Shijaku është braktisur nga të gjitha qeveritë, prej 23 vitesh

    513
    Sigal

    Shijaku, qyteti i vogël me histori të madhe

    Shijaku në historikun e tij përfaqësohet si vendbanim i hershëm, ku në hartën e disa vendbanimeve parahistorike të Shqipërisë gjendet edhe “guri unik militar” i tij, i gjetur në afërsi të fshatit Sallmone pranë lumit Erzen përgjatë rrugës Dyrrachium –Lisus (sot Durrës-Lezhë) që i  takon kohës së paleolitit të lartë, 40.000-6000 vjet p.e.s.  Pas themelimit të Durrësit, në vitin 627 para Krishtit, një ndër qendrat e banuara ka qenë edhe Shijaku, si pjesë përbërëse e fisit të taulantëve, të cilët si qendër të territorit të tyre kishin Durrësin. Në një hartë të vitit 1861 Shijaku rezulton në fizionominë e tij të sotme i themeluar në vitin 1880 nga Sali bej Deliallisi, fillimisht si një vendbanim me karakter rural, por me një perspektivë qytetare, me hanin e tij, furrën e bukës, kafene, xhami etj.. Pas vitit 1880, në Shijak vendosen muhaxhirët boshnjakë, të cilëve  Sali beu u ofroi si vendbanime dy katunde, që më pas do të merrnin emrin Koxhas dhe Borake, të cilat ekzistojnë edhe sot. Rreth viteve 1908 Shijaku shikohet si qendër atraktive dhe tërheq  banorë edhe nga Tirana, Kruja dhe Shëngjergji, të cilët vendosen aty dhe ndërtojnë banesat. Fizionominë e plotë si qytet, Shijaku e mori pas rindërtimit të tij mbi bazën e projektit francez  rreth vitit 1930. Në vitet ’40 Shijaku numëronte 216 shtëpi me 1352 banorë, ndërsa në katundet  e përfshira në Nënprefekturën Shijaku numëronte 3476 shtëpi dhe 16,954 banorë. Sot, Shijaku  numëron rreth 12,900 banorë dhe kufizohet me komunat Xhafzotaj, Gjepalaj dhe Maminas. Prej afro 23 vitesh, pra nga dita e ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri, Shijaku ishte dhe ka mbetur qyteti, ku nuk është mbajtur qoftë edhe një premtim i vetëm nga të gjitha qeveritë.

    -Shijaku, qyteti ku PD themeloi celulën e parë

    Qyteti i vogël i Shijakut njihet ndryshe, pas viteve ‘90, edhe si vendi ku PD, pas Tiranës, themeloi celulën e parë të saj si parti. Banorët e Shijakut, ishin të parët që përkrahën protestat popullore ndaj ish-diktaturës komuniste, ishin të parët që ju bashkuan thirrjes “Ta bëjmë Shqipërinë si Europa”, ishin të parët që mbushnin radhët e mitingjeve të PD-së qysh nga dita e pare e themelimit të saj si parti politike. Shijaku ishte qyteti nga ku nisi aktivitetin politik ish-deputeti i saj Sokol Olldashi, që ka kontribute të jashtëzakonshme për krijimin e degës së kësaj partie, rritjen e numrit të anëtarëve dhe militantëve. Shijaku ishte dhe mbeti qyteti ku gjente strehë PD-ja edhe në ditët e vështira të vitit të zi 1997. Shijakasit janë popull mikpritës, të besës, të dashur dhe të respektueshëm, dinjitozë në vendimet e tyre, por ata në 23 vjet, kanë përjetuar edhe zhgënjime. Ato kanë krijuar shijen e hidhur, të cilën shijakasit mundohen ta kalojnë me dinjitetin që i karakterizon. Shijaksi kur jep fjalën, e ka të vështirë ta kthejë atë. Dhe këtë fjalë ja dha PD-së dhe Berishës qysh në vitin 1992. Kjo parti ka qenë prej 23 vitesh fituese në çdo zgjedhje që janë bërë, por duhet thënë se qeverisja e djathtë ka bërë fare pak për këtë qytet  simbol të demokracisë shqiptare.

    -Shijaku, qyteti që vuan mungesën e investimeve

    Qyteti i Shijakut, i ndodhur mrekullisht mes Durrësit dhe Tiranës, duket se nuk e ka pasur fatin të jetë në vëmendjen e qeverive të 23 viteve të fundit përsa i përket investimeve. Veç shtrimit të asfaltit elektoral, ndërtimit të ndonjë ujësjellësi periferik, apo edhe rehabilitimit të urës në hyrje të qytetit, Shijaku sot ka sërish imazhin e qytetit të para viteve ‘90. Shijakasit mbajnë në kujtesën  e tyre vetëm dy bashkëqytetarët e tyre, ish-deputetin Petrit Llaftiu, dhe deputetin aktual Agron Duka, për kontribute në dobi të komunitetit. Nuk ka banor në Shijak, që të mos shprehet me fjalë të mira për këta dy emra, sidomos për deputetin aktual të opozitës Agron Duka, si një zë i fortë në Parlament për zgjidhjen e halleve dhe probleme të tyre. Dhe fakti është se deputeti Duka, në çdo post që ka mbajtur, qoftë si ministër i Bujqësisë, apo Prefekt i Durrësit, ka kontribuar në thithjen e fondeve për nevojat e qytetit të vogël të Shijakut. Por pavarësisht këtyre përpjekjeve, Shijaku sot ka nevojë urgjente për investime, për punësim, për shërbim shëndetësor, për shkolla të reja, për shërbim veterinar dhe jo të harrohet si një “xhep” në segmentin e aksit nacional Durrës-Tiranë. Në 8 vitet e qeverisjes së PS-së, ashtu si edhe në 8 vitet e qeverisjes së PD-së, Shijaku ishte dhe mbeti qyteti, ku politika luajti me ndjenjat e banorëve, votuesve dhe militantëve.  Politika kërkon votat dhe pastaj e harron Shijakun, sikur të mos ekzistonte fare në hartë. I vetmi investim në atë zonë, mbetet “FILANTO”, dhe nja 2-3 rrobaqepësi që punojnë me material  porositësi, ndërsa papunësia ka njohur rritje, bashkë me numrin e familjeve ekstremisht të varfra. Veç ndonjë dyqani që merret me shitjen e pjesëve të automjeteve, duket se biznesi në zonën e Shijakut po asfiksohet çdo ditë. Bashkia e qytetit mbetet e pafuqishme në rritjen e rolit të saj për përmirësimin e situatës në të cilën ndodhen banorët, duke mos mundur të thithë investime nga fondet e qeverisë. Prej 6 muajsh, kjo qeveri nuk ka folur qoftë edhe një fjalë për Shijakun, që duket si një hakmarrje ndaj qytetit që është pothuajse 100 % i djathtë. Mbi 80 % e familjeve në Shijak, sot, jetojnë me ndihmat e fëmijëve të tyre nga emigracioni, megjithëse edhe ato ndihma  po zvogëlohen për shkak të krizës ekonomike në rajon. Në biseda me banorët e Shijakut ata shprehen se, “jemi pesimistë, kur nuk bëri mrekullira për ne PD-ja, nga Edi Rama nuk kemi besim fare se mund të ndihmojë qytetin dhe të ndryshojë jetesën tonë, tek ne kanë ardhur dhe vijnë vetëm për fjalët e bukura dhe votat, pastaj ikin dhe nuk të hapin as celularin”. Qindra të rinj shijakase, që kanë mbaruar shkollat e larta, janë të papunë, ku e shumta janë futur kamerierë apo punëtorë në servise makinash. Kjo është tabloja e zymtë e një qyteti të vogël, por me histori të lashtë e të madhe, qyteti që nxori vullnetarët e parë të grupit shoqërues për të mbrojtur Ismail  Qemalin, qyteti që themeloi celulën e parë të PD-së, dhe qyteti që renditet i pari në listën e harresave të çdo qeverie.