Shehlerët e Vëndreshës

1051
Sigal

Enver CAKAJ

Ju lutemi qëndroni një copë herë gatitur sa herë të përmendet familja Shehu në Vëndreshë të Skraparit. Nderoni ata që kanë nderuar vendin. Shehlerët e Vëndreshës janë një mëhallë e tërë, por ne do të merremi me dy vëllezërit Shehu, Hajrinë dhe Avninë. Hajriu nuk jeton më, po ne na duket sikur është ende në krye të rinisë dhe organeve të drejtësisë. Avniu vazhdon të jetojë në Kuçovë dhe i është drejtuar shekullit. Çdo njeri ka rrënjët dhe degët e veta prandaj të pjellët e Ismail Shehut luftuan që të bëheshin rrënjë, degë, që jepnin fryte me shumicë. Ismaili u përpoq të arsimohej vetë. Edhe pse shkolla qytetëse në Berat bëheshin në gjuhën arabe, Ismaili pranoi të shkonte. Atje ra në kontakt me patriotin e madh Babë Dudë Karbunara, i cili hapi një shkollë ilegale në gjuhën shqipe. Ditën mësonte arabishten, natën shqipen nëpër bodrumet e Beratit, që i ndryshonin gjithmonë se i ndiqnin koshadhet turke. E mbaroi shkollën bodrumeve dhe priti të vendosej me ndonjë punë, por ato ishin për djemtë e vajzat e pasanikëve. Po Ismaili nuk ishte nga ata që u griste xhaketat të tjerëve, se ishte i zoti i punës dhe u kthye në fshat, ku u mor me bujqësi. Për atë kohë ai quhej njeri i shkolluar dhe me ndihmën e Sheh Murat Vëndreshës, ai hapi shkollën e parë në ato anë në një nga dhomat e teqesë. Ishte Ismaili që i shkolloi të gjithë djemtë e Vëndreshës. Në atë klasë të vogël Ismaili bëri propagandën e madhe. Ajo u shndërrua në një vatër të ndezur patriotike, ku populli i asaj zone u ngrit kundër pushtuesve të vendit. Ishin vitet 1918, kur italianët përplaseshin me austro-hungarezët në tokën shqiptare. Në këtë kohë të gjithë burrat e zonës së Vëndreshës u mblodhën në Spatharë dhe krijuan Komitetin e Fshehtë kundër zaptuesve. Komiteti përbëhej nga 12 burra dhe një grua. Kryetar u zgjodh Tajar Vëndresha dhe nënkryetar Ramiz Musai e Jahja Bregu, sekretar Ismail Shehu dhe korriere Bejaze Bano. Por spiunët e regjimit i diktuan dhe i arrestojnë përveç Tajarit, që ndodhej jashtë rrethit. Karabinierët italianë i morën veç e veç dhe i shpunë në Ballaban të Përmetit për t’u bërë gjyqin. Përkthyes në gjyq ishte Ahmet Efendi Kajca, të cilit Riza Cerova i dërgoi këtë letër: “Bëj të pamundurën që Ismail Shehu të shpëtojë nga pushkatimi, sepse është i vetmi që di shkrim e këndim në gjuhën shqipe!” Me manovrat që bëri përkthyesi gjykata e dënoi me burgim të rëndë dhe tok me dhjetë të tjerë i degdisën në Siçili të Italisë. Kurse Ramiz Musanë dhe Jahja Bregun i pushkatuan tek Kubeja e Ballabanit, të cilët mbetën në këngë:

Tek Kubeja e Ballabanit,

Gjykohen djemtë e Skraparit.

Vriten edhe syrgjynosen,

Asnjëherë ata nuk mposhten.

Internimin e mbaroi, po kur u kthye në shtëpi iu duk sikur e kishte nisur internimin nga e para. Katër veta nga familja i kishin vdekur, motra, vëllai gruaja dhe kushëriri i parë! Kjo zbrazëti shpirtërore e tronditi burrin e Vëndreshës. A keni provuar t’u rrethojë vetmia? Ismaili hynte e dilte nga shtëpia dhe nuk i rrihej gjëkund. Ku të rrinte e me cilin të muhabetosej? Përpiqej t’i mbante lotët, por ata i dilnin vetvetiu. Ata nuk ishin lot,por dhimbje e thellë shpirtërore. Dhe u rrëzua ky burri i Vëndreshës dhe ndenji tre muaj në shtrat. Nuk bëri asnjë përpjekje për ta mundur dhimbjen e vetminë derisa u vajti pranë.

Kush ka njohur Hajri e Norka Shehun, ose është bërë si ata, ose iu është afruar. Nuk e dimë kush ishte ai sebepçi që bashkoi këta njerëz kaq shpirtmirë,kaq të përkushtuar me rininë e viteve të pasçlirimit, kompetentë në arsim e drejtësi, por më shumë fisnikë. Norka ishte nga Elbasani, por puna me rininë i bashkoi në shkollë brenda dhe jashtë vendit. Për Norkën pata shkruar një libër, por atë që meritonte ajo femër, nuk mund ta them as me njëqind të tjerë. Rastësisht, tek prisnim autobusin, hyra në bisedë me një mësuese nga Kavaja. Kur më pa me librin e Norkës në dorë, u ngrit e ma mori pa më thënë. Pastaj,sa pa emrin tim te libri, erdhi e më përqafoi. Në çast i ranë lotët mbi faqet e librit. Pasi lexoi nja dy faqe,m’u drejtua mua: “Na i paske ngjallur mësuesen e shkëlqyer dhe shoqen time, që s’ka shoqe!” Natyra që krijon ato bukuri e mrekulli, bën dhe ca krime që nuk ka kandar t’i ngrërë. Me Norën dhe Hajriun ka bërë krimin më të rëndë! Ajo Nora aq njerëzore, që e qau i gjithë Durrësi, ku banonte,u nda nga jeta krejt befas! Ajo iku dhe nuk pa gjë mbrapa, po dhimbja e rëndë mbeti tek Hajriu. Ai njeri,që dinte të bënte vetëm mirë, ai njeri që nuk lëvizte asnjë milimetër nga zbatimi i ligjit, ai njeri që nuk mund ta kuptonte jetën pa Norkën, u ndje tepër keq. Aq sa kaloi në krizë të thellë nervore .E kam ndër sy edhe tani kur i shpura librin e Norkës në atë lokalin pranë Prefekturës, ku pinte kafe gjithmonë me shokët. Iu drodhën duart dhe buza kur mori librat në dorë dhe ua ndau shokëve! Ata i kërkuan t’i jepnin nga një autograf, por ai nuk mundi, por u tha me zë të dridhur: “Nuk mundem.” Dhe iku. Nuk e kam ndjerë veten më ngushtë se atë ditë. Që atë ditë ai burrë eshtak e i mençur,që kishte mbajtur me kurajë të tjerët,nuk u ngrit më. Nuk mund të rrija pa vajtur ta shikoja mikun tim e të gjithë skraparasve, por ajo qe dita më e keqe për mua dhe të gjithë atyre vizitorëve që erdhën pas meje. Më pritën në një nga dhomat e tij,po kur kërkova të vija në dhomën e tij,e bija u përlot e më tha me ngashërim: “Më mirë mbaje mend ashtu si e ke parë!” Jo vetëm unë,po të gjithë ata që e kanë njohur atë çift me mbiemrin Shehu, ashtu do ta mbajmë mend, si dy miq të miqve. Ai ishte sëmurur edhe në vitin 1946 dhe kishte qëndruar tre muaj në spital,por ishte ngritur. Kurse me humbjen e Norkës, ai nuk kishte më durim e vullnet të jetonte. U detyrova ta merrja në telefon që nga Skrapari, por më kanë mbetur në mend vetëm këto fjalë të fundit të tij: “O Vero, jam keq!” Të gjithë në atë shtrungë do të kalojmë, por ai çift i rrallë, nuk duhet të ikte në atë mënyrë.

Avni Shehu është vëllai i Hajriut. Ai i ka kaluar të 90-vitet, por kujtesën e ka si një djalë i ri. Ka shkruar një libër me kujtime, por ka dhe të tjera ,për të cilat kërkon ndihmë për t’ia sistemuar. Unë kam qenë një herë prej vitesh në shtëpinë e tij me mikun tim Agim Zeka, po nuk e mbaj mend përse kemi vajtur. Dhe çuditem,që Avniu me atë moshë të arrirë t’i numëron të gjitha si tespije. Mbi të gjitha Avniu ka një jetë të tijën, që më shumë u është lutur për të qenë partizan i Luftës se e kanë kërkuar. Ato vite organizimi i formacioneve partizane bëhej nga këshillat popullore të fshatrave dhe qyteteve, por atë nuk e futën në asnjë listë. Ky njeri i çuditshëm mori rrugën dhe vajti të luftonte me shokët e Batalionin e Rinisë “Margarita Tutulani”, edhe pse nuk e kishte plotësuar moshën e rinisë. Por ai nuk u tërhoq. Ato krismat e pushkëve nëpër beteja e zgjuanin nga gjumi dhe ai në maj të vitit 1944, nëpër natë iku për t’u inkuadruar në Brigadën e 7-të Sulmuese, që ndodhej në zonën e Tërpanit të Beratit. Atje gjeti kompaninë e dytë me komandant Sabri Sevranin dhe komisar Orhan Frashërin. Ishte nisur nga Vëndresha tamam si një luftëtar i plotë, i armatosur me pushkë,me bomba, me fishekë dhe dy bukë misri në trastë. Avniu u gëzua kur e përgëzoi komandanti për ato që kishte marrë me vete, por iu ul koka deri te këmbët kur ai i përmendi moshën për të cilën duhet të ikte në shtëpi, se kishte lënë dhe prindërit vetëm. Por ai ishte i vendosur të mos kthehej pas dhe iu drejtua komandantit: “Ju lutemi më shpini në shtëpi në barelë, se i gjallë nuk vete.” Pastaj u tregoi,se ai i kishte hequr gjilpërën mitralozit të ballistëve, të cilët e kishin diktuar dhe e kishin dënuar me vdekje dhe e ndiqnin për ta kapur. Por djalovina i Vëndreshës edhe në brigadë ishte pranë vdekjes. Por partizani i vogël nuk ua arrinte dot partizanëve dhe në atë betejën kundër gjermanëve dhe ballistëve në fshatin Tozhar, i mbetur prapa, u ndodh përballë një gjermani dhe një ballisti. Gjermani i drejtoi pushkën ta vriste, por ballisti i tha të mos e qëllonte, që ta dorëzonin të gjallë në Berat, sepse merrnin dyfish shpërblim dhe ia hoqi pushkën. Avniu po mendonte si të vetëvritej e të mos binte në dorën e tyre, por pushkën e kishte pa fishekë. Dhe zgjidhjen e gjeti në mes të qametit, u hodh në një humnerë, ku theu vetëm këmbën e ra pa ndjenja. Ata kujtuan se vdiq dhe u larguan. Avniu mbeti gjithë natën në humnerë. E gjetën shokët e kompanisë ditën e dytë. Ashtu nuk mund të vazhdonte luftimet, prandaj e shpunë në Komandën e Vendit. Pasi u përmirësua e lanë roje në Komandën e Batalionit, ku qëndroi derisa u çlirua Shqipëria. Por gjithë kohën e qëndrimit në Brigadë ndenji si fshehurazi se kishte frikë mos e përzinin nga lufta. Vërtet u çlirua vendi,po shehleret e Vëndreshës u gjendën në një luftë tjetër. Buka ishte bërë jastëk i fjalës. Sytë i hidhnin çdo ditë nga ara e mbjellë me elb. Prisnin sa të piqej i pari,që të shuanin urinë. Pjekur e papjekur e korrën e shinë dhe atë një kuintal elb që nxorën, shkoi Avniu e bloi te Mullinjtë e Dollanëve te Ujë i Zi. Po ç’ishte ai një kuintal? Familja Shehu ishte e madhe. Por një ditë edhe shehlerëve të varfër u qeshi buza. Pushteti popullor, që u ngrit edhe me djersën e gjakun e shehlerëve e dinte gjendjen e tyre dhe e thërresin Avninë në Çorovodë të merrte një kuintal grurë. Avniu e tregon vet atë ngjarje: “Shkova menjëherë,mora grurin dhe e blova në mullirin e Çorovodës. Uria më griu dhe isha gati ta haja miellin pa gatuar. Sa vajta në shtëpi e hodha miellin në magje dhe i thirra Xikes të na bënte petulla. Erdhi e shkreta Xike, po s’kishim as vaj, as gjalpë. Xikja,që nuk përtonte kurrë, mbushi ponicën me brumë kurse unë me fëmijët ruanim se kur do të piqej. Xikja e pa që nuk po duronim dot dhe e nxori kulaçin pjekur e papjekur. E më t’i lëshohemi kulaçit si dhitë në kripët. E hëngrëm valë për valë. Nuk jetohej me të pritur bukën e ponicës. Vëndresha nuk na mbajti dot, po as ne nuk e mbanim dot Vëndreshën. Krisëm e ikëm në Kuçovë. Ishte kujdesi i Hajriut, që u hallosëm atje, ku jam edhe sot.” Por Avniu nuk iku nga Vëndresha për të shikuar vetëm hallin e tij. Ishte lëshuar thirrja për ndërtimin e veprave të reja. Kush do t’i ndërtonte veç rinisë? Shehlerët që nuk kishin kursyer gjakun, nuk e kursyen as djersën. Avniu mori pjesë në aksionet e rinisë për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës,Durrës-Peqin, Peqin-Elbasan dhe rrugën Kukës-Peshkopi. Kur mbushi moshën për ushtar atë e dërguan në Shkodër, ku mësoi profesionin ndërlidhësit, me të cilin punoi gjithë jetën e tij.

Ndërsa Hajriu u nda nga jeta fill pas vdekjes së Norës, Avniut iu nda nga jeta e shoqja dhe vetë vazhdon të gëzojë shëndet të mirë. Atë mungesë që i la Donika ja ka zëvendësuar e bija, Loreta, i cili nuk e ndjen vetminë. Edhe në atë moshë,vazhdon të shkruajë kujtimet e jetës së tij,që t’ua lërë fëmijëve si dhuratë. Me atë vullnet e kurajë që ka Avniu, nuk është çudi,që ndonjë ditë do të marrë rrugën për në Vëndreshë.