Shpendi TOPOLLAJ/ Nuk vdes poeti zemërzjarr

    404
    Sigal

    Kallupit

     Më gri më duket Elbasani,

    Tani që poetëve ju pre hovi,

    Se ndrysh shkëlqente – mend e mbani,

    Kur ishte gjallë Milianovi.

     

    Sa fort e deshi këtë qytet,

    Që e mbushi me aq poezi,

    Që i dha drit` nga shpirti i vet,

    Me ato vargje plot magji.

     

    Aty te Porta e Kalasë,

    Na priste ne si miq të vjetër,

    Kafenë te Rrapi i Namazgjasë,

    Dhe shpejt në rrug` për diku tjetër.

     

    Si s`i shteronte mirësia,

    Këtij burri që i ndrisnin sytë,

    Si veprimtar, gjithë Shqipëria,

    Vështirë të nxjerrë një të dytë.

     

    Herë në një pyll, her` te liqeni,

    Herë në Shkumbin, e her` në mal;

    Poetë, më bukur ku do gjeni,

    T`i thurni lirshëm ato fjalë.

     

    Që t`i këndoni dashuritë,

    Me zë të lartë e pa drojë,

    Se ne do vdesim ndonjë ditë,

    Ajo për jetë do të rrojë.

     

    E mbushej dinga tavolina,

    Dhe pihej vera me dolli,

    Ca tinguj nxirrte violina,

    Si vaj, për fat`n e tij të zi.

     

    Oh! Sa i ri shkoj Esenini,

    Njëzet e shtatë qe Lermontovi,

    Por gjallë janë – ju e dini,

    Siç do mbesë gjallë Milianovi.

     

    Me të do mburret Elbasani,

    Që ngjyrën gri do flakë tej,

    Prandaj, poetë, mos e qani,

    Këtë bir të shkollës “Skënderbej”.

     

    Sa pemë mbolli në lulishte,

    Për gjithë poetët që s`janë më,

    Po ne, në atë fidanishte,

    Do ngrem` një bust për vet` atë?