Sot 28- vjetori i vdekjes së Enver Hoxhës, çfarë ndodhi pas lajmit

    444
    Sigal

    Flasin: Sulo Gradeci, Adem Allçi, Kurt Kola dhe Simon Miraka: Ku ishim në 11 prillin e vitit 1985

    Sot është 28 -vjetori i vdekjes së Enver Hoxhës, i cili është njëri prej akrepave të sahatit që ndau shekullin e kaluar në dy pjesë dhe realitetin shqiptar në dy mendime të kundërta, për të. Disa e quajnë luftëtar dhe patriot,  ndërsa disa të tjerë e cilësojnë thjesht, një “vrasës”. Madje, më të rrezikshëm se vrasësit me pagesë, sepse ai cilësohet si “vrasës me pushtet”. Në Shqipëri ka 23 vjet që përvjetori i lindjes dhe vdekjes së tij, përshkruhet nga indiferenca e përgjithshme zyrtare, por edhe nga organizime periferike të komunistëve që e mbajnë akoma në shtëpi fotografinë e tij. Një pjesë e popullatës shqiptare përmend krimet e tij, ndërsa një pjesë tjetër, tund akoma flamujt e sukseseve të tij të dikurshme. Në këtë mënyrë, duke evidentuar kartotekën e krimit, nuk duhet harruar edhe fakti tjetër pozitiv që ka të bëjë me zhdukjen e analfabetizmit, zhdukjen e gjakmarrjes, rigjenerimin e shërbimeve mjekësore, garancinë e punësimit, etj., etj.. Tolstoi, thotë se, “kur bën gjysmën e parë të rrugës njeriu mendon për atë që ka lënë prapa, ndërsa kur ai bën gjysmën e dytë të rrugës mendon për atë që do të gjejë përpara”. Të nesërmen, servilët filluan një garë shurdhuese për të shprehur zellin ndaj diktatorit, ishte para së gjithash një garë mbijetese. Askush në Shqipëri nuk kishte ndonjë rrugë të ndërmjetme që t’ia hidhte zyrtarëve mediokër duke folur me dy kuptime. Në rastin e vdekjes së Enverit, dykuptueshmëria nuk mund të llogaritej. Ndërkaq, në Kinostudio nisi gara e regjisorëve të filmit dokumentar për të realizuar xhirimet e tre filmave të tillë brenda një viti. Dy prej këtyre filmave i morën 2 regjisore femra dhe njërin, atë më kryesorin e morën dy regjisorë që punonin vazhdimisht së bashku. Për hir të së vërtetës filmi i tyre u vlerësua nga zyrtarët e lartë, duke marrë edhe nga një shpërblim. Por ndërkaq gara më e madhe po bëhej në artet figurative dhe sidomos në skulpturë. U hapën disa konkurse për përfaqësimin e figurës së Enver Hoxhës në qytetet, Tiranë, Gjirokastër, Korçë, etj, ku padyshim projektet e paraqitura kapnin standardet e kulminacionit. Në këtë garë mbijetese askush nuk mbeti prapa të tjerëve. Madje, gjatë diskutimeve para varrimit, disa propozonin variantin e muazoleumit, por më vonë pas kundërshtimeve të byroistëve njerëzit e ulën dozën e servilizmit. Madje, në njërën prej mbledhjeve të kinostudios, ku një regjisor i njohur përsërit kërkesën për ta futur Enverin në Mauzoleum, Foto Çami që ishte i pranishëm ulëriti brutalisht duke thënë: A nuk e kuptoni se vendvarrimi i tij, është pjesa e amanetit që na la”. Gjatë atyre ditëve, Sabri Godo ngjiti shkallët e Lidhjes së Shkrimtarëve duke kërkuar nga Dritëro Agolli, që atij t’i jepej e drejta e botimit të biografisë së Enver Hoxhës. Por Nexhmije Hoxha ishte kundër. Ndërkaq, kërkesa e Godos për shkrimin e këtij libri nuk buronte shumë nga dashuria e tij për Enverin, por ndofta nga kureshtja për të njohur thellësinë e krimit të bërë. Nga ana e vet, Ismail Kadare planifikoi një libër të posaçëm për Enverin, përveç disa librave të tjerë që kishte botuar më parë. Brenda një kohe të shkurtër, arti shqiptar u mbulua me preokupimin e krijimtarisë për Enver Hoxhën. Natyrisht, shumica e atyre që u krijuan në atë periudhë, për të mos thënë të gjitha ato që u prodhuan nën këtë frymë rezultuan si skarcitete. Dhe si për ironi, më i miri i të gjithëve rezultoi libri i Blendi Fevziut që u shkrua rreth 25 vjet më vonë.

     Skulptura

     Por në lëmin e skulpturave, rezultati ishte më i prekshëm. Përkohësisht monumentet e Enverit bllokuan pamjet e qyteteve që lidheshin me veprimtarinë e tij, por më vonë rezultoi se bronzi kishte shkuar dëm. Sepse bustet e tij, së bashku me ato të Stalinit përfunduan në magazinat e skrapit, ose u bashkuan me bustet e Hitlerit dhe Duçes, të cilat qëndronin në Kinostudio dhe mbetën pa pronar. Gjithashtu, zhvillimi i dramaturgjisë rifilloi t’i rikthehej figurës së tij, drama e njohur “Komunistët”, u rivu në skenë dhe pati suksese rekord. Çdo natë salla ishte plot. Në muzikë, këngët për Enverin ishin gjithashtu të pranishme, por gjithmonë jashtë konkurrimit festivalor. Kjo ndodhte sepse këngët për të ishin nga më mediokret. Ndërkaq, udhëheqësit e rinj komunistë filluan të silleshin si shërbëtorë të bindur ndaj Nexhmije Hoxhës. Lidhja e Kadaresë me të venë e Enverit ishte një lidhje që funksionoi për keq, por gjithsesi ishte një lidhje që nuk vazhdoi gjatë. Regjisorët dhe skenaristët e filmave vrapuan për të paraqitur projekte skenarësh, por pranimi i tyre vështirësohej nga niveli i ulët. Në anën tjetër, varfëria po shtohej dhe shpresa po venitej. Universi shqiptar po bindej se Ramiz Alia nuk e mbante dot peshën e reformatorit, prandaj një pjesë e intelektualëve e humbën besimin tek ai. Dukej se frika po shuhej dhe diktatura po zbulohej me lakuriqësinë e vet. Ramiz Alisë po i numëroheshin ditët e drejtimit të shtetit. Ndërsa kryeministrit Adil Çarçani po i afrohej skleroza e pleqërisë, ndërkohë që, Shqipëria ishte vendi me mesataren e moshës më të re në Europë.

     Sulo Gradeci: Bisedat e fundit me Enverin

     Sulo Gradeci, ish-drejtuesi i lartë i njësisë së truprojave ka treguar disa detaje të ditëve të fundit me Enverin. Ai kujton: “Mbaj mend se në një prej ditëve të  fundit, më pyeti: “Ku janë mjekët”? Unë iu përgjigja: Janë këtu, pranë nesh. Dhe ai më pyeti prapë: Çfarë thonë mjekët për mua, mos vallë më dinë se nuk mund të shërohem më”? Dhe pastaj vazhdoi: “Por unë do të shërohem shpejt dhe do të bëhem mirë, sepse e ndjej veten të fortë akoma. Veçse kam një hall”. Çfarë halli? E pyeta unë. Dhe ai m’u përgjigj: “Unë dua disa pamje fotografike nga lagjet e Gjirokastrës. Më ka këputur malli për Gjirokastrën, por tani nuk mund të shkoj atje. Do shkoj kur të bëhem më mirë, por tani dua disa fotografi të qytetit tim. Prandaj, të lutem ma plotëso këtë dëshirë”. Dhe unë ia plotësova menjëherë dëshirën. Ndërsa ngjarja tjetër lidhet me ditët kur ishte përkeqësuar. Ne po qëndronim jashtë derës së dhomës, por po ndiqnim me kujdes çdo lëvizje të tij. Dhe në atë moment Enveri po qëndronte pranë dritares dhe nuk lejonim askënd të bënte zhurmë. Në atë çast, Enveri ia mori një kënge me zërin e tij të njohur: O Adriatik i mjerë/ pse sjell dallgë dhe këtë herë”? Pastaj Enveri vazhdoi: “Pse sjell dallgë edhe furtunë, Vlorën dhe Karaburunë ta zunë”, etj., etj..

     Adem Allçi: Vdekja e Enverit, një gëzim

     “Dita e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha ka qenë një ditë fatlume dhe e gëzueshme, për të gjithë ish të përndjekurit politikë, në burgjet e Shqipërisë”. Kjo ishte deklarata e djeshme e njeriut që prej vitesh sintetizon simbolin e rezistencës kundër tiranisë. Duke folur për këto momente, Allçi vijon të tregojë se atë ditë në mjediset e burgjeve politike pati një lëvizje të jashtëzakonshme zyrtarësh dhe delegatësh të ardhur nga jashtë. Bënin orë pas ore mbledhje të zgjatura, me ish të burgosurit politikë. “Kjo ndodhte sepse ata donin që të mos të na linin kohë të gëzoheshim, por të na e zinin plotësisht, kohën me konferenca e mbledhje të pafundme, në mënyrë që ne të mos i shprehnim dot hapur dhe lirisht, njëri-tjetrin, entuziazmin që na kishte mbërthyer”, thotë ai. Megjithatë, sipas Allçit, kjo ndihej nga shkëlqimi i syve të këtyre njerëzve të kryqëzuar pas hekurave, vetëm për fajin e vetëm, se ata nuk e donin diktaturën dhe e kishin kundërshtuar atë. Dhe për këtë arsye secili prej tyre kishte organizuar barrikadën e vet të rezistencës, qoftë duke kundërshtuar, ose , qoftë duke tentuar arratisjen, në mënyrë që pas ikjes të mos dëgjonin më, çmenduritë dhe lajthitjet e presidiumeve komuniste. “Ne, kujtuam se pas vdekjes së Enverit, gjithçka do të ndryshonte shpejt, por nuk ndodhi ashtu”, thotë me dëshpërim, Adem Allçi. Sepse, sipas tij, “Ramiz Alia montoi një sistem kriminal, po aq të rrezikshëm, sa i pari, por iluzionet e të përndjekurve politikë kishin pasur nevojë për një çengel shprese”. Por e keqja nuk njihte limite të shkallëzimit të vet. Sipas Adem Allçit, “kjo e keqe, atë ditë të vdekjes së Enverit shpalosi një përmasë ogurzezë, e cila të trondit edhe kur përmendet, tani, 26 vjet më vonë. Pra, sot kur dëgjon rrëfimin e Allçit, njeriu nuk ka se si të mos rrëqethet nga përmbajtja e ligjëratës së tij. “Atë ditë në kamp na erdhën ca zyrtarë që na kërkuan të bënim një telegram ngushëllimi për Nexhmije Hoxhën. Ky telegram pak, a shumë duhej të kishte këtë përmbajtje: “Ne, të burgosurit politikë, ju shprehim ngushëllimet tona për vdekjen e bashkëshortit tuaj dhe udhëheqësit të madh e të lavdishëm të vendit tonë. Me këtë rast, ne, ndihemi shumë të pikëlluar dhe e ndajmë këtë pikëllim me të gjithë Shqipërinë, si edhe me familjen tuaj të nderuar”. Ky ishte projekti i letrës që do t’i dërgohej Nexhmijes atë ditë. Por Adem Allçi i tha, “jo”, një turpi të tillë.

     Kurt Kola: Ja si e pritëm vdekjen e Enverit

     “Me ish të burgosurit politikë të Burrelit ka ndodhur një fenomen i çuditshëm, sepse ne, e kishim parashikuar vdekjen e Enver Hoxhës, shumë kohë para se t’i vinte dita”. Kështu, e nis rrëfimin e tij, kreu i ish të përndjekurve, Kurt Kola, i cili thotë se nga ato që dëgjonin për gjendjen shëndetësore, vdekja e Enverit ishte parashikuar në mars. Më tej Kola tregon se, rastësia bëri që edhe në mëngjesin e asaj dite prilli, të burgosurit politikë ta merrnin vesh vdekjen e Enverit, përpara se këtë gjë ta mësonte komanda e burgut. Duke zbërthyer kasafortën e kujtesës, ai tregon një e nga një detajet e këtij misteri. “Atë ditë në orët e mëngjesit, ndryshe nga ditët e tjera, altoparlanti, filloi të jepte muzikë me këngët patriotike të grupit të Korçës. Dhe pas mbarimit të tyre, radioja nisi menjëherë muzikë funebër, duke e prishur ritualin e përditshëm. Atëherë, ne i thamë njëri-tjetri: “Paska ngordhur qeni”, pohon Kola duke shtuar se: “Dhe nisëm të diskutojmë për të gjitha këto, ndërkohë, që dhoma jonë me numër 5, u bë shumë shpejt një Parlament i vogël debatesh mbi të gjitha ato, që paramendonim se mund të kishin ndodhur. Natyrisht, pati opsione të ndryshme, por gjithsesi, për një gjë ishim krejt të bindur: diktatori kishte cofur”. Më tej Kurt Kola e vazhdon rrëfimin e tij në këtë mënyrë: Duke bërë këto bisedime në dhomë, papritur polici i burgut na dëgjoi, se çfarë po thoshim. Dhe menjëherë, ai shkoi dhe raportoi në komandën qendrore se, “të burgosurit thonë, që Enver Hoxha ka vdekur”.

     Simon Miraka: Lajmin  e mora vesh nga stacioni italian

     “Kur vdiq diktatori Enver Hoxha, ne, vazhdonim dënimin në Gjuz, të Lushnjës. Gjithçka e kishim marrë vesh nëpërmjet stacionit italian të radios dhe më vonë, pamë helikopterët që lëviznin vazhdimisht, si edhe vumë re shtimin e numrit të oficerëve dhe ushtarakëve”. Ky është një fragment i rrëfimit të kreut të ish të përndjekurve politikë, Simon Miraka, i cili e vijon tregimin e tij, duke thënë, se, në ato moment, të gjithë të dënuarit dhe të internuarit provuan emocione gëzimi. “Të gjithë u gëzuam, sepse kishte vdekur një kriminel”, vë në dukje ai. Gjithashtu, Simon Miraka thotë se, “po atë ditë zyrtarët dhe oficerët na mblodhën në një si gjoja ceremoni mortore, për vdekjen e sekretarit të Parë. Por aty, ata vunë re se askush prej nesh nuk po qante dhe se askujt prej nesh nuk po i dhimbsej vdekja e diktatorit. Prandaj, njëri prej oficerëve tha: “Ne po flasim, por këta nuk po qajnë”.