit.

 Tifozët e Tiranës e ndjekin ndeshjen nga “Selman Stërmasi”

Ashtu si tifozët e Partizanit, edhe tifozët e Tiranës kanë vendosur ta ndjekin ndeshjen të gjithë të grumbulluar dhe pika e takimit është  stadiumi “Selman Stermasi”. Behet me dije nga vete tifozët se do të fillojë grumbullimi sot në ora 19:00 e deri në fund që, sigurisht sipas tyre, do të festojnë fitoren e Tiranës.

 Presidenti Duka, ndeshja me Serbinë të luhet me tifozë

“Futbolli duhet të mbyllë hendeqet, jo t’i thellojë më shumë ata”. Kështu është shprehur Presidenti i FSHF, Duka, në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të Federatës në lidhje me ndeshjen Serbi-Shqipëri, që nxit tifozët për pjesëmarrje në stadiume, pasi sipas tij futbolli vlen për të mbyllur ndasitë dhe jo për të krijuar të reja. Ai vazhdon më tej duke thënë se të dy vendet duhet të tregojnë se janë  popuj europianë, duke shtuar se edhe tifozët serbë do të jenë të mirëpritur në ndeshjen e kthimit që do të luhet në “Elbasan Arena”.