S’ka siguri në shkolla, policia vjen pas ndodhjes së incidenteve mes të rinjve

    417
    Sigal

    MASAT NË SHKOLLA/ Mungon prania e patrullave të forcave të policisë

    Me fillimin e vitit të ri shkollor lindin edhe një sere problematikash që kanë të bëjnë me rendin dhe qetësinë në shkolla. Ashtu si edhe vitet e kaluara, ku nuk kanë munguar incidentet, plagosjet me armë të ftohta edhe këtë vit kanë filluar që të nisin zënkat e para për gjëra të vogla midis të rinjve. Kjo problematikë nuk ka lindur tani, ajo është e pranishme për çdo vit arsimor. Por marrja e masave për parandalimin e këtyre ngjarjeve aspak të këndshme është një çështje më vetë që nuk ka marrë një zgjidhje. Edhe pse jemi në fillimin e vitit të ri shkollor, kanë filluar incidentet e para të rënda që të ndodhin nëpër shkolla. Burimi i këtyre ngjarjeve kryesisht janë: Ngacmimi, rrahjet dhe prania e armëve të ftohta, janë ndër pikat kryesore nga ku burojnë edhe incidentet e herëpashershme në ambientet e shkollave. Dy ditë më parë ndodhi një ngjarje e rëndë në një nga shkollat e mesme të kryeqytetit, ku mbetën të plagosur dy nxënës.

    Problematika

    Zënkat midis nxënësve të shkollave shpeshherë e kalojnë masën e një zënke dhe kalojnë në plagosje me thika dhe sende të tjera të rrezikshme. Pyetja më e thjeshtë është po policia çfarë po bën? Në lidhje me këtë temë duke marrë shkas edhe nga disa ngjarje të ndodhura, “Telegraf” ka bërë disa vëzhgime në shkollat e kryeqytetit për këtë problem. Një ndër incidentet e ndodhura së fundmi ishte në shkollën “Qemal Stafa”, ku u plagosën dy të rinj më thika për motive banale dhe një ngjarje tjetër e ndodhur në një shkollë në Librazhd ku një nxënës rrahu drejtorin e shkollës. Është thënë edhe nga kryeministri që forcat e rendit do të ndihmojnë në ruajtjen e sigurisë në shkolla. Po si do të ndihmojnë në ruajtjen e sigurisë? Nga vëzhgimi i bërë në shkollën “Ismail Qemali”, “1 Maji” apo dhe shkolla të tjera në kryeqytet nuk kishte asnjë patrullë policie pranë këtyre shkollave, për të ruajtur qetësinë, siç është thënë. Burime kofidenciale nga shkollat bëjnë të ditur se, forcat e policisë vijnë në raste kur ka incidente. Po ashtu edhe nxënësit e këtyre shkollave shprehen për “Telegraf” se: “Rrallë shohim që të lëvizin patrullat e policisë, madje në të shumtën e rasteve vijnë kur ka ndonjë incident”.

    _____________________________________________________________________________________

    DREJTORI I SHKOLLËS “AHMET GASHI”: POLICIA VJEN KUR KA INCIDENTE

    Prania e forcave të policisë në ambientet e shkollave vjen në momentin që është e nevojshme ndihma e saj. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur në një prononcim për “Telegraf” edhe drejtori i shkollës nëntëvjeçare “Ahmet Gashi”në kryeqytet Ndue Kolndreu. Sipas tij, marrëdhëniet me forcat e policisë janë të mira, dhe ato paraqiten sa herë që ka ndonjë problem në ambientet e shkollës. Ai ka theksuar se: “Nga përvoja ime si drejtor i shkollës “Ahmet Gashi” ne kemi pasur marrëdhënie të rregullta me forcat e policisë. Ato vijnë sa herë që mund të ndodhin incidente dhe është e nevojshme prania e tyre. I pyetur nga “Telegraf” nëse ato bëjnë një patrullim të rregullt çdo ditë pranë shkollës “Ahmet Gashi” ai ka thënë se: “Nuk janë të pranishme në çdo kohë dhe se nuk bëjnë lëvizje të rregullta, për arsye se kanë edhe punë të tjera”.