Sigurimet Shoqërore mbushin buxhetin në kurriz të invalidëve

    403
    Sigal

    DRSSH-të nxjerrin debitorë invalidët e pjesshëm, duke shkelur ligjin e sigurimeve shoqërore

    Sigurimet Shoqërore i kërkojnë personave me aftësi të kufizuar rikthimin e parave të pensionit të pjesshëm të invaliditetit, edhe pse atyre u takon me ligj kjo pagesë. Kjo, sepse auditi i ISSH-së i ka gjetur invalidët e pjesshëm në marrëdhënie pune. Por, në legjislacionin e Sigurimeve Shoqërore, kur një person është i paaftë të kryejë detyrën e mëparshme, por mund të punojë në kushte më të lehta pune, Komisioni Mjekësor i caktimit të Aftësisë për Punë ka të drejtë t’i caktojë pension të pjesshëm invaliditeti. Pra, thënë më thjeshtë, invalidët e pjesshëm kanë të drejtë të punojnë në punë më të lehtë, por njëkohësisht mund të marrin edhe pension të pjesshëm invaliditeti. Porse, Sigurimet Shoqërore kanë vendosur t’i quajnë debitorë në shuma të konsiderueshme, të cilat do i rikthejnë. Sigurimeve Shoqërore kanë vendosur t’u mbajnë gjysmën e pensionit çdo muaj, deri në plotësimin e shumës për të cilën ata janë debitorë. Vetë invalidët këtë e quajnë një diskriminim nga ana e Sigurimeve Shoqërore, pasi sipas tyre, ata kanë plotësuar kushtet e vërtetimit të Kempit ( për shembull kur KEMPI i ka vënë si kusht të punojë vetëm 6 orë), përpos disa rasteve kur vetë qendra e punës u ka kërkuar të punojnë 8 orë.

    Ja disa nga ankesat e invalidëve të pjesshëm

    -Znj. V.U i kërkohet rikthimi i shumës 487 253 lekë, për periudhën e përfitimit 1.4.2008 – 30.3.2014. Pa paragjykuar rastin, ajo çka vihet re është fakti se, nëse kjo zonjë ka përfituar padrejtësisht pensionin e pjesshëm të invaliditetit, ku kanë qenë sigurimet shoqërore për 6 vjet? Përse gjatë gjithë këtyre viteve nuk kanë kryer funksionin e tyre? Sqarojmë se zonja është invalide e pjesshme (pra, nuk ka përfituar pensionin me pa të drejtë, porse ka qenë edhe në marrëdhënie pune), e vërtetuar nga KMCAP.

    -Znj. K.M. duhet t’i kthejë sigurimeve shoqërore shumën prej 280 268 lekësh me nga 3 980 lekë në muaj (50 % e pensionit). Ndërsa gjykohet se ka përfituar padrejtësisht këtë pension nga 1.11.2010-31.7.2013. Pra, siç vihet re sërish janë shumë vite që auditi, mesa duket, nuk ka ushtruar funksionin e vet. Ndërsa zonjës në fjalë i ngelen vetëm 3 980 lekë në muaj për të përballuar jetesën.

    -Të njëjta situata paraqiten edhe në rastet e znj. I.D., e cila është debitore ndaj sigurimeve shoqërore në shumën e 348 616 lekësh, si dhe znj. L.K, debitore në shumën 624 756. Në të gjitha procesverbalet, e lëshuara nga sigurimet shoqërore, nuk përcaktohet qartë arsyeja se pse këta invalidë janë debitorë ndaj ISSH-së, ndërsa ajo që të bie në sy është koha shumë e largët që kur nuk ka funksionuar auditi në këtë institucion.

     Omuri: Shpresojmë në një zgjidhje sa më të drejtë

    I pyetur nga “Telegraf” për këtë problem, kreu i Shoqatës së Invalidëve të Punës, z. Abdulla Omuri pohon se ka marrë ankesa të tilla nga invalidë të pjesshëm, gjë që ia ka përcjellë edhe Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore, ku shpreson në një zgjidhje sa më të drejtë. Nga ana tjetër, ai tregon se është drejt zgjidhjes një problem që ka shqetësuar deri më tani invalidët e punës. Kështu, sipas Omurit, invalidët e pjesshëm nuk pajiseshin nga Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore me vërtetimin e invaliditetit, pasi dilnin në pension pleqërie. Porse në ligjin “Për statusin e invalidit” përcaktohet se “statusi i invalidit vazhdon edhe pas mbushjes së moshës për pension pleqërie”. Ndaj, mosdhënia e këtyre vërtetimeve i mohonte invalidëve të punës të drejta të fituara me ligj.Porse me ndërhyrjen e drejtoreshës së ISSH-së, znj. Vjollca Braho, ky problem është drejt zgjidhjes përfundimtare, pohon z. Omuri.

    Fadil Kepi: Pensioni i pjesshëm i invaliditetit

    Pensionet e pjesshme të invaliditetit. Kur invalidi i ka vitet e punës të siguruara për pension invaliditeti, e bëhet i paaftë të kryejë detyrën që kishte, por mund të punojë në kushte të veçanta pune, KMCAP ka të drejtë t’i caktojë pension të pjesshëm invaliditeti, i cili është sa gjysma e pensionit të plotë të invaliditetit.

    Për shembull: Një shofer autobusi në linjën urbane pëson frakturë në njërën dorë e për një periudhë kohe ai nuk mund të drejtojë automjetin, prandaj KMCAP mund të vendosë që për një periudhë sa të shërohet krahu, të bëjë një punë më të lehtë si shitës biletash, roje në parking, etj.. Në këtë rast shoferi paguhet më pak, por përfiton edhe pension të pjesshëm invaliditeti nga Sigurimet Shoqërore dhe 2.700 lekë në muaj në komunë ose bashki, nëse aksidenti ka ndodhur në punë dhe 2.200 lekë, kur ka ndodhur jashtë punës. Në Nenin 15 të Ligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit” thuhet: “Çdo punëdhënës, që punëson më tepër se 24 punonjës, është i detyruar të punësojë një person me aftësi të kufizuar për çdo 25 punonjës të personelit të tij”.