Shpëtim ZINXHIRIA / Emigrantët,në mëshirë të fatit

    463
    Sigal

    Shpëtim ZINXHIRIA 


    Emigracioni shqiptar, në dorën e kujt?!


    Politika dhe mbarë shteti shqiptar u ka një borxh moral emigrantëve, shumë
    premtime ndaj tyre kanë mbetur të tilla gjatë 25 viteve me radhë. Premtimet dhe
    angazhimet e shumta të partive të ndryshme politike, në fushata elektorale
    përballë halleve dhe problemeve të emigrantëve kanë mbetur vetëm premtime dhe
    asgjë tjetër. Kërkesa e regjistrimeve të emigrantëve shqiptarë të kudondodhur
    nga ana e qeverisë shqiptare nuk zgjidh asnjë hall apo problem të tyre, por
    thjesht është një kërkesë që vetëm qeveria e di. Shqipëria prej vitesh duhet të
    kishte vlerësuar shumë kontributin e emigrantëve tanë të kudondodhur dhe jo të
    heshtë dhe të qëndrojë indiferente. Për më shumë se 25 vjet ky komunitet
    shqiptar i braktisur, siç dihet luajti një rol të rëndësishëm për ekonominë e
    vendeve pritës, por më shumë këta kontribuan për ekonominë e vendit të tyre. Të
    gjithë po heshtin sot për emigracionin shqiptar, asnjë fjalë dhe asnjë
    prononcim në parlamentin shqiptar, për këtë pjesë të këtij komuniteti. Askush
    nga qeveria nuk po mban përgjegjësi në mbrojtje të të drejtave të këtij
    komuniteti, duke patur parasysh se për këtë mbajnë përgjegjësi gjashtë ministri.
     Askush nuk thotë me gojën plot se në
    dorë të kujt është ky komunitet kaq i madh në Diasporë. Shqipëria e sotme për
    frymë popullsie zë vendin e parë, jo vetëm në Europë, por edhe në Botë, me
    25-30% të popullatës së larguar, sa çdo vit largohen 50-60 mijë persona.

      

    Emigracioni, ndërgjegjësim
    për shtetin shqiptar

    Emigracioni është shndërruar në një dukuri globale, që në një formë a një
    tjetër prek të gjithë shtetet në mbarë botën, por kjo mesa duket akoma nuk po ndërgjegjëson
    shtetin shqiptar. Duhet të jetë një shqetësim i madh për shkak se rreth 30% e
    popullsisë është larguar nga vendi gjatë më shumë se një dekade, duke e bërë
    Shqipërinë një nga vendet me nivelin më të lartë të flukseve të emigracionit në
    botë. Për sa i përket perspektivës, emigracionin, gabimisht qeveria po e shikon
    si një iluzion, këtë problem madhor, i cili mund të zgjidhë disa probleme për
    momentin, por nuk mund të rregullojë gjendjen e popullit dhe të vendit për
    gjithnjë. Shteti shqiptar duhet të kuptojë se ky emigracion është një ndihmesë
    e konsiderueshme për momentin, por është një iluzion dhe zhgënjim i madh për të
    ardhmen e vendit…


     Ngritja e Ministrisë së
    Emigracionit në vendin tonë mbetet ende një ëndërr!

     

    Ngritja e Ministrisë së Emigracionit në vendin tonë mbetet ende një ëndërr,
    edhe pse në shumë vende të BE, ekzistenca e saj po e menaxhon për bukuri këtë
    fenomen. Edhe pse u premtua sot ky dikaster po anashkalohet me justifikim se
    nuk u premtua, por a mjafton kjo? Ngritja e shumëpërfolur e një Ministrie
    Emigracioni do të ndryshonte klimën ekzistuese të emigracionit shqiptar, pasi
    shumë studime, si dhe lidhja me Diasporën do të ishte një nevojshmëri për
    kushtet aktuale të vendit tonë. Diaspora dhe emigracioni, në shumë raste ka
    zbuluar të metat që ekzistojnë në marrëdhëniet shtet-emigracion. Si një vend i
    madh emigrimi dhe vend pritës për emigrantët e tjerë, del si domosdoshmëri
    ngritja e kësaj ministrie me një njerëz specialistë të kësaj fushe. Italia, edhe
    pse problemin e emigrimit e ka zgjedhur para 60-70 vjetësh, edhe pse ekonomia e
    vendit nuk bazohet nga emigrantët e saj, ka sot Ministri Emigracioni. Zëvendësimi
    i këtij dikasteri me Institutin e Diasporës, për mendimin tonë është një
    zgjidhje naive dhe tej i nxituar. Mungesa e kësaj ministrie ka bërë që fati i
    emigracionit të varet nga MPJ, duke e konsideruar emigrantin e sotëm në Greqi
    të barabartë me emigracionin e brezit të tretë në SHBA, Kanada apo Australi, me
    premtimin e qeverisë për ngritjen e qendrave kulturore në Athinë, Romë, Londër
    Nju-Jork apo Toronto. Ka vite që është hedhur ideja për ngritjen e një
    ministrie për diasporën, po dhe kaq vite po heshtet. Asnjë politikan nuk ka
    marrë mundimin të diskutojë për këtë problem në altarin më të lartë të shtetit,
    në parlamentin shqiptar. Jo pak herë, ish-presidenti Alfred Moisiu kishte
    kërkuar krijimin e kësaj ministrie për diasporën, po kërkesa e tij deri më sot,
    ka mbetur në sirtarët e indiferentizmit dhe burokracisë së shtetit të sotëm. Shqipëria
    po përballet me sfidën më të madhe në rrugën e procesit të integrimit europian,
    ku përveç problemeve të tjera të brendshme, një problem të madh ka edhe
    emigracionin, ku për këtë duhet të përmbushë të gjitha detyrimet
    morale-politike.

     

    Premtimet e PS mbeten vetëm
    premtime

     

    Asnjë nga 10-të premtimet e PS për emigracionin gjatë fushatës elektorale
    të 2013 nuk u realizuan nga qeveria e sotme, e cila për më se tre vjet nuk
    është parë më në Greqi, në këtë vend ku shqiptarët përbëjnë 64% të gjithë
    emigracionit në këtë vend.

    Emigracioni shqiptar, duket se po trajtohet si diçka anti-popullore, kjo
    gjë mund të jetë nëse ata që gjenden në shtetin amë nuk interesohen për ata që
    gjenden në emigracion. Disa nga premtimet që iu dhanë
    emigrantëve, por që nuk zbatuan…

             
    Në 100 ditët e para të qeverisjes do të kalojë në
    Kuvend ligjin për votim të emigrantëve me postë.

             
    Qeveria do të ketë një portal të veçantë që do të
    fokusohet vetëm në problemet dhe shqetësimet e emigrantëve

             
    Krijimi i një fondi qeveritar për sigurimin e
    Abetares, mësimdhënies të gjuhës shqipe për Greqinë dhe Italinë.

             
    Negocim me qeveritë homologe për të përfshirë
    gjuhën shqipe në shkollat ku mësojnë fëmijët e emigrantëve.

             
    TVSH-2 do të transmetojë programe për mësimin e
    gjuhës shqipe

             
     Brenda vitit
    të parë të qeverisjes në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, institucionet
    homologe te vendeve fqinje në përputhje me legjislacionin europian në këtë
    fushë për njohjen e kontributeve për pension

             
    Do rikthejmë në shërbimin diplomatik shqiptar
    konceptin e diplomacisë së karrierës, duke promovuar, vetëm individ me shkollim,
    aftësi kapacitet për përfaqësimin diplomatik. Përfaqësues të spikatur e të aftë
    nga komunitetet shqiptar në Greqi dhe Itali, njerëz që njohin emigracionin, si
    eksperiencë të drejtpërdrejtë të jetës, do të promovohen në ambasadat dhe
    konsullatat shqiptare aty.

             
    Brenda mandatit të parë të qeverisjes do të
    krijohet një program ekselence për të përthithur diplomatë, të cilët dëshirojnë
    të angazhohen dhe të kontriubojnënë shërbimin civil të shtetit shqiptar…

           Mungojnë të dhënat e sakta për emigracionin shqiptar

     

    Edhe pse kanë kaluar mbi 25 vjet nga emigracioni shqiptar, vendi ynë ende
    nuk ka shifra të sakta për shpërndarjen dhe qëndrimin e emigrantëve tanë
    kudondodhur. Por sipas regjistrimit të popullsisë, kryer nga INSTAT, në vitin
    2001 numri i përafërt i emigrantëve llogaritet në 710 mijë njerëz. Mungesa e
    një serioziteti për politikën e emigracionit në Shqipëri ka ndikuar që ende
    akoma të flitet me “përafërsisht”, “pjesë” dhe “gjysma” kur duhej të flitej me
    “përqindje” për numrin e tyre. Deri më sot, shteti shqiptar ka treguar
    paaftësinë apo indiferentizmin për të patur një pasqyrë sa më të plotë në këtë
    drejtim dhe për këtë mjafton vetëm regjistrimi i përafërt i kryer nga INSTAT më
    2001, si dhe studimi i Strategjisë Kombëtare të Imigracionit i vitit 2004-2006.
    Sot, ky problem shihet nga vendet e BE si një problem numër një, ndërsa në
    vendin tonë i kujdesi i është lënë vetëm rastësisë, kur dihet që rreth 30% e
    shqiptarëve janë emigrantë, duke e renditur vendin e parë të Evropës Lindore.  Përllogaritet se nga fund i vitit 2011, rreth
    1. 4 milionë banorë ose rreth një e treta e popullsisë shqiptare jetonin jashtë…
    Sipas disa të dhënave të përafërta, publikuar në fazën zyrtare të Ministrisë së
    Jashtme të Shqipërisë rezulton se aktualisht jetojnë dhe punojnë jashtë vendit
    rreth 1 milion e 400 mijë shtetas shqiptarë. Pjesa më e madhe, rreth 70-75 për qind
    e këtij numri, është vendosur në dy vende: Greqi dhe Itali, dhe midis tyre
    Greqia zë vendin e parë të numrit të përgjithshëm të emigracionit tonë në botë.
    Në Itali jetojnë rreth 500 mijë shqiptarë. Fatkeqësisht, Shqipëria ende nuk ka
    një regjistrim të saktë të popullsisë, ndërsa Ministria e Jashtme mendon dhe
    ngritjen e një harte të prezencës së shqiptarëve të kudondodhur, në një kohë
    kur infrastruktura për këtë ende nuk ekziston. Është folur dhe publikuar se ky
    fenomen do të kalojë nën varësinë e Institutit të Diasporës, në një kohë kur
    duhej të ishte nën varësinë e Ministrisë të Emigracionit, ku ende pritet të
    ngrihet akoma nga qeveria aktuale. Barazimi i emigracionit të sotëm me
    emigrantët e vjetër shqiptarë të viteve 1920, si parim duket se është një
    zgjidhje naive, por politikisht reale, pasi në mes “strumbullari” mbetet
    problemi i votës së emigrantëve.

     Largimi i “trurit”, një
    humbje e madhe për kombin


     

    Në vendet ku janë bazuar, emigrantët akumulojnë kapital të madh financiar,
    njerëzor dhe social dhe potenciali i tyre i kthimit në kushte aktuale mund të
    krijojë një bum të ri për zhvillimin ekonomik, nëse investimet potenciale të
    tyre menaxhohen në mënyrë të përshtatshme për ngritjen e një biznesi. Një
    fatkeqësi shumë vjeçare është, largimi i trurit, një nga çështjet që duhet të
    alarmojë shtetin apatik, duke parë se më shumë se 40 për qind e akademikëve dhe
    punonjësve shkencorë janë larguar nga vendi gjatë periudhës 1991 – 2008. Shteti
    shqiptar duhet të shohë pak më larg, të marrë eksperiencën më të mirë të
    vendeve fqinjë që emigruan shumë vite para nesh. Midis problemeve të tjerave,
    shteti shqiptar po jep shembullin më të keq për sa i përket emigracionit shqiptar
    kudo ndodhur, që kohët e fundit është bërë problemi kryesor në axhendën e BE.
    Edhe pse kanë kaluar kaq vite emigrimi, prezenca e tij ka qenë pothuajse zero.
    Kjo çështje kërkon mbi të gjitha një unitet dhe solidaritet politik si dhe një
    administrim mbarë kombëtar në lidhje me vendet ku kanë emigruar shqiptarët. Për
    këtë, nga shteti shqiptar kërkohet një politikë konkrete, duke lënë mënjanë
    premtimet. Me sa duket, çelësi i zgjidhjes për emigracionin njëlloj si dhe në
    vendet të tjera të BE është ristrukturimi, pra ngritja e një institucioni
    shtetëror. Është një proces që mbart kosto politike dhe ekonomike, që kërkon
    mbi të gjitha shumë punë dhe vullnet të përbashkët në vijën politike. Për të
    qenë sa më efektiv, duhet të bëhet e mundur që qeveria të hartojë dhe t’u
    përgjigjet strategjive të qarta për emigracionin por edhe për diasporën, për
    problemet që dalin për një zgjidhje efikase dhe të efektshme. Si një bord
    drejtues, kjo ministri do të luajë një rol të rëndësishëm për përcaktimin e
    drejtimin strategjik, vijën politike të qeverisë e të shtetit shqiptar në
    diasporë, që deri më sot ka munguar. Studimet e dala nga ky institucion
    shtetëror në bashkëpunim me institucionet e tjera të vendit do të ndikonin
    faktikisht në organizimin e copëtuar të emigracionit. Për të patur këtë kërkon
    vullnet politik nga ana e qeverisë. Por nuk është çudi që në ngritjen e këtij
    institucioni do të ketë edhe rezistencë të kundërt, edhe pse emigracioni po
    ndeshet me të drejtat morale, të punësimit, të respektimit dhe konsolidimit të
    drejtave të tyre, nga mospërfillja nga organet shtetërore të vendeve pritëse në
    mungesën e respektit dhe dinjitetit.

     

    Shteti nuk e di sa ka dhe ku
    i ka emigrantët e tij

     

    Në momentet e sotme shteti shqiptar nuk di sa ka dhe ku i ka emigrantët e
    tij, nuk di saktësisht se a u mbrohen të drejtat më elementare të tyre, por
    është mjaftuar vetëm me ndonjë relacion të dërguar nga ndonjë ambasadë e tij.
    Këto realicione në të shumtën e rasteve kanë treguar se, kanë qenë të kundërta
    me realitetin, pasi në krye të stafit drejtues ambasadori ishte emëruar si
    diplomat politik dhe një përçues i vijës partiake. Koha ka treguar se premtimet
    dhe angazhimet e herëpashershme të partive të ndryshme politike, në fushata
    elektorale përballë halleve dhe problemeve të emigrantëve kanë mbetur vetëm
    premtime dhe asgjë tjetër.

     

    Emigracioni, në duart e dy
    specialistëve

     

    Drejtoria e Emigracionit pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, e
    ngritur apostafat me një personel të pakët prej dy specialistësh nuk mund të
    përballojnë dot problemet e mëdha të emigracionit shqiptar të shpërndarë në 60
    vendet e botës. Koha po tregon se vendi ynë i ka kthyer kurrizin jo vetëm
    emigracionit të brezit të parë, por edhe fëmijëve të tyre.

     

     

    Cili organizëm merret sot me
    emigracionin?

     

    Lind pyetja. Cili organ dhe dikaster merret me emigracionin shqiptar? Cili
    organ dhe dikaster ka verifikuar realizimin ose jo të objektivave të
    Strategjisë Kombëtare të Imigracionit Shqiptar, hartuar në vitin 2006. Një
    strategji që jo vetëm bëri bujë, por edhe shpenzimet nuk ishin të pakta, pasi
    hartimi u bë jo vetëm pa studiuar emigracionin aktual, por u hartua nga të
    huajt (Italia), duke mos i përshtatur aspak vendit tonë. Sot për këtë strategji
    shqiptare me “gjeneral të huaj” po heshtet dhe askush nuk merr përgjegjësinë,
    të thotë se sa janë realizuar objektivat… Futja në NATO, si dhe më pas në BE,
    nevojat e vendit bën të domosdoshme ngritjen e këtij institucioni shtetëror.
    Shumë emigrantë, intelektualë, shkencëtarë në emigrim u kanë rënë kambanave të
    para për të dhënë alarmin jo vetëm për komunitetin, por edhe për vetë shtetin
    shqiptar se dikush duhet të merret me problemet e tyre. Arsimi, kultura,
    sigurimet shoqërore dhe biznesi shqiptar janë lënë në mëshirën e fatit, thua se
    këta nuk i përkasin Shqipërisë shqiptare. Po në qoftë se do të kishte patur një
    institucion shtetëror (ministri) të organizuar apostafat për bashkëpunim
    nëpërmjet shtetit dhe emigracionit, problemet do të ishin krejt ndryshe.

     

    Po pse hezitohet akoma…?

     

    Emigracioni ka nevojë për të, jo për bukë dhe ujë. Administrimi sa më i
    drejtë i emigracionit kërkon padyshim edhe kushtet normale. Në të gjitha fushat
    Emigracioni është një potencial i madh jo vetëm ekonomik dhe politik, por edhe
    në aspektin social dhe kulturor. Aktivitet e bëra deri më sot në diasporë
    mbajnë vulën e vetë emigrantëve. Seminaret e ndryshme, festivalet e filmave
    shqiptarë, festivalet e fjalës artistike, hapja e ekspozitave, panairet e
    librave si dhe i biznesit janë bërë kryesisht me forcat e tyre. Politikanë mund
    të justifikohen se shteti ynë nuk ka fuqinë financiare njëlloj si shtet e
    tjera, por të kujtojmë se sa euro futen në vit nga emigrantë, sa para u merren
    atyre për ciklimet e dokumenteve pranë ambasadave tona, (ku shteti vulos po
    shtetin). Mund të themi se po të kishte një vullnet të mirëfilltë, kjo ministri
    do të ishte ngritur prej kohësh në Shqipëri.

     

    Shqipëria, vend pritës për
    emigrantët e huaj

     

    Asgjë nuk mbetet siç ishte më parë. Ndryshimi klimaterik do të ndikojë në
    një zhvendosje të madhe tektonike të popullsive të vendeve të ndryshme. Futja e
    Shqipërisë në BE, e bën më shumë se kurrë të domosdoshme ngritjen e këtij
    institucioni, pasi lëvizja e emigrantëve nga një vend në tjetrin do të jetë i
    lirë. Shqipëria e sotme matet me Europën e dikurshme, që emigronte për në kontinentet
    e tjera, ndërsa sot Europa është bërë vend pritës i emigrantëve që përbëjnë
    rreth 10-12 % të popullsisë. Po e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Ballkan.
    Besoj se nuk do të jetë e largët ajo ditë kur vendi do të ndeshet përballë
    emigracionit klandestin nga vendet e Azisë dhe Afrikës. Për këtë duhet që
    shteti shqiptar të përgatitet jo vetëm për të sotmen, për emigrantët e tij të
    kudo ndodhur, por për të hartuar një strategji kombëtare për emigrantët që do
    të vijnë. Shqipëria nuk ka më se çfarë humbasë, në një kohë kur duhet të
    mendojë për të mirën e kombit, se emigracioni nuk është një problem partiak por
    mbarë kombëtar. Në të kundërt kur dëshira, vullneti, shqetësimi dhe angazhimi
    janë në një shkallë të lartë, kjo pengesë komplekse inferioriteti bëhet më e
    lehtë dhe shumë shpejt e kapërcyeshme. Mendoj se ka ardhur koha për ngritjen e
    këtij institucioni për të mirën e kombit, për një menaxhim sa më të mirë, por
    edhe për hartimin e një harte demografike, për atë që deri më sot na mungon.