Shteti do të paguajë dy drejtorë për Qytetin Studenti

    403
    Sigal

    Ish -Drejtori i Qytetit Studenti: Më kanë shkarkuar pa motiv duke nëpërkëmbur statusin dhe ligjin

    Me sa duket vala e shkarkimeve e spastrimeve në drejtoritë dhe organet më të rëndësishme të piramidës së administratës publike ka sjellë debate të mëdha dhe sigurisht nga kjo gjë nuk ka shpëtuar as drejtori i Qytetit Studenti. Që prej datës 21 tetor, ish-drejtori i Qytetit Studenti, z.Bujar Brovina, ka hedhur në gjyq Këshillin Mbikëqyrës të Shoqërisë “Trajtimi i Studenteve Nr.1” SH.A , Tiranë, ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës,  Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Shoqërinë “Trajtimi i Studenteve Nr.1” (Anila Shehu). Pas shkarkimit nga detyra dhe zëvendësimit të tij me drejtoreshën e re znj.Anila Shehu Brovina ai ka ngritur padi kundër subjekteve të lartë përmendur për arsye të largimit nga puna pa motiv, duke nëpërkëmbur statusin dhe ligjin. Ish- drejtori kërkon nga pala paditëse t’i shlyej të gjitha detyrimet. Ai kërkon që pala paditëse të paguajë dëmshpërblimin në një shumë të barabartë me atë të një viti pune për zgjidhje të marrëdhënies së punës pa shkaqe të arsyeshme dhe në mënyrë të menjëhershme. Gjithashtu, i kërkon palës së paditur pagim, dëmshpërblim në një shumë të barabartë me atë të dy muajve pune për zgjidhje të marrëdhënies së punës pa respektuar procedurën e zgjidhjes së saj. Duke parë edhe praktikën gjyqësore ish- drejtori jo vetëm që do të përfitojë pagesën, por do të bëjë që shteti për të njëjtin vend pune të paguajë njëkohësisht dy persona. Sikur të mos mjaftonte kjo vlerë z. Brovina i kërkon palës së paditur të paguajë si dëmshpërblim edhe  një shumë të barabartë me atë të tre muajve pune për zgjidhje të marrëdhënies së punës pa respektuar afatin e njoftimit dhe dëmshpërblim për vjetërsi pune prej 8 vitesh. Ndërkohë, çështja po shqyrtohet në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë dhe pritet të jepet vendimi i gjykatës në dhjetor të këtij viti në seancën e radhës. Ata që kanë humbur në këtë rast janë qytetarët dhe taksapaguesit, paratë e të cilëve në vend që të shkonin tek spitalet apo pagesat e invalidëve dhe tetraplegjikëve po shkojnë tek ish –drejtori, i cili u shkarkua për t’i bërë nder  drejtoreshës të sapoemëruar,  Anila Shehu.

    Klarita ÇAUSHI