Si po nëpërkëmben të drejtat e pronarëve me Aktin Normativ

    419
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Agim Toro, sekretari i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” për problemet e aktit

    Zbatimi i Aktit Normativ për lirimin e banesave të pronarëve po ndesh në vështirësi të ndryshme për shkak të ankesave të personave që jetojnë në këto banesa. Shoqata e qiramarrësve ka ngritur një padi për shfuqizimin e këtij akti dhe për këtë është zhvilluar një seancë gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese. Por në këtë seancë nuk janë lejuar që të jenë pjesë përfaqësuesit e Shoqatës së pronarëve. Në lidhje me këtë ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Agim Toro, sekretari i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”. Sipas tij, në seancën e zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese u është mohuar e drejta shoqatës së pronarëve për të përfaqësuar pronarët në këtë proces.

    -Zoti Toro, është zhvilluar seanca e parë gjyqësore në lidhje me shfuqizimin e Aktit Normativ, mund të na thoni diçka më konkretisht në lidhje me këtë seancë?

    -Po është e vërtetë që dy ditë më parë është zhvilluar procesi gjyqësor në gjykatën Kushtetuese përsa i përket shfuqizimit të Aktit Normativ për lirimin e banesave. Në këtë proces që u zhvillua  është dëgjuar shoqata e qiramarrësve për pretendimet që ajo ka dhe këshilli i ministrave së bashku me Parlamentin e Shqipërisë. Çuditërisht ne që kërkuam që të merrnim pjesë si palë e interesuar meqenëse jemi shoqata që mbron të drejtat e Pronarëve të Shqipërisë, nuk u pranuam nga Gjykata Kushtetuese. Kjo tregon që kemi të bëjmë me një proces jo të rregullt në lidhje gjyqësor. Por nuk është hera e parë që gjykata Kushtetuese mban qëndrime anti-pronar, pa hyrë akoma në thelbin e çështjes.

    -Me çfarë justifikimi nuk ju pranuan ju si shoqatë pronarësh që të merrnit pjesë në këtë seancë?

    -Po nuk u pranuam dhe kjo është e patolerueshme. Pasi ne donim që të ishim pjesë e këtij procesi, pasi këtë të drejtë na e jep edhe Kushtetuta e Shqipërisë. Ne bëmë edhe dorëzimin e aktit të themelimit të shoqatës, po ashtu ne dorëzuam edhe vendimin gjyqësor, ku ne rezultojmë si person juridik, po ashtu kemi dorëzuar edhe statusin e shoqatës e cila ka për detyrë të mbrojë të drejtat e anëtarëve të vet. Kushtetuta e Shqipërisë i jep të drejtë shoqatës që të kërkojë drejtësinë të zbatimit të kushtetutës edhe në Gjykatën Kushtetuese. Kështu që kjo gjykatë me një vendim jo të rregullt për dhe jashtë të drejtave kushtetuese nuk na pranoi ne që të jemi pjesë e këtij gjykimi. Ky është mendimi jonë dhe tani jemi në pritje. U dëgjuan palët e tjera që ishin pjesëmarrës me të drejtë legjitime dhe tani jemi në pritje, pasi gjykata është tërhequr për të marrë një vendim dhe ende nuk ka marrë asnjë vendim deri në momentet që ne po flasim.

    -Kur pritet që të jepet vendimi, a ka ndonjë afat të caktuar kohor për dhënien e vendimit?

    -Duhet të jepet vendimi i gjykatës për të parë nëse do të mbrohen ose jo interesat e pronarëve. Deri në këto momente ne nuk kemi asnjë vendim të gjykatës. Është ende në fuqi Akti Normativ për lirimin e banesave deri në datën 1 nëntor, por nuk kemi asnjë qëndrim të gjykatës përsa i përket respektimit të afateve që janë përcaktuar, pra nuk kemi asnjë masë sigurie që duhet të bllokonte ose jo aktin përsa i përket të drejtave që kanë palët. Për kushtetueshmërinë aktit nuk ka një vendim, po ashtu nuk ka asnjë vendim edhe për kërkesën e palës së qiramarrësve që kërkuan marrjen e masës së sigurisë për mosekzekutimin e aktit deri sa gjykata të marri një vendim.

    -Çfarë do të ndodhë nëse nuk do të zbatohet ky akt?

    -Ne do të kërkojmë ekzekutimin e aktit sipas detyrave që na ka vendosur akti. Sipas tij, pronarët do t’i drejtohen institucionit shtetëror që është ngarkuar për ekzekutimin e aktit që është Enti Kombëtar i Banesave, për të nxjerrë urdhrin e ekzekutimit për lirimin e shtëpive. Kjo është e përcaktuar qartë dhe ne nëse nuk kërkojmë këtë atëherë i bie që mos lirohen banesat.