Simon Miraka: Hetuesit, e gjyqtarët e komunizëmit, nuk mund të jenë ekspertët e reformës së drejtësisë

    377
    Gazeta “Telegraf” para disa ditësh botoi të plotë listën e ekspertëve të reformës së drejtësisë, të cilët ishin ata që kanë hartuar edhe draftin që Komisioni Parlamentar i Reformës në Drejtësi, ia ka përcjellë për vlerësim Komisionit të Venecias. Politika, e sidomos PS këmbëngul shumë që ky draft i hartuar nga ekspertët vendas dhe të huaj, duhet të pranohet me konsensus nga të gjitha forcat politike parlamentare, pasi është apolitik dhe është një draft që e kanë hartuar ekspertët me të mirë vendas dhe të huaj. Mirëpo, disa nga këta ekspertë të reformës në drejtësi, kanë qenë edhe hetues, gjykatës dhe prokurorë të kohës së diktaturës. Simon Miraka, kryetari i shoqatës antikomuniste të ish-të përndjekurve politikë në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se, nuk mund të jenë pjesë e kësaj reforme në drejtësi, ata gjykatës, ata hetues, ata prokurorë që dënuan kundërshtarët e tyre politikë në komunizëm. Zoti Miraka, pohon se nga shtresa e tyre shoqërore nuk ka asnjë përfaqësues në ekspertët e reformës në drejtësi. Zoti Miraka thotë se, nuk mund të ketë drejtësi, derisa politika, qoftë e majta, qoftë e djathta, të emërojnë drejtuesit e institucioneve të drejtësisë. Zoti Miraka, duke fotografuar ata ish- prokurorë, ish- gjykatës dhe ish- hetues që janë edhe deputetë, pohon se nuk mund të ketë dekriminalizim të politikës, pa dekomunistizim.
    Sigal

    -Zoti Miraka, cila është pritshmëria juaj për reformën në drejtësi?

    – Për reformën në drejtësi është folur shumë kohët e fundit. Sigurisht që reforma në drejtësi është një domosdoshmëri për funksionimin e shtetit të së drejtës, këtë e kemi pritur ne, si shtresa që ka ndier më shumë se kushdo tjetër peshën e rëndë të padrejtësisë. Shteti i së drejtës funksionon, mendoj unë, kur kemi një gjyqësor të pavarur nga politika. Për sa kohë gjyqtarët e të gjitha shkallëve emërohen nga politika, po kështu edhe prokurorët e tjerë, nuk mund të pretendohet që të kemi shtetin e së drejtës. Besoj se kjo reforme duhet t’i japë fund këtyre preferencave me ngjyra politike. 

    – A duhet që në sistemin e drejtësisë, të jenë ish-prokurorë, ish-hetues, ish- gjyqtarë, që kanë shërbyer edhe në diktaturë?

    – Ish-të përndjekurit gjatë këtyre viteve të demokracisë e kanë ngritur zërin që ish-gjyqtarët, prokurorë e hetues, që kanë marrë pjesë në gjyqe politike, duhet të mos jenë pjesë drejtësisë në demokraci. Shteti funksionon me ligje, për sa kohe nuk ka një ligj që përjashton këtë pjesë të inkriminuar në periudhën e diktaturës, atëherë ata kanë të drejtën qetësisht të vazhdojnë si profesionistë edhe në sistemin e drejtësisë në demokraci. Moral nuk ka, sepse ata gjyqtarë apo hetues dhe prokurorë do bien sot ndesh me mendimet e vendimet e tyre kur vepruan në diktaturë, se janë ata që me vendimet e tyre, ekzekutuan njerëz te pafajshëm, burgosën e internuan kundërshtarët politikë diktaturës komuniste. 

    – Në ekspertët e përzgjedhur nga Komisioni Parlamentar i Reformës në Drejtësi ka shumë ish-prokurorë, ish-gjyqtarë, ish-hetues që kanë qenë edhe në diktaturë. A është ky fakt, një rastësi?

    – Si mund të jenë këta ish-gjyqtarë, ish- prokurorë, ish-hetues të diktaturës komuniste, tashme edhe pjesë e reformës së drejtësisë dhe të jenë madje, edhe ekspertët që do hartojnë edhe vetë ligjet e reformës së drejtësisë të demokracisë tonë?! Këto janë paradokse të vendit tim, që na imponon kjo mazhorancë, e cila përherë ka pikëreferimi të ideologjisë së saj vetë komunizmin. Ndërkohë, kur ne kemi mjaft të rinj të shkolluar brenda e jashtë shtetit, që nuk kanë asnjë lidhje me të kaluarën. Po e përsëris edhe një here, sa kohe nuk kemi ligje që i përjashton pjesën e inkriminuar, por edhe ata që ishin mekanizmi i ekzekutimit të kundërshtarëve politikë të diktaturës komuniste, ata, edhe tani, në këtë demokraci, “kanë” të drejtën e tyre të jenë pjesë e reformës. Sepse është politika e të dy krahëve që këtë pjesë të dhënies së padrejtësisë, e ngriti në piedestal, që as ata vetë nuk e kishin menduar, duke ju dhënë dekorata, duke i emëruar në shkallët më të larta të institucioneve kushtetuese të drejtësisë shqiptare.

    – Përse këta nuk duhet të jenë ekspertët që hartojnë reformën në drejtësi?

    – As gjë nuk është rastësi. Nga politika bëhet luftë, kush ta ketë supermacinë në drejtësi. Ne gjithmonë na janë imponuar ndërkombëtarët për reforma, si në drejtësi e kudo, jo se e ka ndier klasa jonë politike si domosdoshmëri. Është politikëbërja që ka qenë dirigjenti i orkestrës së drejtësisë. Pra, për sa kohë reformatorët e drejtësisë janë ish-ët, ndjehesh skeptik, megjithatë le të shpresojmë, duke qenë se të drejtën e reformimit e ka kushdo. 

    – Po nga shtresa e ish- të përndjekurve politikë, a ka përfaqësues ekspertësh në Komisionin Parlamentar të Reformës në Drejtësi?

    – Nga shtresa e ish-të përndjekurve nuk kam dijeni që të jenë pjesë e reformës. Mendoj se djem, apo vajza që kanë kualifikimin e duhur duhet të ishin pjesë e reformës në drejtësi. Sepse ata që kanë vuajtur nga padrejtësia sociale, politike, dinë më mirë se kushdo tjetër se çdo të thotë drejtësi.
    Dekriminalizim nuk mund të ketë, pa dekomunistizim

    – Meqë flasim për dekriminalizimin e politikës. A duhet të jetë deputet sot, një ish-gjyqtar që në diktaturë ka dënuar njerëz për bindjet politike? 

    – Ligjvënësit tanë po diskutojnë për dekriminalizimin dhe mirë bëjnë. Unë mendoj se dekriminalizim nuk mund të ketë, pa dekomunistizim. Diskutohet e quhet krim një që është marrë me drogë, me prostitucion, me korrupsion, qoftë pasiv, etj. Desha t’ju them këtyre zotërinjve të nderuar, ligjbërësve tanë, politikëbërjes: Ata që u burgosën, që u ekzekutuan dhe u internuan për bindjet e tyre politike, pra për liri e demokraci, a janë pjesë e krimit? Idetë e atyre që u martirizuan për liri e demokraci triumfuan, ne jemi të lirë. Mendoj se ata njerëz që shkaktuan këtë tragjedi, nuk duhet të jenë pjesë e drejtësisë e as e politikës. Shtetet demokratike nuk funksionojnë me dëshira apo keqardhje, por me ligje.

    – Faleminderit!